Vuçiçi sinjalin djathtas, rrugëtimin majtas - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut
Kosova e izoluar në presion dhe taktizim joparimor nga Europa e Bashkuar, nuk ka bërë shumë edhe vetë në mbrojtjen e sovranitetit shtetëror.
Përkundrazi, konformizmi politiko-diplomatik jo pak ka agravuar edhe në keqkuptim dhe abuzim, duke e getoizuar Kosovën skajshmërisht pa të drejtë.
Dje kur Albin Kurti në interes të shtetësisë së Kosovës Borellit i vëndosi vijen e kuqe për asociacionin, kur zbatoi reciprocitetin për targat e automjeteve, sot kur përdori legjitimitetin shtetëror për të kundërshtua zgjedhjet serbe në Kosovë, Evropa rishtas u animua nga diskursi gebelsian i Vuçiçit, por nuk mungoi as skepticizmi i politikës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Europa me elokuencën e vet joparimore ndaj Kosovës për kompromise në favor të Serbisë, praktikisht ka reflektuar standard të dyfishtë (akoma nuk e ka njohur si Union Kosovën), duke ledhatuar dhe kënaqur boshtin Moskë-Beograd. Përqasja mikluese e Evropës si ndaj Serbisë ashtu edhe ndaj Rusisë, mjerisht e ka dëmtuar Kosovën, bile edhe vetë Evropën. Lufta në Ukrainë është prova më e mirë. Edhe vendimi i fundit i saj që të mos pranohet në BE asnjë vend që nuk shqipton sanksione ekonomikë ndaj Rusisë (i dedikohet edhe Serbisë), domosdo është dashur të përfshijë edhe pezullimin e negociatave për aderim, ashtu sikur edhe iu shqiptua Turqisë më herët. Për më shumë, sot Serbia me krenari vazhdon rrugëtimin sipas barcoletës domethënëse: Sinjalin djathtas, rrugëtimin majtas.
Por gjithsesi, kësaj katrahure të Kosovës nga propagimi gebelsian serb pak a shumë i ka kontribuar edhe moskonsistenca e politikës shqiptare dikur në Kosovë, përfshi edhe ate të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që edhe sot nëpërmjet proçesit “Ballkani i Hapur” vazhdon avazin e historisë së hidhur: Neve me paqdashje, ajo me armatim gjer në dhëmbë.
Sërbia gjithmonë ka qenë e trimëruar nga dyzimet e këtilla të Europës, por edhe të vetë shqiptarëve. Politika serbe me zhdërvjellësi idioteske i ka shfrytëzuar dyzimet dhe përkdheljet e këtilla sipas konceptit mitik mesjetar: Kosova është djepi i sërbizmit dhe tokë e shenjtë serbe. Ky indoktrinim serb pos që ka shtrirje të gjërë në politiken e Serbisë, shtyllmbështetje ka patur Putinin, i cili sot sipas zhvillimeve në terren të luftës në Ukrainë, së shpejti duhet të mendojë se si më së lehti të dalë nga moçali ushtarak, politik e moral që futi veten dhe Rusinë.
Mu për këtë, kontaminimi i sovranitetit gjithështetëror të Kosovës duhet të marë fund. Serbia pa Rusinë është sikur peshku në të thatë. Kosova është shteti i cili në Ballkan e më gjërë, më suksesshëm dhe më me qetësi dhe korektësi qytetare ka realizuar ndërrimin e qeverive në vend, ka zbatuar standardet më të avancuara në praktikimin e zgjedhjeve, qofshin ato politike apo vendore. Të qenurit model në këtë, por edhe në rrafshin e praktikimit të barazisë së komuniteteve jo shumicë, është padrejtësi elementare që Kosova të jetë dëmi kolateral për Sërbinë e Vuçiçit, autoritare në praktikimin e qeverisjes, gjeostrategjikisht e drejtuar kah Rusia, sfiduese e paqes dhe sigurisë në Ballkan e më gjërë. Vallë duke qënë në këtë holokaust politik dhe strategjik, sfiduar nga okupimi i Ukraines të presim ukrainizimin e Ballkanit dhe pastaj të kujtohemi se Kosova është jashtë të gjithë proçeseve integruese dhe lëvizjes së lirë?
Europa, referuar përcaktimit të Vuçiçit për rrugën drejt Moskës, e ka humbur edhe alibinë e fundit për të mikluar Serbinë. Këtë në asnjë formë, më së pakti për disa tonë grurë apo miell, qoftë edhe për disa minuta pritje në kufi, nuk duhet ta bëjë as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut. Serbia dhe Vuçiçi përfundimisht duhet të ballafaqohen me realitetin, me faktin se Putini dhe sistemi i tij ushtarak, politik dhe moral është para tundjeve shkatërruese, por gjithmonë Ballkanin edhe rastësia e ka futur në tragjedi.
©Xhevdet Nasufi





















