Blog

Një qiri për Vilsonin dhe Gencin - Nga Alfons Zeneli

 Alfons Zeneli

Kur pata shkruar dhe herë tjetër për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, paralel më zuri syri të botuar në një portal, një poezi për buzëqeshjen e Enver Hoxhës. Njeriu e ka vetë në dorë të zgjedhë altarin para të cilit duhet të përulet. Ose para buzëqeshjes së diktatorit ose para klithmës së poetëve të vrarë prej tij.

Kaluan 45 vjet nga dita e ekzekutimit të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Nëse regjimi komunist i Enver Hoxhës nuk do e kishte kaluar nivelin diabolik të krimit e terrorit, Vilsoni dhe Genci sot do të ishin dy poetë pleq të bardhë. E sigurt është që do kishin shkruar plot libra, sepse kur i pushkatuan ishin të rinj, njëri 29 e tjetri 36. Sa e sa poezi të tyre do ndrinin shpirtrat e lexuesve. Se poezitë ndaj shkruhen. Të ndrijnë si diej, si llampadarë, si hënë, si yje në qiejt dhe udhët e mugëta të shpirtrave dhe kohës.

Por komunizmi është aleat i errësirës dhe i vret korifejtë e dritës. Në periudhat më të errëta të vetat njerëzimi ka prodhuar qeveri, besime, politika, kriminelë e inkuizicion që kanë vrarë shtriga, magjistarë, kimistë, astrologë, shkencëtarë, por jo poetë. Njerëzimit do ti shkonte çdo gjë, çdo krim do të dukej normal por jo vrasja e poetëve. Imagjinoni për një çast ta vrasësh Gencin bash në çastin kur është duke shkruar poezinë e mëposhtme :

"Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët

zemrat s'do ndjejnë qetesi gjëkund.

Lirika plot do lenë pas poetët

për mallin, helmin, gazin pa fund"

Kur u vranë poetët dhe ne heshtëm, në të vërtetë varrosëm shtatë pash nën dhe ndërgjegjen tonë sociale, humane. Kur sot kriminelët nuk shfaqin pendesë, kur shoqëria i pranon ne rivarrosim ndërgjegjen sërish.

Mjerë vdekja që i preku poetët, mjerë! Mjerë apostujt e saj!

©Alfons Zeneli