Blog

Kundër mentalitetit “erdha, pashë, fitova” - Nga Vangjush Saro

Meditim

Ura, qiej, avionë, vajtje-ardhje. Kjo s'duhet parë si ndonjë “heroizëm” apo “ej, erdhëm ne”, pa le ç’kemi për të thënë më pas… Ne nuk jemi atje që, pastaj, kur të kthehemi, të shajmë vendin; as ta lëvdojmë ndoshta.

Ne vijmë për të afërmit, miqtë e kolegët dhe e kalojmë mirë me ta; (ka syresh që nuk e vënë ujin në zjarr, por kush u ankua!)

Ne vijmë për të bërë pak zhurmë në gazeta e TV për krijimtarinë tonë. Ne shohim mundësinë për homazhe te të dashurit që s’i kemi më.

Ne nuk jemi atje për të treguar epërsinë e ndonjë shteti tjetër ku jetojmë, as për të dhënë mend kohë e pa kohë; e dinë vetë ata ç’duhet bërë, le të flasin, le të tundin votën…

Ne kemi zgjedhur të jemi larg; kjo ka avantazhet dhe kostot e veta. Nëse mundemi të konstatojmë ndonjë gjë të mirë (rrugët kombëtare, restorantet dhe baret si rrallëkund, disa shërbime zyrtare të “kopsitura”, etj.) bëjmë gjithashtu mirë t’i përmendim.

Nëse shohim rrugë me zhurmë e pluhur e plehra dhe që bien erë, nëse në kafene bërtasin dhe, kur nuk ke nga kalon as që lëvizin nga vendi, nëse të shurdhojnë TV-të me sherre, politikë dhe shfaqje të shëmtuara gjer të turpshme, nëse një “showman” (ca nga ata janë bërë mbretër) mbledh në studio një tufë me snobë dhe i vë të “zbulojnë” librat më të mirë dhe fillohet me atë përrallën e gjatë me një derrkuc që “shkon në shkollë me vonesë” dhe “showman”-i nuk rri dot pa përmendur librat e tij, ndërkohë që të ftuarit disa janë botues e doemos do ta hedhin pëlqimin te klientët e tyre, të tjerë i thërret fshati e krahina e miqësitë... ej, kjo punë kështu shkon dhe as që duhet të idhnohemi fare, ashtu ka qenë gjithnjë; në çdo rast pra, ne kemi zgjedhur të jemi larg, ndaj lipset t’i shikojmë të gjitha këto nga larg dhe kjo ka të mirën e vet.

Që ta përmbyll po me urat, qiejt, avionët, vajtje-ardhjet: këto, gjithsesi, na kujtojnë se mbetet i hapur komunikimi (por jo si zbrazje paragjykimesh dhe krenarish të sajuara); pra e vlen të qasemi për të parë të përbashkëtat e mundshme.

Ne jemi vizitorë dhe si të tillë duhet të ikim nga çdo lloj egoizmi e luksi fals për të krahasuar, sharë a lëvduar. Mendoj se zgjedhjet (na) diktojnë dhe kufizojnë.

©Vangjush Saro - Vankuver, mesvjeshte 2022