Universitetet tona - Nga Klodi Stralla
Ruaj ende bindjen (qofsha i gabuar) se ne kemi shumë universitete krahasuar me numrin e të rinjve të aftë për t’i frekuentuar ato dhe jam i sigurt se një rankim serioz do t’i mbyllte shumicën prej tyre, por ky nuk është qëllimi i këtij shënimi.
Në të gjithë botën e qytetëruar universitetet nuk janë vetëm në rolin mësimdhënës për studentët e tyre, por janë edhe qendra kërkimore-shkencore për shtetin dhe kompanitë private. Është mendimi shkencor universitar ai që luan rolin e ekspertizës për çdo investim që bën qoftë shteti, qoftë privati.
Tek ne (por edhe në botë) shteti është investitori më i madh i punëve publike. Por ndërsa përzgjedhja e kompanive që do të realizojnë projektet investuese bëhet me garë (sipas ligjit me tender), midis shumë kompanive konkuruese, oponencën e çdo projekti ose supervizionin e çdo punimi (detyrim ligjor për çdo investim), fare mirë duhet ta bëjnë universitetet, sepse presupozohet që ata kanë ekspertizën teknike më të kualifikuar. Njëkohësisht kjo do të jetë edhe një burim i konsiderueshëm të ardhurash për buxhetet e tyre, duke lehtësuar shumë mundësinë për të blerë paisje laboratorike, rritje page për stafin apo për kualifikimin e tyre akademik
Prandaj shtroj pyetjen: Në këtë këndvështrim (standardi) sa projekte qeveritare ose private kanë universitetet tona dhe sa të ardhura realizojnë prej tyre? Nuk dua t’i përgjigjem vetë kësaj pyetje se kam pak të dhëna. Mbase na ndihmojnë ata që punojnë aty ose që e njohin më mirë problemin.
Titujt dhe gradat shkencore të stafit akademik mund të pasqyrojnë realitetin vetëm nëse lidhen me veprimtari konkrete dobiprurëse, me projektime, me oponenca ose me supervizime dhe jo me tema plagjiaturë (kopjime), të marra nga librat e huaj që sot gjenden me shumicë online.
Korça ka prej vitesh një universitet, dikur Institut Bujqësor. Duke patur një fushë pjellore (bashkë me Devollin), shoqëruar edhe me bujq punëtorë e të dijshëm, i ka të gjitha mundësitë të zhvillojë këtë sektor, ku përfshihet edhe kopshtaria, vreshtaria, perimet dhe blegtoria, shoqëruar këto edhe me përpunimin industrial të mishit, qumështit dhe frutave (dikur i ka patur). Korçës tani i kalon fare pranë edhe linja energjitike e gazit (TAP), shumë më ekonomike dhe ekologjike se qymyr-guri i dikurshëm.
A ka ndonjë studim fizibiliteti për zonën nga Universiteti aktual? Përkundrazi dëgjojmë ankesat e fermerëve se prodhimet e tyre jo vetëm nuk shiten por iu kalben në fushë. Fare mirë mund të përpunohen (industrializohen). Të merr malli të përdorësh p.sh. salcë domate vendi. Ja, ekspertiza të tilla mund t’iu ofrojë Universiteti, pushtetit lokal dhe qendror, por edhe kompanive private investitore. Kjo është punë shkencore reale që sjell edhe të ardhura.
Nuk dua të bëj hartime, të gjithë i dinë këto, por mesa duket një rrogë e mirë universitare e garantuar (për të mos thënë më shumë), shoqëruar edhe me tituj dhe grada shkencore (status social), është shumë më e preferuar se puna shkencore e vërtetë, të cilën sigurisht jo kushdo mund ta bëjë. Prandaj shumica e universiteteve tona, në këto tri dekada, kanë qenë “fidanishtja” e përzgjedhjes së politikanëve nga të gjitha partitë politike.
©Klodi Stralla



















