Blog

PKSH, PPSH dhe PSSH nuk kanë qënë kurrë të shkëputura - Nga Afons Zeneli

Shoku Enver, përpos kujtimit të tij të pavdekshëm ka lënë dhe veprat e shkruara, të cilat kanë pas qënë ushqim dhe busull për mbarë proletariatin botëror. Nëse, nostalgjikët do t'i kishin lexuar pa qënë të divorcuar me realitetin dhe logjikën e tyre, do ta kishin kuptuar qartë se çfarë ishte ai, çfarë ishte PKSH, PPSH dhe tashmë nuk do ishin nostalgjikë të diktaturës më çnjerëzore dhe absurde të planetit. Pra do të mjaftonte thjesht leximi i veprave të paharruara.

Aty spikatin qartë: varësia e PK nga “shokët jugosllavë”, roli i tyre vendimtar në themelimin e saj, shkalla e lartë e manipulimit prej tyre, urrejtja pato-ideologjike për Kosovën, paranoja ekstreme si sëmundje bazë e të gjithë diktatorëve, sadizmi shtazarak, kompleksi ndaj babait dhe armiqësia biologjike ndaj familjeve të mëdha e intelektualëve....si dhe etnofobia. Këto simptoma janë shfaqur haptazi në publik përgjatë gjithë jetës dhe veprës së tij të lavdishme.

Vetë shoku Shpati ishte pacienti Zero. Koefiçenti i lartë i infektueshmerisë së tij, dhuna e egër fizike e psikologjike e kombinuar me propagandë bënë që karakteri e temperamenti i diktatorit të zinin gjithë “neuronet” e pasuesve për të konturuar kështu makinerinë më gjakatare të historisë: PPSH-në.

Diktatorët nuk mund kurrë të mbijetojnë me një kontekst demokratik rreth e rrotull, në një ambient me shtete e qeveri demokratike, në aleancë me demokraci reale. Prandaj dhe u vetëizolua nga Perëndimi. Kësisoj edhe nuk ishte i detyruar të zbatonte standardet e tyre edhe nga ana tjetër justifikonte krizën persistente dhe mjerimin masiv me “rrethimin e egër imperialist-revizionist”.

E keqja dhe tragjedia e shqiptarëve nuk qëndronte tek prezenca e një diktatori satanik unikal por tek fakti që gjeti një turmë të gatshme për t'u besuar marrëzive.

PKSH, PPSH dhe PSSH nuk kanë qënë kurrë të shkëputura. Kanë qënë unazat e së njëjtës shtyllë vertebrore në kurrizin e tragjedisë së shqiptarëve, përveç viteve të fundit, kur falë “Rilindjes” E Majta shqiptare pësoi një mutacion prej të cilit sot kemi para syve një formë të paparë jete politike, një kombinacion fatal diabolik që po i hedh Shqipërisë lopatën e fundit të dheut.

Aksioni “me mish e me shpirt” për ta kthyer Shqipërinë në vitin 1945 kur “populli inë punonte me mish e me shpirt” për t'u bërë pjesë e Jugosllavisë motër, është akti final që përmbush qëllimet e sinkronizuar të dy basketbollistëve serbo-shqiptarë.

E Majta shqiptare sapo është duke i dhënë dorën e fundit misionit të shenjtë të saj të filluar nga udhëheqësi i shtrenjtë e i paharruar e të sosur me sukses nga i paharruari tjetër në Kryeministri.

Tashmë Shqipëria është në grahmat e fundit dhe e vetmja gjë e bardhë që duket në horizont nuk është as dritë, as velë, por është tabuti i bërë gati nga ballkanhapurit. Kufomës, thjesht po i drejtohet koka kah "Meka" e së Majtës: Beograd-Moskë.

©Alfons Zeneli