Blog

Dy fjalë për pasuesin e Yuri Kim - Nga Ylli Manjani

Nuk kam asnjë iluzion që ai/ajo që pason Yuri Kim do jetë më mirë.  Ndoshta ndonjë dallim në stil e formë, por thelbi do jetë njësoj.

Prej vitesh, që nga koha e Obamës, administratat Amerikane e njohin Shqipërinë në sajë të lobistëve. Këta të fundit prezantojnë atje klientët e tyre, pra individët dhe jo Shqipërinë dhe hallet e saj.

Udhëheqësit politikë në Shqipëri gjithnjë kanë rendur të gjejnë lobistin e duhur për të marrë vëmendje personale në Administratën politike në Amerikë.

Edi Rama, qartësisht ka qenë më i sukseshmi. Ka patur dhe ka lobistin e duhur dhe ka marrë vemendjen më të madhe në administratat Amerikane. E nisi me rolin e "gruas së Bilalit" dhe vijon të jetë "i preferuari" i tyre për shkak se ka lobistin e mirë.

Pra mënyra e komunikimit ndërshtetëror ka qenë lobimi, që në në shqip e njohim si formë korrupsioni ose ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Në këto kushte, kur Administrata Amerikane na njeh si ca njerëz që meritojnë sundimin e Ed Ramës, nuk ka se si ambasadorët e saj të jenë të mandatuar për ne. Jo, ata mandatohen për t’i qenë në krah Ramës.

Kjo spjegon edhe faktin që administratat Amerikane nuk shohin as korrupsionin, as drogën, as keq-qeverisjen e as shkatërrimin e demokracisë. Sepse janë lobuar për të parë vetëm atë që qeveris.

Natyrisht, ka disa interesa pak më afatgjatë sesa karriera e Ramës dhe të tjerëve. Por ato nuk vihen në diskutim nga askush këtu. Nga ana tjetër, interesat strategjike nuk janë meritë e asnjë individi sado dollarë lobim/korrupsioni të harxhojë.

Ndaj kur thonë se ambasadorët bëjnë ç'u thonë shefat e tyre, nuk çuditem. Megjithëse hapësira e tyre për të luajtur lojë personale është e madhe, prapë ata janë brenda linjës së lobuar/korruptuar të prezantimit të politikës sonë.

Ndaj nuk kam asnjë iluzion. Ç'del nga macja, minj do gjuajë, thonë këtej nga ne.

Shoh të vetmen zgjidhje ndaj këtij fenomeni dialogun dhe dakordësinë e politikës sonë për t'i mbyllur nëpër ambasadat e tyre të gjithë ambasadorët, pa përjashtim. Ashtu siç ndodh kudo në botë.

©Ylli Manjani