Blog

Marrëveshjet, ofertat dhe shqiptarët e Fishtës - Nga Dritan Goxhaj

Para 100 e më shumë viteve At Gjergj Fishta do të shkruante: “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta, sesa me i ba bashk dy shqiptarë!”

U bë pothuajse që 20 ditë që kjo shprehje e Fishtës më sillet nëpër mendje duke parë shqiptarët tanë sesi reagojnë ndaj dy problemeve thelbësorë dhe të qenësishme për Kosovën.

Kur në fillim të këtij 20 ditëshi diskutohej për çështjen Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, shqiptarët nuk u bënë bashkë, por u ndanë. Disa duke ndjekur zemrën e plasur për të mos lejuar ndarje të mëtejshme të trojeve shqiptare, e disa të tjerë ndoqën arsyen e kolaboracionizmit me të huajt duke mbështetur kërkesën e tyre në dëm të Kosovës. Ose si i thonë ndryshe këtej nga mëhalla jonë poshtë Drinit: për inat të sime vjerre, shkoj e fle me millonanë (mullixhiun).

Ndërsa përsa i përket politikës zyrtare në Tiranë, qoftë asaj në pushtet e qoftë asaj në opozitë, ato edhe kësaj rradhe nuk zhgënjyen. Nuk u morën fare me problemin e Kosovës, ashtu si kanë bërë përherë që Kosova ka pasur problem të mbijetesës.

Kështu bënë në 1990 kur votohej kushtetuta e Kaçanikut - realizuan thyerjen e ambasadave.

Kështu bënë edhe në 1997 kur eleminoheshin grupet e armatosura në Kosovë - organizuan protestat për rrëzimin e pushtetit me tre gishta lart.

Edhe kur vritej Adem Jashari me familje, sërish politika në Tiranë ishte e zënë me hallet e saj.

Edhe në gusht e shatator të 1998 kur UҪK ishte në prag të zhbërjes për shkak të ofensivës ushtarake serbe, Tirana organizonte grushtin e shtetit dhe mbulonte edhe vrasjen e Ahmet Krasniqit.

Tirana u zgjua vetëm në 1999, edhe atëherë vetëm pasi NATO mori vendimin që të hynte në luftë.

Edhe tashti Tirana politike në pozitë e opozitë ishte e zënë me korrupsionet e Ramës për të cilat ka vendos të mbajë protesta para zyrës së mashtruesit, pasi nuk ka guximin të mbajë protestë para Ambasadës Amerikane për këtë problem.

Edhe tashti sërish shqiptarët i sheh të ndarë edhe për çështjen e pranimit të Planit Franko-Gjerman.

Por ama ndarja e tyre vjen për shkak se ne kënaqemi vetëm me fasadën dhe me atë se kush na e bën ofertën. Asnjëherë nuk i kemi parë ofertat dhe propozimet në thellësi.

Dhe kur vjen puna te ky Plani Franko-Gjerman do të deshiroja që ta shikonim se çfarë paraqet ai dhe në fund të shohim a bën ta pranojmë apo jo.

Ky plan të cilin po mundohen të na e paraqesin sikur francezët e gjermanët janë këputur e lodhur për të arritur deri te formulimi i këtij plani, në realitet nuk është asgjë tjetër vetëm se plani Gjermano-Gjerman i nënshkruar në 23 Dhjetor të vitit 1972 ndërmjet Gjermanisë Perendimore dhe asaj Lindore. Një plan i cili nuk bëri asgjë tjetër, por vetëm mbajti status quo-në e gjëndjes në të cilën ndodheshin ato dy republika edhe për 27 vjet të tjerë.

Por po ti shohim më në detaje të gjitha pikat e këtij plani ato nuk janë asgjë tjetër vetëm se marëveshjet dy palësheshe të nënshkruara ndërmjet Kosovës e Sërbisë nën mbikqyrjen e BE.

Neni 1: Kosova dhe Serbia duhet të zhvillojnë marrëdhënie normale dhe fqinjësi të mirë me njëra-tjetrën bazuar në të drejta të barabarta.

