Blog

Çfarë bëjnë pas mësimit fëmijët në Kanada? - Nga Jeta Dedja

Sapo më erdhi një email nga shkolla e djalit (Québec, Canada) ku më ftonin ta regjistroja tim bir në kurset jashtëshkollore të semestrit të dytë. Të gjitha të ofruara nga shkolla, në ambientet e saj pas mësimit. Not, hockey, pikturë, poçeri, kërcim modern, bandë muzikore, bilardo, dramë, spanjisht, libra dhe filma, klubi social, zdrukthtari, dhe disa të tjera që im bir nuk do t’i merrte në shqyrtim, por po i përmend gjithsesi, grim artistik, qepje me makinë, fabrikim bizhuterish, balet, yoga, dhe kor. Kur ngrohet moti, ofrohen programe që zhvillohen në natyrë.
 
Si organizohen këto programe jashtëshkollore?
 
I mbani mend dikur pallatet e pionerit? Fiks ashtu, por me të vetmin ndryshim që këto aktivitete zhvillohen brenda ambienteve të shkollës, në mënyrë që nxënësit të mos hallakaten rrugëve pas mësimit. Këtu, shkolla merr përsipër të ofrojë mundësinë e asaj që quhet “kujdesi për veten”. Në filozofinë e arsimit është e rëndësishme që nxënësi të qetësohet të paktën një herë në javë përmes aktiviteteve sportive e argëtuese që i sjellin kënaqësi. Ata inkurajohen të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre fizik e mendor duke u përfshirë në ekipe apo klube.
 
Kjo jo vetëm sjell përftimin e aftësive të ndryshme dhe perfeksionimin e tyre, por ndihmon gjithashtu në socializimin, rritjen e ndjenjës së komunitetit dhe reduktimin e bullizmit.
 
Trajnerët janë sportistë dhe artistë me emër që ofrohen vullnetarisht, ndodh të jenë edhe prindër të profesioneve përkatëse, ose mësues të dalë në pension që vazhdojnë të kërkojnë të ndihen të dobishëm për shoqërinë duke u angazhuar në edukimin e brezit të ri, si dhe studentë kolegjesh që u quhen pikë plus këto përfshirje komunitare. Personalisht, si prind jam ofruar të udhëheq klubin social të nxënësve anglofonë me shenja ankthi social dhe vetëvlerësimi të ulët.
 
Nxënësit që regjistrohen në këto programe janë të motivuar dhe të obliguar t’i shkojnë deri në fund atyre, pasi që në fillim u thuhet se kanë fituar një të drejtë që dikujt tjetër i është mohuar. Se këtu parimi i regjistrimit është “first come, first served” pra kush arrin i pari. Për efekt ambientesh vendet janë të limituara. Kështu që nxënësve u edukohet në një farë mënyre përgjegjshmëria dhe qëndrueshmëria.
 
Këto programe janë të suksesshme dhe vazhdojnë të zgjerohen. Në fund të vitit shkollor, shpërndahet një pyetësor për të mbledhur ide nga nxënësit dhe prindërit se çfarë do donin tjetër t’u ofrohej.
 
Momentalisht shkolla është duke eksperimentuar programin e gatimit, ku nxënësit mësohen të gatuajnë vaktet e tyre si mëngjesin dhe drekën dhe t’ua shërbejnë shokëve të tyre. Ata përgatisin sanduiçe, makarona, oriz, kruaso dhe biskota për të nesërmen. Tostierat, mikrovalët janë në dispozicion të tyre për të ngrohur ushqimet.
 
Të shohim sa sukses do ketë, por sidoqoftë është gjithmonë mirë të sjellësh diçka të re e t’ia bësh shkollën të kënaqshme një brezi që rrezikon të shkëpusë kontaktet me të.
 
Ndërkohë po pres tim bir Davidin të kthehet nga shkolla e të zgjedhë programin e preferuar për këtë semestër.
 
Adoleshentët duken të vështirë, por në fakt është shumë bukur dhe eksperiencë unike të punosh me fëmijë që njëkohësisht ndihen edhe të rritur. Ndonjëherë mendimet e tyre më lënë pa tekst dhe ndjej në atë moment një dëshirë të madhe që t’i tregoj gjithë dynjasë se çfarë bote fshihet brenda një adoleshenti.
 
Québec, Canada
 
©JetaDedja