Blog

Kryeministri që s’e patëm asnjëherë - Nga Vangjush Saro

Ja “shkrimi” i fundit i tij: Më tha Iliri, i thashë Ilirit, kjo kështu, ajo ashtu, unë jo, unë po… Ky është publicisti Edi Rama, të cilin dikur e kam vlerësuar (dhe shkrimet e asaj kohe sërish ia vlerësoj), por që pushteti e ka tjetërsuar. Ky është kryeministri që s’duhej të ishte aso. Po përpiqem të shpjegoj më poshtë si mund të ishte kryeministri që s’e patëm asnjëherë këto tri dekada, pra e kam me të gjithë, jo vetëm me Ramën; ai qe vetëm shtysa për këto radhë…

Kur gjërat shkojnë keq, kur palët nuk bien në një mendje për asgjë, kur krizat pasojnë njëra tjetrën e po ashtu skandalet, atëherë vetiu e hedh shikimin te njerëzit me pushtet, që pothuaj asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi për çfarë ndodh; ose justifikohen duke i derdhur energjitë e tyre në luftën absurde me kundërshtarët dhe mediat. Mes të tjerave, kjo ndodh, sepse këta drejtues zgjidhen - apo zgjedhin veten - me mendjen se të drejtosh është e lehtë, sidomos kur ke prirjen të kesh (me doemos) emër dhe pasuri.

Ani. Si mund të ishte kryeministri që s’e patëm asnjëherë, kryeministri i një vendi që gjithnjë është qeverisur dhe njëherësh ka vuajtur nga “të fortët”, nga autoritaristët, nga drejtues që bëjnë si u thotë koka apo klani… Ne s’jemi ëndërrimtarë dhe as që mund të presim prej tij (prej atyre në përgjithësi) që të ishin sa më të devotshëm dhe kur të dorëzonin mandatin, të shkonin në punën e re me biçikletë, (siç ishte parë një i tillë në Suedi a Danimarkë, nuk më kujtohet ku). Po. Disa ditë pasi kishte dorëzuar detyrën e kryeministrit, ishte parë të shkonte në punën e re me biçikletë.

Ej, jemi botë tjetër ne, truall tjetër; pra, le të kthehemi në truallin tonë. Kryeministri që na ka munguar mund të ishte nga çdo krah dhe duhej të ngrihej mbi çdo lloj prejardhjeje e origjine: komuniste, socialiste, balliste, zogiste… Por ai duhej të vinte në postin e nderuar në emër të vendit e jo të grupimeve a klaneve që ceka më lart. Më tej, nëse dikur do të mbronte tezën “Kthim në identitet” - për kryeqytetin e kam fjalën, domethënë e kishte ai fjalën - tezë me të cilën fitonte pikë në karrierë e sipër, ai nuk do të lejonte kurrësesi më pas që Tirana të mbushej me kulla (flitet se pastrohen para) duke e pështyrë veten. Fundja kullat nuk janë gjithçka; edhe në Sri Lanka ka aso.

Kryeministri që na ka munguar do të përzgjidhte në kabinetin e tij burra dhe gra me dinjitet, të pavarur dhe të pandikuar nga frika e largimit nga posti, njerëz që nuk firmosin me sy mbyllur çfarë t’u hedhësh përpara. Mirëpo këto qasje janë të vështira për ne që duam të na rrinë vartësit gatitu orë e çast.

Po ashtu, kryeministri që do të na duhej, nuk kishte pse kapej me mediat vend e pa vend, nuk kishte pse t’i cilësonte ato “kazan” e katran; sidomos për ato që nuk do të bënin “Amen!” pas çdo fjalimi apo shakaje të tij. E shumta, ndonjëherë mund t’u kujtonte atyre kërkesat për profesionalizëm dhe mund t’u thoshte që… e di, një figurë publike është gjithnjë në fokusin tuaj, por përpiquni të mos e teproni… Jo jo, ai grindet me to si të ishtë ndonjë kalama.

Mirë ishte gjithaq nëse kryeministri që na ka munguar nuk do të fiksohej pas kundërshtarëve të tij, nuk do t’i sulmonte tinëzisht ata, duke u përpjekur të gjejë gjilpërën në kashtë apo më thjesht duke sajuar kundër tyre prita e gjyqe e duke kënduar e shkruar si qyqe…

E zëmë se po e mbyllim këtu. (Nuk përmendëm gjëra të tilla si kanabisi, inceneratorët, etj., dhe, po ashtu, duhet të jetë e qartë se i kemi në rresht të gjithë kryeministrat, s’u njohim ndonjë vlerë të madhe, përkundrazi, po themi që e kanë bezdisur shumë atë popull dhe ata qytetarë. Ky është realiteti.) Sidoqoftë, ai që na ka munguar s’duhej të ishte një mendjemadh e fodull që bën demagogji dhe kapet me kë të mundet, por një nëpunës a burokrat i ligjit dhe i normalitetit, një zyrtar serioz, me shkollim bindës, fjalëpak e punëshumë, asnjëherë hakmarrës, gjithnjë tolerant, një balancues i bindjeve, opinioneve dhe qëndrimeve të palëve, partner por jo servil me të huajt, një shqiptar me mendësi evropiane…

Kushedi, mund të kemi ndonjëherë një të tillë, s’është çudi!

©Vangjush Saro