Eskatologji politike - Nga Dashnor Kokonozi
Meqë palët në konflikt e nxorrën nga goja edhe fjalën e fundit kundër njëra-tjetrës, tani nuk është e vështirë të arrish në ndonjë përfundim paraprak.
Më kryesori: përçarja e PD-së është konsumuar deri në fund dhe nuk del të jetë kufizuar në nivel të drejtuesve të saj, siç deshëm të shpresojmë: as nuk është fjala për shkëputjen e një pjese nga tërësia, ajo është një çarje e thellë, vertikale, që prek edhe vetë bazën.
Një fatkeqesi e vërtetë për vendin dhe demokracinë.
Çarja është e pariparueshme dhe potencialisht gjeneruese konfliktesh edhe në të ardhmen.
Asgjë nuk do të ndryshojë edhe ndonje grup i vogël oportunistësh që do të ndërrojë kampin.
Në këto kushte, nëse në pesë vitet e ardhshëme nuk del ndonjë personalitet i fortë dhe karizmatik që të themelojë një formacion me konture të qarta, ku të mbledhë rreth vetes edhe copërat e thyera të PD-së, ka fort të ngjarë që e Majta të jetë nisur të rrijë në pushtet edhe për 40 vjet të tjerë.
Duke vënë në balancë vlerat e pavlerat e të Majtës dhe të Djathtës, që sot askush nuk mund t’i fshehë më, kjo mbase nuk duhet parë domosdoshmërish si shumë tragjike.
Votuam të Djathtën, prona nuk shkoi te i zoti. Në nivel mendësie i gjithë vendi duket se sapo ka dale nga format e edukimit politik, dinjiteti i të nëpërkëmburve nuk u rivendos. Secila palë krijoi klanin e oligarkëve të saj. Një të burgosur pati e Majta dhe me t'u liruar, u organizua rigjykimi dhe e "zbardhi". Për mijëra të tjerë të vrarë e burgosur padrejtësisht, e Djathta nuk bëri asgjë. U kufizua t'u japë pak para, mbase. Dhe me këtë krijoi përshtypjen e rreme se disa kënaqen me paratë, të tjerët me rivendosjen e nderit, por pa i refuzuar edhe paratë.
Në nivel historik, kjo që ndodhi duhet interpretuar si një provë më shumë se ajo ç'ka kemi dashur të besojmë se ishte një aksident, një përjashtim, ajo del të jetë rregulli.
©Dashnor Kokonozi


















