(Më) Të mirët e gjejnë njëri-tjetrin - Nga Dom Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta
Ndërsa po lexoja "Procesin" e Kafkës, të përkthyer nga Gjergj Vlashi, nuk e di pse dhe si, por u gjenda rrugëve të Durrësit të Vjetër, aty ku kalova tri vite, jo vetëm si durrsak, por edhe si famullitar. Ky transportim imagjinar pati si shkak vetë Gjergjin dhe bisedat me të. E gjeta edhe një herë këtë mik të vyer në rreshtat e përkthyer të Kafkës, ashtu sikurse bisedonim shtruar në qelën e shën Luçisë në Durrës.
Kafka për Umberto Eco-n është njëri nga "trinia e shenjtë" e rrëfimtarëve modernë bashkë me Joyce dhe Borges. Dhe ka plotësisht të drejtë kur e thotë këtë. Por këtu rasti më kërkon të kuptoj atë zhvendosje timen në rrugët e qytetit bregdetar në takim me Gjergjin e Kafkës ndërsa lexoja "Procesin". Gjergji me përkthimet e tij u bë një "shërbëtor" i kësaj "trinie" pikërisht me Kafkën.
Jo gjithmonë, madje rrallëherë kam hasur në përkthyes që janë edhe shkrimtarë. Gjergji nga Durrësi i bënte të dyja, pavarësisht se Tirana ka pasur (dhe fatkeqësisht ka ende) njëlloj "arrogance" primati (zyrtar) ndaj kulturës, artit dhe letërsisë. Nuk ndodh p.sh. që Roma të ketë ndonjë gjë më shumë në këtë drejtim në krahasim me Milanon, Firencen apo Bolonjën.
Gjergji e jetoi jetën e tij në Durrës, të gjithën. Durrsakët (pa dashur të shkas në veçantizma idiotë) kanë ruajtur një lloj xhelozie për qytetin e tyre, sepse Durrësi është vërtetë qytet. Nuk jam aspak patetik për këtë që po pohoj. Ndoshta (madje me siguri) durrsakët kanë flijuar ego-n e tyre për të qenë pjesë e mediumeve (dhe podiumeve) të ndryshme të kryeqytetit, vetëm e vetëm që të ruajnë të paprekur të qënit pjesë e qytetit antik. Kështu ishte Gjergji, kështu Prokop Gjergo e të tjerë. Nga Durrësi Gjergji u mor me Kafkën dhe jo vetëm. E pse jo?
Në këtë transportim imagjinar ripërsërita edhe një herë bisedën me adashin tim kur më tregonte se ende e fare i ri, shkrimet e tij të para letrare ia kishte treguar Arqipeshkëvit të Durrësit, Mons. Vinçenc Prennushit edhe ai një gjermanofon, shkrimtar e përkthyes.
Të mirët dinë ta gjejnë njëri-tjetrin ashtu siç Kafka gjeti Gjergjin që ta sillte në shqip.
©Dom Gjergj Meta





















