Blog

Një popull e ka gjithmonë mundësinë të marrë në dorë fatin e vet - Nga Agim Baçi

Ish i burgosuri i kampit famëkeq të Aushvicit, shkrimtari hebreo-italian, Primo Levi, në librin e tij “Të shpëtuarit dhe të mbyturit”, përshkruan se si Hitleri helmoi moralin e shoqërisë përpara se të helmonte hebrenjtë. Levi shpjegon se duke falsifikuar kujtesën dhe duke asgjësuar gjuhën e njohjes së realitetit, pushteti ndërton një realitet të ri, që bëhet edhe arena e ideve, ku diskreditohen edhe bashkëpunëtorët, edhe kundërshtarët politikë, me qëllim që të ketë vetëm një version: gjuha e liderit. Kështu ndodhi edhe në ish-vendet komuniste, e padyshim edhe në Shqipëri, ku gjuha e komunikimit dhe kultura u përcaktua nga gjuha e liderit.

Fatkeqësisht, po të kthesh kokën pas në këto 32 vite ndryshimesh politike e të gjykosh mbi ligjërimin politik në Shqipëri, është vështirë të dallosh individualitete të tjera jashtë koncepteve të liderit që ka qeverisur, çka më pas ka shtruar edhe rrugën drejt një despotizmi gjuhësor dhe kulturor jo vetëm mbi anëtarët e partive, por edhe mbi gjithë shoqërinë. Një gjuhë e tillë ka synuar të kontrollojë të ardhmen e alternativave, si brenda vetë një partie, ashtu edhe me kundërshtarët politikë- madje sidomos këta të fundit, të cilët kanë rënë në grackën e kundërshtive dhe terminologjisë sipas asaj që ka përcaktuar pushteti.

Por, si do të shmangim atë përgjegjësi, për të cilën na flet Levi? Shkrimtari dhe eseisti Arthur Koestler, i cili e konsideronte heshtjen ndaj së keqes si “një krim kundër njerëzimit”, në romanin e tij “Errësirë në mes të ditës”, na sjell përpara nesh rrëfimin se sa delikate dhe arrogante është beteja mes vetë të shtypurve, pasi gjithkush rrezikon të humbë moralin dhe të luftojë më pas me të njëjtat mjete me të cilat lufton edhe shtypësi ndaj tyre. Një nga sugjerimet e Koestler, të cilin më vonë e ka marrë në idetë e tij Xhorxh Oruelli në romanin “1984”, është shmangia me çdo kusht e shoqërisë nga pesimizmi. Sipas Koestler, qeveritë gjithnjë synojnë dekurajimin si rrugën më të sigurt ku qytetarët do të kthehen më pas në aprovues, pa i shkuar ndërmend se duhet t’i debatojnë ato që u thuhen, që u urdhërohen.

Ndaj, është lehtësisht e konstatueshme e njëjta gjuhë dekurajuese gjatë gjithë këtyre viteve: “ne nuk bëhemi”, “këtu nuk ka opozitë”, “nuk kemi kujt t’i besojmë?”. Përballë kësaj gjuhe është e rëndësishme që të gjendet më së pari një kurë e shmangies së pesimizmit. Por, për të shmangur pesimizmin, për të kërkuar ndryshimin, duhen “njerëz me gjak”, pra, qytetarë që besojnë se mund t’ia dalin. Dhe për këtë rrugëtim duhen shmangur minutat oruelliane të urrejtjes dhe pesimizmit dhe të rikthehet bindja se një popull e ka gjithmonë mundësinë të marrë në dorë fatin e vet.

©Agim Baçi