Kush dosjet e kujt - Nga Alfons Zeneli
Para disa viteve u bë publik një listë e servirur nga një portal grek, listë në të cilën dekonspiroheshin persona të njohur të jetës politike e publike shqiptare. Sipas portalit këta persona ishin paguar nga një fond sekret i qeverisë greke me qëllime diversive. Thënë më shqip, këta persona paguheshin për të bërë punën e grekut në Shqipëri. Në këtë listë figuronte dhe emri i reperit Noisy. Me demek Noisy merrte para nga qeveria greke për të bërë punët e saj të zeza në Shqipëri. Imagjinojeni vetë çfarë komedie.
Në listë ishte dhe emri i ish-deputetit çam Dashamir Tahiri, i cili sipas listës ishte paguar me 20 mijë € për të bërë politikën e grekut. Siç dihet Tahiri është një biznesmen i njohur dhe i konsoliduar. Imagjinoni tani z. Tahiri të punojë kundër Shqipërisë për 20 mijë € ndërkohë që aq i kushtojnë vetëm gomat e makinave. Ky paradoks nuk e zhbënte vlerën e listës. Dihet që ka plot politikanë e analistë shqiptarë që kanë punuar për Greqinë e Serbinë me dhe pa pagesë. Por prezenca e disa emrave bllof krijon kaos qëllimisht dhe askush nuk e merr vesh se kush është çiraku i vërtetë i grekëve në Shqipëri.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dosjet e sigurimit të shtetit. Gojët e liga thonë se në kohën kur ministër i Brendshëm i RPSSH ishte sh. Gramoz Ruçi janë zhvendosur, trazuar, djegur e “sistemuar” me qindra e qindra dosje nëpër arkivat e ministrisë e të Sigurimit. Tani jemi 30 vjet më pas dhe një Zot e di se çfarë mund të ketë ngjarë me ato dosje të cilat kanë kaluar dorë më dorë përgjatë ndërrimit të qeverive. Druaj se sot në vend të së vërtetës, nga “kinder”-i do na dalë një krijesë monstër e paidentifikueshme.
Më kujtohet një libër i të ndjerit Nazif Bezhani, i shkruar mbi eksperiencën e tij si kryetar i Komisionit të Verifikimit të Figurave. Nuk di se për çfarë arsyeje, i ndjeri kishte ndërmarrë një agresion të çuditshëm ndaj të vetëve, ndaj ish të persekutuarve. Ende më duket i pabesueshëm rrëfimi i tij mbi “dashamirësinë, mikpritjen, fisnikërinë, bujarinë, zotnillëkun dhe whisky”-n e Skënder Gjinushit. Nga ana tjetër në librin e tij i bënte të spikatnin dukshëm rastet kur ai zbulonte spiunë në radhët e ish të burgosurve politikë.
Për hir të së vërtetës duhet pranuar se një i burgosur mund të bëhet spiun. Por theksi që z. Bezhani iu vinte këtyre rasteve të linte për të kuptuar se të gjithë të burgosurit ishin spiunë përveç vetë atij.
Unë mund të bie dakord se ata u bënë të gjithë bashkëpunëtorë të persekutorëve të tyre por jam shumë kurioz të di se kush i spiunoi para se të futeshin në burg. Apo spiunuan vetveten?
Bilbili i lojës me dosje ka fryrë që herët nga komisari i fushës shoku Gramoz, kur fituan luftën e shpërfytyruan edhe historinë nën efektin e tezës perverse “historinë e shkruajnë fitimtarët”.
E njëjta “histori” po shkruhet ndërkohë edhe për dosjet.
©Alfons Zeneli


















