Blog

Abazoviçi më katolik se Papa?! - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut

Së pari, është standard që politikanët e rryer nuk bëjnë rrokullisje të mëdha politike brenda një harku të shkurtër kohor sa që të kundërshtojnë edhe vetveten.

Së dyti, politikanët shqiptarë në pushtet edhe në pluralizëm politik e kanë bërë standard përpjekjen e tyre, nga frika apo interesi, që të pëlqehen nga të tjerët (në Maqedoni nga maqedonasit, në Malin e Zi nga malazezët, kurse bashkarisht me pushtetarët në Tiranë të admirohen nga ndërkombëtarët). Në këtë katrahurë të vetëkatandisjes nëpërkëmbin interesin e shqiptarëve. Këtë si rrufe lehtë dhe shpejt e dëshmoi edhe Dritan Abazoviçi, Kryeministri i posazgjedhur i Malit të Zi.

Fillimisht ai kundërshtoi idenë për bashkëqeverisje me Gjukanoviçin. Votat e tij vendosëse shkuan me bllokun politik proserb të Krivokapiçit. Ishte ky absurdi i parë par excellence. Pas kësaj aventure, Abazoviçi shpejt e zhbëri qeverinë me Krivokapiçin dhe u riafrua me Gjukanoviçin, të cilin të jemi të sinqertë e kritikoi më shumë se çdokush tjetër në Mal të Zi.

Kjo rrëmujë politike në Malin e Zi pas shumë sfidave dhe rreziqeve përfundoi këndshëm: në postin e Kryeministrit të Malit të Zi u inagurua për të parën herë shqiptari jo edhe aq i njohur, Dritan Abazoviç. Duhet të themi, ishte kjo meritë e Gjukanoviç, së pari si Kryetar i Shtetit të Malit të Zi, së dyti si Kryetar i Partisë me më shumë vota në Parlament. Që të jemi koherentë në vlerësim, kundërshtia e padiskutueshme mes promalazezëve dhe proserbëve në politiken e Malit të Zi, mbivaloi që sot në Ballkan të kemi tre kryeministra shqiptarë, por jo edhe benefite që të mburremi.

Pra, nuk ishte arsye nevoja për të zgjidhur problemet e shqiptarëve në Mal të Zi që Abazoviçi të zgjidhet Kryeministër, por konfliktet e brendshme politike në bllokun malazez, pra rastësia. Pavarësisht paragjykimeve etnike, zgjedhja e Abazoviçit  si Kryeministër  shqiptar është hap domethënës i Malit të Zi drejt demokratizimit dhe evropianizimit, nëse këtë e  krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, ku ambienti është tejet animoz dhe  satanik për t’i besuar funksionin e Kryeministrit një shqiptari.

Por krahas kësaj rastësie pozitive, si u shpall po në përmasa të njëjta jugosllavizmi ortodoks pasi Abazoviçi u zgjodh Kryeministër i Malit të Zi?

Së pari, sa u ul në kolltukun e Kryeministrit, Abazoviçi prerë dhe shkurt deklaroi se çështja e kufirit mes dy shteteve (Kosovës dhe Malit të Zi) është e mbyllur, gjë të cilën nuk e bëri asnjë politikan malazez gjer tani. Presidenti malazez bile e ka konfirmuar heret si të mundshëm rishqyrtimin e demarkacionit.

Së dyti, për kaq kohë politikanët malazezë, përfshi edhe proserbin Krivokapiç, nuk e kanë mbështetur idenë për “Ballkanin e Hapur”, për dallim nga Abazoviçi. Diskursi i tij ezopik për “Ballkanit e Hapur” ishte jugosllavizëm i pastër shqiptar, por i njëjtë sikur komunistët e Titos. Ishte ky devijim i mëtejshëm i presionit të nevojshëm gjithëshqiptar ndaj Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Pra, edhe më tej u veprua në kahjen e dobësimit të unitetit aq të nevojshëm shqiptar në përballje me Serbinë.

Faktikisht, ky devijim i instaluar tani edhe në Mal të Zi, qartësisht Kosovën e dobëson në dialog me Serbinë, dhe kjo do të vazhdojë të jetë njëlloj, gjersa Edi Rama, Ali Ahmeti dhe Dritan Abazoviçi ulen me Vuçiçin për miqësi në tavolinë, kurse Albin Kurti për të zgjidhur armiqësinë e hapur të Serbisë me Kosovën.

Janë edhe dy momente madhorë pse nuk duhej Abazoviçi të rreshtohej në përkrahje të “Ballkanit të Hapur”. E para, lufta në Ukrainë Serbinë e radhiti në krah me Rusinë e satanizuar ndërkombëtarisht. E dyta, Abazoviçi për përkrahje të “Ballkanit të Hapur” nuk e ka miratimin e partnerëve në qeverisje.

Dhe për tërë këtë holokaust politik të Abazoviçit, vallë nuk është provë më e mirë deklarimi i paekuivok i Gjukanoviçit në Prishtinë në takim me Vjosa Osmanin duke e adresuar qartë imanencën politike? Vallë Abazoviçi aspiron të tejkalojë Papën për katolicizëm?

©Xhevdet Nasufi

*Autori ka qenë ministër i Drejtësisë dhe Pushtetit lokal (PDSH) i Maqedonisë së Veriut si dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.