Blog

Më thuaj me kë rri të them cili je! - Nga Dashnor Kokonozi

 

Shpesh në buletinet e kohës dëgjoj që bashkë me temperaturën jepet edhe perceptimi i saj.

Rëndom thuhet: temperatura 8 gradë Celsius, perceptimi 5 gradë Celsius.

Kjo më ka shtyrë të mendoj se kur për një gjë kaq të prekshme, fizike siç është temperatura e ajrit ka dy realitete, a është e mundur që në jetën e përditshme të jemi sistematikisht, pre e perceptimeve tona të përafërta në mos të gabuara?

Ka shumë mundësi.

Për shembull, duke vështruar se çfarë ndodh rrotull nesh shpesh themi se “të gjithë politikanet janë të korruptuar”.

Duhet pranuar se ky është perceptimi ynë. Realitetin kurrë nuk do ta marrim vesh.

Nuk jemi të vetmit.

Nga shprehjet më të përdorura të gjuhës frënge është: “tous pourris” (të gjithë janë të korruptuar).

Shoh se për të kuptuar një shprehje të tillë frazeologjike, janë bërë studime të shumta, nganjëherë të financuara nga universitete të mëdhenj e nga sociologë me emër.

Dhe po lexoj se nganjëherë ajo eshte cilësuar si shprehje cinizmi e ndonjëherë si kurth që nuk na lë të perceptojnë drejt realitetin.

Pra duket se ka një problem interesant edhe me gjuhën. Jo gjithnjë gjuha lejon ta kuptosh mirë realitetin, që edhe ashtu është aq i ngaterruar.

Se, ta themi midis nesh, nuk mund të jetë tamam kështu.  Nuk mund të jenë të gjithë politikanët të korruptuar.

Atëherë a mund të themi se të gjitha na shtyjnë drejt idesh të gabuara, na japin një realitet të keqperceptuar? A thua se është kurth i gjuhës dhe jo i perceptimit sepse është në natyrën e saj të ekonomizojë dhe përgjithsojë?

Të gjitha gjuhët nuk e di, por jo gjuha shqipe, ajo nuk ndalon aty.

Sado e kultivuar shumë vonë dhe sado që sapo ka dalë nga gjendja e oralitetit (ose për shkak të kësaj), ajo ka të gjitha kapacitetet që të na i shpjegojë më tej realitetet të cunguara.

Nëse vërtet ka dyshime se në sallën e parlamentit, aty ku të gjithë politikanët rrinë bashkë nga mëngjesi deri në darkë, pra nëse ka dyshime se ndonjëri mund të mos jetë i korruptuar, atëherë shqipja ka një shprehje tjetër frazeologjike, që plotëson dhe i shkon deri në fund këtij perceptimi:

Më thuaj me kë rri të them cili je!

(Mos duke i shpëtuar perceptimit ramë pre e gjuhës?)

©Dashnor Kokonozi