Blog

Mos more burrë, nuk dal nesër të flas kundër vëllait tim demokrat - Nga Ilir Levonja

Kandidati i Korçës tërhiqet, edhe ai i Lezhës, edhe ai i Kurbinit, edhe ai i Vorës etj. Ndërkohë në Elbasan nuk del kush tjetër, po ashtu në Durrës, në Shkodër jo e jo. As në Kavajë, as në Peqin. Një tjetër nga Shqipëria e Mesme deklaron, mos more burrë, nuk mund të dal e të flas kundër vëllait tim demokrat. Kësisoj lista është shkurtuar, megjithatë plot kokëfortë vazhdojnë. Megjithatë një demokrat safi province, pa punë, pa perspektivë, i nëmur, këmbëngul, mos more burrë nuk mund të dal kundër vëllait tim demokrat.

E në fund të fundit, sado hatërmbetje e sado grishje mund të ketë mes kokave në qendër, askush nuk e dërrmon dot fisnikërinë e eposit. E pra, aty është eposi real që nuk ka nevojë as për vulë e as për zyra selie. Aty është zemra e një llave politike ku përplasja e qëndrës është vunerabël. Mos more burrë se nuk mund të dal e të flas kundër vëllait tim demokrat. Vetëm me qenë kafshë e egër e mos të të mbushen sytë me lot. Karshi kësaj dhimbje, përballë një gjëje madhoshe, masiv i dështimit, i cili bash mbi një kufomë tek këmbët deklaron në ekran se kurrë më shumë se sot Shqipëria nuk ka qënë më e sigurtë në punën e rendit publik. Sapo është vrarë një roje o masiv mishi, bash mu në mesin e Tiranës. Sapo është goditur publikisht një televizion kombëtar. Dhe masivi i mishit flet me superlativa për rendin e tij publik.

Mirëpo ai demokrati i provincës e ka kuptuar mirë këtë, nuk e pranon dot kokëfortësinë vunerabël të qendrës. Krejt ndryshe nga qendra i thotë vëllai vëllait, mos more burrë nuk mund ta dërrmojmë njëri-tjetrin. Jemi sikterisur, jemi përndjekur, jemi hequr prej pune, e prej kempit, e prej listës së përkrahjes, jemi hedhur si rraqe plehrash. Mos more burrë se si po dalim e të flasim kundër njëri-tjetrit. Na kanë rrahur, na i kanë dhjerë këmbë e kokë demokracinë. Se demokracia është përmbi çdo emër. A mundet me dalë nesër e me i nxjerrë sytë njëri-tjetrit, ku më i fituari del bash ky masivi mishtor e leshtor, diktatori, gardiani, dhunuesi, Gestapoja, UDB-ja, Sigurimi i Shtetit?

Asesi. Po vritemi vëlla. Masivi i mishit vret e pret vetë në mesin e ditës, me keq se bandat dhe flet për rend e siguri, për mirëqënie etj. Po ne përse? Mos more burrë se nuk dal nesër e të flas kundër teje, për të ndihmuar masivin prej mishi. Mos more burrë se emrin në listë e kam shkruar tek kolibja jote. Ti m'i ke falë borxhet, masivi mishtor m'i ka shtuar. Mbeta gjithë jetën muhaxhir. Vatër tharë. Me sytë tek Western Union. Shqipëria e shkretë që nuk bëri dot një palë zgjedhje si Danimarka, megjithëse pretendon se po i referohet ligjeve zgjedhore të Danimarkës.  Mos more burrë se nuk po dal nesër kundër teje, jemi demokratë. Nuk po dal e me të nxjerrë sytë ty, e t'i nxij faqen vetes. Për me ndihmu publikisht një mut masiv që na ndyu jug e veri.

Respekte demokratë!

© Ilir Levonja