Neni 4: Kosova dhe Serbia vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga dy palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe as të veprojë në emër të saj.

Neni 5: Kosova dhe Serbia do të promovojnë marrëdhënie paqësore në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal në Evropë.

Këto nene praktikisht janë një marëveshje e nënshkruar në vitin 2012 për bashkëpunim të mirë ndërmjet tyre e cila njihet si: Përfaqësimi rajonal dhe bashkëpunimi.

Neni 2: Kosova dhe Serbia do të orientohen nga aspiratat e përbashkëta për anëtarësinë e BE-së.

Ky nen praktikisht është një marëveshje e nënshkruar nga palët në vitin 2013 e njohur si: Asnjëra palë nuk do pengojë e as do inkurajojë të tjerët të pengojnë aderimin e secilës palë në BE.

Neni 3: Në përputhje me MSA-në (Marrëveshjet e Stabilizim Asocimit) të nënshkruara nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës. Ato riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen e kufirit që ekziston mes tyre dhe marrin përsipër të respektojnë plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Kjo është pjesë e marëveshjes të nënshkruar në vitin 2011 e njohur si: Marëveshja për kufijtë dhe integrimin e tyre.

Neni 6: Kosova dhe Serbia vazhdojnë me respektimin reciprok të juridiksionit të secilës palë.

Kjo është pjesë e marëveshjes së viti 2012 cila njihet si: Përfaqësimi rajonal dhe bashkëpunimi.

Neni 7: Kosova dhe Serbia deklarojnë gatishmërinë e tyre për të rregulluar çështjet praktike dhe humanitare në procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Ata do të lidhin marrëveshje me synimin për të zhvilluar dhe promovuar në bazë të këtij Traktati dhe për përfitimin e tyre të ndërsjellë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit, marrëdhënieve gjyqësore, postave dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, sportit, mjedisit, mbrojtjes dhe në fusha të tjera. Detajet janë rënë dakord në Protokollin Suplementar.

Praktikisht të gjitha ato që parasheh ky nen janë marëveshje të nënshkruara ndërmjet palëve në vitet 2013, 2016 dhe 2019 dhe të njohura praktikisht si: Marëveshja për telekomunikacionin; Marëveshja për dhomat e tregëtisë; Marëveshja për energjinë.

Neni 8: Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverisë përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas

Kjo është një marëveshje e vitit 2013 e njohur si: Marëveshja për shkëmbim të zyrave ndërlidhëse dhe përfaqësive.

Pra ashtu siç edhe shihet gjithë Plani Franko-Gjerman nuk është asgjë më shumë, por thjesht jo vetëm përsëritje e planit të vitit 72, por edhe përsëritje e të gjitha marëveshjeve që ka nënshkruar Kosova deri më tashti me Serbinë.

Që do të thotë se kjo nuk është asgjë më shumë se vetëm një përpjekje evropiane për të zgjatur status quo-në dhe gjëndjen në të cilën ndodhet Kosova sot.

Kosova sot nuk ka nevojë për marrëveshje e propozime për të mbajtur status quo-në, por për propozime serioze e jo tallje të tilla.

Por sërish ne shqiptarët nuk do të biem dot dakord edhe kur e lexojmë të zezën mbi të bardhë se këta ndërkombëtarët po tallin koqet me ne, vetëm për të fituar kohë deri sa të gjëjnë një zgjidhje për problemet e tyre.

Sërish Fishta ka të drejtë edhe pas 100 vitesh.

P.S. Një sqarim për të gjithë ata që deri dje kanë kujtuar se marëveshja për Zajednicën është marëveshje ndërkombëtare, ashtu si e kanë prezantuar dhe votuar injorantët në Kuvendin e Kosovës. Le ta mësojnë se ajo nuk është e tillë dhe këtë e përcakton marëveshja e nënshkruar në vitin 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku shpjegohet se të gjitha takimet dhe marëveshjet ndërmjet palëve me ndërmjetësim të organizatave Europiane dhe të BE konsiderohen Takime Rajonale dhe Marëveshje Rajonale.

© Dritan Goxhaj