Druri i shtrembër, kanaçet bosh dhe bishti i qenit - Nga Ilir Levonja
Ky Alibeu apo Bardhi janë minorancë absolute e demokratëve. Madje as minorancë jo, janë thjesht ai druri i shtrëmbër e Mato Grudës, simboli bestyt që ai kishte në mendje për ballistët. Janë thjesht ca kanaçe boshe që lidhen pas bishtit të qenit për të zhurmuar lagjen. Megjithatë, Rama u dha të drejtën e interpelancës në lidhje me skandalin McGonigal. Pra për të njëjtën arsye që përjashtoi Sali Berishen dhe katër deputetë të demokratëve, pranoi Alibeun dhe Bardhin.
Në fakt nuk i ka pranuar as këta, por po tall bythën me demokratët, madje me çdo zë kundërshtar, qofshin këta edhe nga të majtët e tij apo ajo shtresa gri, pjesa pa parti. Madje edhe Alibeu dhe Bardhi e dinë këtë, por u pëlqen. E dinë këtë nga gjoja konsensusi për Reformën zgjedhore, për gjoja Ligjin e hapjeve të dosjeve etj., por u pëlqejnë lojrat bizarre. Nga ana tjetër mllefi pervers i humbësit i cili është totalisht i mbytur nga sindroma e fëmijës me lodrat e veta. Dhe ky nuk është më problem apo ngërç demokrat, por problem shëndetësor individual.
Të paktën kjo kohë po u rrëfen demokratëve se sa duhet të luftojnë për dinjitetin e humbur të tyre. Të paktën po u rrëfen faqe burrash shqiptarëve, se sa të frikshme bëhen partitë kur shkelin me dy këmbë statutet e tyre. Të paktën po u rrëfen të lëkundurve se sa dyfish duhet të angazhohen në domosdoshmërinë e ndërrimit të pushtetit për të mos parë shfaqje kaq banale në jetën e tyre. Madje edhe KQZ pikërisht kanaçeve po përpiqet t'u japë të drejtën e vulës, pavarësisht verdiktit të Gjykatës së Tiranës.
Këto kanaçet kanë filluar ta mësojnë mirë propagandën e padronit të tyre, aq sa sot kanë njëjtëzuar Saliun me Ilir Metën. Se gjoja kjo aleancë është në dëm të demokratëve, megjithëse ndenjën dhe hynë në zgjedhjet e fundit në aleancë me gruan e Ilir Metës. Madje edhe prokuroria e posaçme që ju e njihni me emrin SPAK, pikërisht këtyre hiçëve u kërkoi me shkrim që të paraqesnin gjoja akuzën që kishin për Ramën në lidhje me çështjen McGonigal.
A do e thërrasë SPAK-u Ramën? As mos e çoni nëpër mend. E dinë dhe këta, apo ky Bardhi këtë e di mirë, por i pëlqen loja. Kurse për sytë e shqiptarëve është koha e përkryer për të kuptuar banalitetin historik që po kalojnë. Pa shtet, pa drejtësi, pa Kushtetutë, pa Kuvend, pa përfaqësim, pa të ardhura, pa perspektivë. Kosova e brishtë sapo i ngriti rrogat. Shqipëria rrezik të ngrejë një bord edhe për pagat.
Madje sa për të kuptuar edhe pak më tutje, sot shtëpia e presidentit Joe Biden në Amerikë, u bastis nga agjentët e FBI. Shtëpia verore që ai ka në shtetin Delawere. Arsyeja? Përflitej se aty Joe Biden ruante dokumenta sekret. Pak muaj më parë në të njëjtat pozita u gjend edhe ish-presidenti Donald Trump. Shtëpia e tij në Palm Beach, Florida, u bastis nga agjentët e FBI. Dokumentat e shtetit i përkasin shtetit, nuk janë personale. Ka shkelje ligjore.
Kurse në mut shtetin tonë nuk ka bir kurve që ta prekë Edi Ramën. (Një shprehje e huazuar nga vetë Edi Rama). Tani se sa ju përfaqësojnë juve, këto kanaçet, se sa serioze dhe se sa përfundime të drejta do japë nesër Kuvendi dhe ky SPAK-u që ju prisni, është një vërrë në ujë. Çfarë po ndodh nuk është asgjë tjetër veç një lojë e ulët, si zakonisht në atë mut shtetin tuaj. Jo Shqipërinë, por shtet-mutin tuaj. Dhe dëm-demokracinë e Edi Ramës.
© Ilir Levonja


















