Argatët përkthyes - Nga Sejdin Cekani
Një “zanat” i ri po lulëzon kohëve (jo dhe aq) të fundit. Dhe duket e vështirë për ta përcaktuar apo për t’i dhënë një emër këtij lloj “zanati”. Sepse bëhet fjalë për disa të vetëquajtur përkthyes, që në çdo kohë janë të gatshëm të “përkthejnë” për përkthyesit.
Këta argatë kanë marrë vetëm disa njohuri të cunguara nga ndonjë gjuhë e huaj e mësuar në nxitim e sipër. Sa për shqipen, atë e zotërojnë në nivel të mjerueshëm dhe as që e kanë idenë e gramatikës. Por ama kanë krijuar njëfarë “tregu” dhe peshkohen lehtësisht nga përkthyes që kanë sjellë në shqip dy apo tre libra, por tashmë nuk ua kanë ngenë përkthimeve, sepse nuk është punë e lehtë e nuk ka leverdi për ta. Dhe kanë gjetur nga këta argatët që marrin përsipër t’ua bëjnë punën për një të tretën e çmimit që ua paguan atyre enti botues për përkthimin.
Më e keqja është se këtë po e bëjnë edhe ndoca përkthyes që kanë krijuar njëfarë emri, pa e vrarë mendjen se po e shpërdorojnë atë. Për ta, me sa duket, tanimë kanë rëndësi vetëm paratë e siguruara lehtësisht e jo më emri i mirë.
Por edhe argatët apo mëditësit duket se janë lodhur ndërkaq dhe “përkthimet” për përkthyesit i bëjnë me Google translate. Dhe këta të fundit, pa iu dridhur dora fare, vënë emrin e tyre. Madje edhe mburren për numrin e librave që kanë përkthyer.
©Sejdin Cekani



















