Blog

A mund të lexojmë përtej vetos bullgare? - Nga Përparim Kabo

Edhe kur kryesinë e Bashkimit Europian e kishte Portugalia, u bë një përpjekje që Bullgaria të bindej që të mos e bllokonte hapjen e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por pala bullgare nuk u bind. Maqedonia vuajti për shumë vjet edhe me anëtarësimin në NATO; Greqia nuk e pranonte me atë emër, sepse një pjesë e saj njihet si krahina e Maqedonisë. Iku koha, e jo pak. Vonesa të tilla janë kohë historike.

Zgjerimi i NATO- s me Maqedoninë, tashmë Republika e Maqedonisë së Veriut dhe me Malin e Zi, ka qenë investim gjeostrategjik tejet i domosdoshëm. Pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së ish-Jugosllavise, loja e tregut dhe në treg, nuk ishte thjesht ekonomike, biznesi apo lojë bankare dhe monetare; ajo ishte kryesisht lojë për zona influence. Iu turrën Ballkanit, Turqia, Rusia, Kina. Influencat u tejçuan dhe kapën tregjet, mediat, shërbimet publike, pasuritë nën dhe mbitokësore, politikëbërjen…

U investua për blerjen e individëve dhe grupimeve politike. Kur Bullgaria hyri në BE, ndodhi një ngjarje. Eshtë fjala për rinovimin e një stacioni bërthamor në Bullgari. Ishte menduar se ky do qe një investim i BE-së, si në planin monetar, edhe në teknologji. Në fakt, Bullgaria tashmë në BE sfidoi dhe rinovimi u bë nga Rusia. Pati asokohe një reagim politik dhe mediatik, por ajo që i vuri kapakun, ishte deklarata e Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Lavrov, i cili tha: “Po çfarë menduat ju; Bullgaria është veçse kali i Trojës së Rusisë në Bashkimin Europian!”

Të kthehemi te vetua bllokuese bullgare: Cilët shtete interesohen për këtë bllokim? Vetëm Bullgaria?

Mendoj se jo; është Rusia, por besoj edhe disa qarqe politike në Greqi. A duhet të ekzistojë shteti maqedon? Nuk është çmënduri kjo pyetje, por, të kërkosh që një popull të pranojë se gjuha amtare nuk është e tij, por e një populli tjetër, duhet që konkretisht të përballesh me dy alternativa. Maqedonas që flasin bullgarisht dhe jetojnë në shtetin e tyre, që njihet si Republika e Maqedonisë së Veriut, ky do të ishte përçudnimi më i madh! Mendoni cilindo vend, qoftë edhe Bullgarinë, që të pranojë, fjala vjen, që gjuha e saj nuk i takon popullit bullgar, por një populli tjetër.

Gjuha nuk është vetëm element komunikimi filologjik, gjuha është element i identitetit kombëtar. Pra, nëse pranohet kjo që kërkon vetoja bullgare, shtrohet alternativa e dytë. Po në një shtet ku ka shqiptarë, bullgarë, turq, grekë e cigane, çfarë kuptimi ka që të ekzistojë ky shtet me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut?! Pra, i hapet rrugë idesë së shpërbërjes së këtij vendi. Dhe nuk janë të paktë zërat, të hapur dhe nën, që thonë se Maqedonia nuk ka ekzistuar, e krijoi Tito. E njëjta gjë që thuhet edhe për Ukrainën, me ndonjë ndryshim të vogël.

Kërkesa për ndryshim hartash gjeografike dhe gjeopolitike, nuk marrin parasysh atë që është vendosur që me krijimin e OSBE- së, që kufijtë e pas Luftës së Dytë Botërore, nuk lejohen të ndryshojnë. Por, pas rënies së Murit të Berlinit dhe Komunizmit si sistem, u shthur Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik, kufijtë ndryshuan dhe lindën shtete të pavarura. Proçesi, me sa duket, nuk po ndalet. Veç e veç, por edhe në grup, përflitet për rregullim kufijsh, shkëmbim territoresh dhe rikthim te hartat e dikurshme.

