Blog

Turp, por rehat - Nga Artan Gjyzel Hasani

Mbase e keni vënë re edhe ju, të djathtët nuk e fshehin kurrë përkatësinë e tyre. Ta thonë copë në fytyrë kur i pyet, “po, jam i djathtë”, edhe kur nuk bëjnë pjesë zyrtarisht në një organizëm të djathtë politik.

Nuk ndodh e njëjta gjë me të majtët. Jo me të gjithë natyrisht. Shumica e tyre i bishtnojnë përgjigjes së drejtpërdrejtë. “Nuk jam i majtë, por…, jo se jam i majtë, por…”

Kanë një kompleks të tmerrshëm kur u thua direkt “ti je i majtë”. Skuqen, përpëliten, humbasin qetësinë dhe toruan, djersijnë ose u thahet goja, justifikohen, sajojnë lloj-lloj hedhje dege më degë, vetëm e vetëm për t’iu shmangur përgjigjes së drejtpërdrejtë.

Kanë një kompleks faji që u buron nga dy gjëra. Së pari, trashëgimia e gjatë kriminale dhe faqezezë e të Majtës në gjysmën e planetit, përgjatë 70 viteve të diktaturave të proletariatit dhe agjendat e sotme anti-atdhe, anti-familje dhe anti-fe të të Majtës globaliste. Së dyti nga fakti që edhe ata brenda vetes e dinë që janë mbështetës të një ideologjie kriminale në rastin më të keq, dhe mashtruese në rastin më të mirë.

Ta bënte një i djathtë këtë gjë edhe mund të justifikohet, duke menduar që për gjysëm shekulli u vra dhe u përndoq edhe pas vrasjes, por ç’ne të majtët, që nuk u hyri gjemb në këmbë asnjëherë?

Pra nuk është çështje frike. E thënë ndryshe, kanë turp që janë të majtë, por janë peng i shumë gjërave të padenja dhe ndihen mirë në këtë “ilegalitet” qesharak. Ndihen në ujërat e tyre me këtë të vërtetë të mbuluar me terminologji dalëboje dhe sofizma dylekëshe.

“Turp, por rehat”, thoshte për të tilla situata gjyshja ime.

©Artan Gjyzel Hasani