Rilindja kundër dasive fetare predikoi megjithatë Fe dhe Atdhe - Nga Artan Fuga
Eshtë e turpshme që në Albanologjinë shqiptare të ndikuar nga stalinizmi pranohet se ka pasur klerikë patriotë që luftuan për shpalljen e Pavarësisë, por shtohet se feja përkundrazi ishte përçarëse, se shqiptarët e kishin të zbehtë nocionin e Zotit, se nuk kishin fuqi abstraksioni, se nuk besonin thellë në fe.
Këto janë gënjeshtra që erdhën nga politika e ndyrë ateiste që shkallmoi të drejtën e besimit. Në fakt edhe Vaso Pasha e kishte sherrin me ata klerikë dhe institucione fetare që i frynin përçarjes, por nuk tha kurrë mos “shiqoni zota e Perëndira”! Ndërkaq Rilindasit patën meritën e madhe që mobilizuan të gjitha bateritë ideologjike për të frymëzuar kombin dhe qenien e tij identitare.
Edhe nocionin e Zotit, edhe të Hyjnores. Madje një nocion të bukur, si nga bektashinjtë, si nga myslimanët, si nga ortodoksët, ashtu edhe nga katolikët.
Naimi me Zot kuptonte dashurinë për “njerëzinë. Sa bukur! Si Spinoza i madh panteist. Andon Zako Çajupi thoshte se “të krishterë e myslimanë të tërë një Perëndi kanë”, te Baba Tomorri. Pra kërkonte një Zot mbi ndasitë fetare. Sa bukur! Sa bukur! Me vonë te Lahuta e Malcis, At Gjergj Fishta shkruante se Shqipëria e lirë është “premtim i Zotit”, etj.
Ata ndërtuan një koncept monumental mbi Perëndinë që përkonte me idealet e shtetit të pavarur dhe mëvetësisë kombëtare shqiptare. Panteizmi, neoplatonizmi, sinkretizmi fetar, Zoti si dashuri për bashkëpatriotët, për natyrën, rrethuar me Orë, Zana dhe shtojzovalle që punonin për shqiptarët, etj., etj., dëshmojnë katërcipërisht se edhe ndër ne Fe-Atdhe kanë qenë një binom i pandarë.
Mos ngatërroni me manipulimet që armiqtë e shqiptarëve gjithmonë kanë nxitur dasitë fetare ndër shqiptarët, kanë dashur një fe që të zëvendësojë kombëtarinë tonë, si edhe një besim që të pengojë emancipimin shoqëror. Por, koncepti i Zotit ka marrë pjesë në ashtin qendror të platformës ideologjike rilindase.
U mohua ky fakt madhor i Rilindjes Kombëtare sepse duhej justifikuar mbyllja e kishave dhe xhamive, edhe e teqeve, nga shteti diktatorial në 1967.
Nëse kjo gjë nuk riparohet, albanologjia mund të jetë “llogji”, por “albano” kurrësesi. Do të ishte antishqiptare, nëse nuk pranon gabimin e bërë!
©Artan Fuga


















