Blog

Fukuyama: 30 vjet më pas - Nga Dashnor Kokonozi

Edhe pse sa herë e kujtoj, kam po atë ndjesi që do të kenë patur të krishterët e parë kur nëpër Perandorinë romake nisi të përhapet Fjala e mirë (Ungjilli), kurrë nuk jam grindur me veten sesa kur, në fillim të viteve '90, bluaja e ribluaja në errësirë idetë që F. Fukyama popullarizoi me esenë e tij për Fundin e Historisë, plot 30 vjet më parë.

Se Historia e fundit të Historisë fillon mjaft më parë. Shprehja së pari i erdhi në mëndje Hegelit, në çastin që nga dritaret e auditorit të Universitetit të Ienës, pa ushtritë e Napoleonit që shpërthyen në qytet, fill pas fitores së betejës që i mban emrin. 

Entuziazmi i elitës gjermane ishte i pashembullt (Eh, ka që gëzohen kur u pushtohet atdheu). Ideja është e thjeshtë (kam shkruar më gjatë vite më parë në një libër referencash, këtu hedh ndonjë shënim siç më kujtohet), pra ideja është e thjeshtë: me pushtimin e Gjermanisë (në fakt Gjermania si shtet nuk ekziston ende), në tokat gjermane do të zhdukej feudalizmi, prapambetja dhe gjendja prej bujkrobi e fshatarëve, vendi do të hyjë në radhën e shteteve të zhvilluara industriale Francës, Anglisë. Kemi kështu fazën e fundit të evolucionit të Historisë.  

Por çfarë ndodhi më vonë? E pra, lindi komunizmi. Befas u duk se Hegeli kishte gabuar, se Historia nuk kishte marrë fund. Se supozohet se shoqërinë njerëzore e priste edhe një stad tjetër evoluimi: një shoqëri pa klasa, Komunizmi.

Hegeli u fut në sirtar.

Me të rënë blloku komunist, Fukuyama rimerr idenë e Hegelit dhe përsërit me sa ka në kokë: Fundi i Historisë! Nuk ka një stad tjetër. E ardhmja e njezimit nuk është Komunizmi, por demokracia liberale. Nja tre vjet më pas ai e rimerr idenë e tij dhe boton: Fundi i Historisë dhe Njeriu i fundit. Thelbi nuk ndryshon.

Më tej, mësova se Fukuyama kurrë nuk e kishte lexuar Hegelin. Shumë i vështirë. Gjithsesi, ishte lexues i rregullt i "Introduction à la Lecture de Hegel" të një francezi me origjinë ruse, Aleksandër Kojeve (që më vonë rezultoi agjent sovjetik), i cili  mbahet si njohësi më i mirë i Hegelit.

Fundi i Historisë shënon fundin e njeriut historik dhe të Aksionit, në kuptimin e luftës dhe revolucioneve (se nuk ka më ç'të përmbysësh), thotë ai ndër të tjera në atë libër, që nuk është as libër se u shkruajt në bazë të kujtimeve të R. Queneau, që në vitet 30 ishte student i A. Kojeve. 

Në thelb Fukuyama pra, rimerr atë që kishte thënë plaku Hegel, që del se kishte të drejtë edhe kur gabonte.

Me rënien e Komunizmit, që u duk si një aksident i Historisë (këtë e them unë), atëherë kur gjithkush ka të drejtë të zotërojë një pronë, aty Historia merr fund. Nuk ka më periudhë tjetër. Kojeve (duke ilustruar idenë e Hegelit) thotë se nga ai çast njeriu mund të merret me art, letësi, etj. (që mund të jetë e vërtetë se shikoni sa mijëra poetë e shkrimtarë jemi në Facebook).

Kohë më kohë, ideja (relativisht, siç e shihni) e Fukuyamës është sulmuar ashpër. Gjithmonë përsëritet se nuk mund të ketë vetëm një rend shoqëror, se demokracia liberale ka shfaqur limitet e saj. Për mua kjo mbetet për të parë se ka 200 vjet që thuhet një gjë e tillë.

Kundërshtimet dhe sulmet e fundit vijnë nga Moska dhe disa qendra të tjera të Azisë. Me në krye Putinin ata besojnë fort se të ardhmen e njerëzimit janë ata që po e ndërtojnë.

I mëshojnë fort idesë se Evropa dhe Amerika janë në dekadencë morale dhe ekonomike se të ardhmen janë ata që po e ndërtojnë. Lënë të kuptojnë se nga poli i ri botëror, do të përfitojë edhe vetë Perëndimi.

Veçse Putini e ka të vështirë të kuptojë se nuk mund të dërgojë skllevër për të çliruar njerëz të lirë!

©Dashnor Kokonozi