Fati i politikanëve tanë varet në një fije peri - Nga Artan Fuga
Hiqen sikur i nënshtrohen vetëm Zotit, dhe ... UEFA, se kanë pjesë të trupit prej hekuri, dhe lëvizin me vetura sheikësh!
Në fakt fati i tyre varet në qime të perit. Nuk varet fare prej tyre. Sepse jetojnë në një vend që historia e ka bërë copë-copë, e ka zhytur mes detit dhe maleve në një rryp toke sa për të mos thënë se nuk na kanë hedhur në det të na hanë peshqit.
Bëjnë sikur janë ngatërruar atje ku vendosen fatet e botës, dhe o Zot, ironia e fatit thonë se në Këshillin e Sigurimit vendosin për fatet e luftës dhe paqes midis fuqive të mëdha bërthamore të Planetit! O Zot këta që nuk kanë as buxhetin disa herë më pak se Amazon, apo Facebook.
Harrojnë historinë. Një miku im ishte mirë e bukur. Një pikë gjaku i qarkulloi në tru në vendin ku nuk duhej, nuk njihte më njeri, nuk kishte më as vëlla, as motër, as djalë. U bë i huaj brenda një sekonde.
Mjafton diku atje larg a afër një dikush të shpallet “non-grata”, një prokuror ta bëjë publik dokumentin që ka, një informacion të rrjedhë, dhe fati i tyre ikën si një varkë që e merr deti dhe e çon larg andej ku në horizont duket si lëvozhgë.
Ja kaq janë dhe tërë ditën na bombardojnë me media, na pshurrin me fjalime, na tallin me meditime, bëjnë sikur zgjidhen dhe i zgjedhin, hiqen si legjitimë, denoncojnë njeri tjetrin si megahajdutë.
Fati i tyre varet vetëm nga një qime peri, nga një fije floku diku këtu apo atje. Harrojnë se Shqipëria nuk bën dot gjeopolitikë. Gjeopolitika bën Shqipëri si ia do qejfi. Pse? Hehuuu histori e gjatë. Do shumë t'ia shpjegoj këtij peshkut që kam komshi këtu në Rroskovec.
Harrojnë se nacionalistët shqiptarë ishin antihebrenj në vitin 41 dhe pronazistë deri në 43. Nuk e kishin marrë vesh që atje larg në Stalingrad Hitleri ishte thyer dhe vazhdonin t'i këndonin hymne rreshterit austriak gjysëm psikopat gjysëm piktor. Vazhduan t'i besonin propagandës së psikopatit-piktor që e quante veten të gjithëfuqishëm. Dhe ikën për dreq brenda dy ditësh në 17 nëntor duke marrë ndonjë plaçke trupi nga shtëpia dhe frymën në aeroport ose në port.
Ishte bërë gati politika komuniste t'i shitej toptan Josifit, jo Stalinit, jo të atit të Krishtit, por Titos. Kishte shit me brekë, me sekrete, me Kosovë, me dreq e me të bir. Edhe partinë e kishte shitur, por sot të shesësh dhe blesh parti nuk është ndonjë problem. Kujtonin se fati i vendit ishte tani në diamantet e dorës dhe puron e Titos. Aq tru kanë. Kujtojnë se Shqipëria e bën politikën. Sikur kishin kujtuar ballistë e legalistë se kolaboracionizmi i ndyrë është patriotizëm. Sikur ca tradhëtarë katolikë të Zogut dhe ca myslimanë kujtonin se mund ta tradhëtonin atdheun si monarki duke i puthur këmbën Italisë. Italia? Kush t'ia dalë Italisë? Por ai i Italisë për tre ditë në shtatorin e 43 përfundoi në litar kokëposhtë.
Edhe në vjeshtën e 47 kur po i shiteshin Titos, Stalini e qëroi Titon, dhe shokët budallenj shqiptarë i njoftoi me dy gisht kartë. I ikën Titos, qëruan njeri-tjetrin, jo unë po ti tradhëtar, të vras më vret, hëngrën kokat e tyre dhe iu shitën Stalinit.
Kujtuan se ishin të përjetshëm. Por Shqipëria nuk i përcakton fatet e botës. Shqiptari përcakton vetëm fatin e tij individual në do të jetë delirant, mashtrues, kolaboracionist, tradhëtar, gjoja nacionalist izolues, apo kolaboracionist patriot sikurse e ka në gen e Djathta shqiptare, apo patriot kolaboracionist sikurse e ka në gen e Majta shqiptare.
Ku e dinin ata se atje në Kinë shoku Mao nisi pazaret me shokun Nikson dhe politikanët shqiptarë këtu në kotecin e tyre, që i këndonin hymne Maos do të ngeleshin pa brekë dhe me Metalurgjikun si incineratorët e tanishëm.
Vazhdojmë plot me fakte të tilla që rinisë nuk ia mësojnë në shkollë sepse e mbajnë injorante që të hiqen se janë sheikë në vetura Yaris, por me goma të çpuara.
Imagjinoni sikur një “non-grata” të vijë në ish-Partinë Demokratike të drejtuar nga kryetari Lulzim Basha, apo në Partinë Socialiste, apo ku e di unë te partia e Kujtimit, apo e dikujt tjetër. Imagjinoni se çfarë bëhet?
Dy gisht kartë vetëm duhet. Ja pra si ndodhemi para të përkohshmes, ulur kokën te këmbët, sado dukemi të përjetshëm, të mëdhenj, gjigandë, dukemi sikur fati na ka pajisur me viganë të historisë botërore. Propaganda e tyre na ka bërë aq të vegjël saqë ata, fati i të cilëve varet nga dy gisht kartë, na duken si male.
©Artan Fuga



