Kërkohet rregullimi i gabimeve të vonshme, rasti i Krimesë me Ukrainën, por shkohet edhe më thellë; gabimet që janë bërë ndaj shqiptarëve dhe copëtimi pas Konferencës së Ambasadorëve, me 1913- ën, dhe pas Luftës së Parë Botërore, me 1919- en. Rasti i Bullgarisë shtron një pyetje që është më shumë se e tillë; është një çështje.

A ka influenca Rusia atje, në Bullgari? Klasa politike, pavarësisht nga ngjyrimet partiake, është e tëra properëndimoreuropianiste dhe euroatlantike apo atje ka një luftë të brendshme, që infuenca ruse të bëjë orientimin dhe vendimmarrjen? Rëniet e qeverive njëra pas tjetrës, flasin për pastabilitet politik, por lidhur me orientimin gjeostrategjik të këtij vendi. Gjetja e një argumenti “patriotik”, është “kali më i mirë i betejës”.

Një aspekt tjetër që duhet konsideruar është se çfarë shpreh BE pas Brexit. Një bashkim politik, politiko-ekonomik, një bashkim vlerash demokratike apo një bashkim me interesa tregu?

Pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE- ja, violina e parë në çështjet politike, tashmë pa kundër-ekuilibra, doli Franca, e cila drejtohet nga një person si Macron, me hije të shkurtër, nëse e krahasojmë me president si Miterani, d’Esten apo Shiraku…

Kjo Francë nuk zgjidh dot asgjë, rasti i konfliktit Turqi- Greqi apo ai i Ukrainës janë të qartë. Vulën ia vuri vetoja refuzuese bullgare. Gjermania ka hallin e tregut të gazit dhe të naftës, si dhe riarmatosjen, pas kaq dekadash, në kushtet e një Europe të sulmuar dhe të kërcënuar me luftë. Shumë vende brenda BE- së bëjnë politika të brendshme, por edhe të jashtme, thjesht në interes të tyre; rastet e Hungarisë, Çekisë, Polonisë etj.

Po Bullgaria e Madhe a është një lojë që zë fill që me kohën e Simeonit te lavdishëm, por edhe me atë Bullgari që doli nga lufta Ruso-Turke dhe që u zhbë nga Kongresi i Berlinit më 1878? Ajo Bullgari e Madhe vinte me territore deri në brendësi të Shqipërisë. Ka disa vite që Bullgaria flet për pakicë kombëtare bullgare në Shqipëri. Ligji i fundit për pakicat në Republikën e Shqipërisë, në mospërputhje me Konventën Kuadër të Pakicave, dokument ky i Këshillit të Europës, sajoi pakicë kombëtare bullgare edhe në Shqipëri.

Tani kemi raste që jo vetëm maqedonas në censusin e fundit, si e kishte parashikuar mendja e bukur e Arbër Xhaferit, u shpallën bullgarë, dhe janë regjistruar si të tillë; merrnin pasaporta bullgare dhe emigronin në BE, kryesisht në Angli. Por po kështu, kemi shqiptarë të moshave të reja, që janë bërë bullgarë me dokumenta dhe kanë emigruar në BE ose në Angli. Pra, babi dhe mami jane shqiptarë, vajza dhe djali janë bullgarë. Dhe jo pak, por me qindra e mijëra, sepse, po kështu, po bëhen rumunë apo grekë. Përballë këtij realiteti, hapja apo mos-hapja e BE- së, hapja apo mos-hapja e Ballkanit, janë ana e jashtme, e dukshme. Çfarë po ndodh realisht?

BE është në krizë dhe çarjet janë thelluar, zona euro e ka përligjur këtë gjendje. Po kështu, vënde në BE, që vijnë nga Ballkani, mendojnë ende si vënde ballkanase, madje me mendësinë e një shekulli më parë. Ky realitet në rrëshqitje dhe kjo situatë e pasigurt, do analiza të thella, duke nisur nga 100 vite të shkuara dhe duke menduar për 100 vitet që vijnë.

©Përparim Kabo