Diktatori pervers unik - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - SHBA
Thuajse pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare (sidomos Prishtina dhe Shkupi) është e shokuar me kritikat e Edi Ramës karshi djemve shqiptarë që luajnë për Zvicrën. Por edhe karshi Albin Kurtit i cili nuk i shpëtoi dot tundimit mbarëshqiptar duke postuar edhe një status me fotot e djemve dhe diçiturën ''Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës''. Eshtë fare e thjeshtë, ato 24 orë ekzistenca e tij gati-gati nuk ekzistonte. Rrjetet sociale u mbytën nga fotot e dy djemve, Xhaka-Shaqiri. Vëmendja shqiptare ishte e gjitha aty. Kjo i tërbon diktatorët. Shqipëria ka rënë totalisht në një situatë të tillë. Skupet janë pjesë e luftës, ose arsenali ideologjik më dobiprurës në ekzistencën e një diktatori. Ai gjithmonë do që të jetë në qendër të vëmendjes dhe për më tepër të ketë në duart e tij shkopin e dirigjentit.
Prishtinës i duhet thënë që, një diktator nuk e kupton dot kurrë se çfarë është nacionalizmi. Mos harroni diktatorët janë pjellë e një botëkuptimi dominant dhe tepër të ndyrë kur u ikën duarsh vëmendja sociale. Nuk e dinë nacionalizmin pasi nuk kanë atdhe, por kanë modele nga internacionalizmi. Janë pionerë të Internacionales. Neve në vendin amë akoma na ushtojnë vargjet ''internacionale do të jetë bota e re''. Ia njohim mirë grahmat e kafshës mbi gojët tona. Stërkalat e pështymës etj., kamzhikun, litarin dhe plumbin ballit.
Në raport me Prishtinën, Tirana ka akoma në koridoret qeveritare frymë bolshevike. Ky që është sot kryeministër është kampioni i kësaj ideologjie. Një lloj Stalini gjoja i moderuar. Madje vini re çfarë ndodh në Shqipëri, nuk ekziston fare Kushtetuta, gjykatat, Presidenca. Janë raporte të vrara publikisht. Mund të shembë gjithçka. Shkatërroi Teatrin Kombëtar dhe riparoi Teatrin e Operas. Të parin e vrau nga një inat pervers karshi revoltës së artistëve aty rreth viteve 1998-1999, kur i përmendi brekët e varuara Artistes së Popullit, Violeta Manushi. Kurse godina e dytë, një objekt sovjetik për përfitime tenderash nga shpura e sovjetëve të rinj. Nga ana tjetër po modifikon Piramidën, ish-muzeun e diktatorit Enver Hoxha.
Ky është kryeministri që i ka kushtuar Shqipërisë së varfër, apo fisnikes, gati dhjetë breza borxh publik. Dhe nëse nesër aty rivendoset demokracia, d.m.th. shteti ligjor, dëmi financiar i këtij diktatori është sa pesëfishi i qeverisë Meksi, Nano, Berisha..., pra pesëfishi i të treve së bashku. Shumë fare e thjeshtë, nuk njeh asnjë vendim gjykate, qofshin këta edhe të arbritrazhit në Europë. Megjithatë, një ditë vendi do i paguaj kokërr më kokërr..., në fakt fëmijët e shqiptarëve, përfshi këtu edhe ata që nuk kanë lindur akoma.
Nacionalizmi atë e tërbon, pasi nuk di se çfarë është toka amë, madje sipas sojit të tij Kosova do ishte sot republikë e Federatës Jugosllave. Janë kompromiset mes diktatorëve për të ruajtur fronin. As që i bëhet vonë për të rënët, tall bythën me ta. Kur ishte gjoja demokrat tallej publikisht me luftën që bënë shqiptarët e ndershëm, qofshin këta të majtë, ballistë etj. Ka publikuar edhe një libër me titull “Refleksione 1992”. Sot për efekt të karrikes, lejon tubimet enveriste tek dëshmorët e atdheut. Eshtë marri e gjallë. Një pervers unik. Një fatkeqësi kombëtare.
I vetmi bekim karshi ekzistencës së tij do të ishte ky: i pastë ditët sa më të shkurtra! Nga ana tjetër si Tirana si Prishtina u dhëntë Zoti shtetarë që ta shohin botën me sy të njëri-tjetrit. Që do të thotë Tirana të frymojë e shohë bashkë me Prishtinën dhe asnjëherë pa Prishtinën. Dhe po kështu Prishtina përmes Tiranës.
©Ilir Levonja





















