Blog

Pse në Kosovë ndodh vazhdimisht deligjitimimi i rolit të Presidentit? - Nga Enver Bytyçi

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me datën 13 prill, do të shpallë vendimin e saj për një deputet të komunitetit ashkali, lidhur me vlefshmërinë ose jo të mandatit të tij të deputetit. Nëse ky deputet nuk legjitimohet, atëherë thuhet se votimi për Vjosa Osmanin si presidente do të rezultojë i pavlefshëm e për pasojë ajo do të duhet të largohet nga detyra e saj. Inatçorët dhe ata që janë mësuar me urrejtje të kota për njëri-tjetrin janë shumë entuziastë. Përfshirë dhe Valdete Dakën. D.m.th mund të përsëritet skenari i Behgjet Pacollit, i cili pati votuar veten në funksionin e deputetit si president të vendit. Por nuk është i njëjti rast, pavarësisht ngjashmërive.

Se Vjosa Osmani ka krijuar kundërshtarë të papajtueshëm, kjo është e njohur tashmë. Aktet e saj politike kanë rënë gjithnjë në kundërshtim me interesat e kompromisaxhinjve dhe kolaboracionistëve të Kosovës. Qytetarit të Kosovës i mjafton kundërshtia e Vjosa Osmanit për të mos e votuar Hashim Thaçin për president të Republikës, që të urrehet dhe të shkohet në hakmarrje ndaj saj. Të gjithë këta kundërshtarë mezi presin rastin ta linçojnë atë. Dhe eksperienca e linçimeve që ata kanë grumbulluar është unike. Mjafton të kujtojmë “natën e Zanzibarit” dhe kurthin e shkarkimit të presidentit Fatmir Sejdiu nga detyra.

Por, si për çudi, vetëm Ahtifete Jahjaga e ka çuar deri në fund mandatin e presidentes. Rugova nuk e përfundoi mandatin e dytë të pasluftës, sepse shkoi në amshim. Presidenti Sejdiu për pak muaj nuk mundi ta mbyllë mandatin, sepse kurthaxhinjtë e PDK-së e nxorrën nga zyra, atëherë kur nuk prisnin prej tij ndonjë kompromis me Serbinë. Historia e Pacollit dihet tashmë. Hashim Thaçi gjithashtu nuk mundi ta përfundojë mandatin e presidentit për shkak se përfundoi në Hagë. Por nuk ishte Gjykata Kushtetuese e as gjyqësia e Kosovës, ajo që e penalizoi. Tani po synohet që edhe Vjosa Osmanin ta eliminojnë përmes kurtheve të brendshme.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të vendosë për fatin e presidentes aktuale, duke u bazuar në një element tragjikomik të procedurës. Megjithatë, nëse vendoset për jolegjitimitetin e zonjës Vjosa Osmani, atëherë do të kemi të bëjmë me një rast tragjikomik e me një moment kur Kosovës do t’i merreshin peng institucionet e saj kushtetuese. Dikush mund të besojë se kjo situatë e krijuar me pothuajse çdo president të vendit është normale. Por anomaliteti është unik në historinë e shteteve moderne. Vetëm diktaturat mund të ngarkojnë e shkarkojnë çdo funksionar pa logjikë dhe pa arsye.

Megjithatë unë do ta marr debatin për impaktin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin e deputetit ashkali, si një diskutim presioni dhe si një përpjekje për të denigruar jo vetëm Vjosa Osmanin, por edhe institucionin e rëndësishëm kushtetues, Presidencën. Është interesant të shohësh gjithashtu sesi Gjykata Kushtetuese është e gatshme gjithnjë të ndëshkojë demokratët e LDK, ose që kanë ardhur nga LDK. Ndërkohë që nuk guxuan asnjëherë të gjykojnë veprimet antikushtetuese deri me tjetërsimin e territorit të vendit të ish-presidentit, Hashim Thaçi. Kjo gjykatë jo vetëm nuk guxoi ta bëjë këtë, por nga fillimi deri në fund ajo mbeti peng dhe vegël në shërbimin e Thaçit.

Të gjithë ata ish-presidentë që prekën sado pak sedrën dhe prestigjin e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit u ndëshkuan, përjashtuar zotit Pacolli, me të cilin Hashimi luajti si macja me miun. Për këtë arsye besohet shumë lehtë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund të keqpërdoret dhe të vendosë edhe për pakushtetushmërinë e kryerjes së funksionit të presidentit nga ana e Vjosa Osmanit.

Megjithatë më shqetësues se gjithçka është mënyra se si përgatiten skenarët e tillë. Se si dikush ngre kurthin, me qëllim që atë kurth ta shkrehë në një moment të caktuar, kur atij i konvenon. Eshtë tragjike kjo metodë perfide e shkollës sllave në sjelljen politike e juridike në Kosovë. Mundet që kapacitetet e ekspertizës dhe këshillimit të jenë të pakta. Por ka mundësi gjithashtu që të ndërtohen qëllimisht skema si këto, me qëllim shantazhimin e kreut të shtetit të Kosovës. Nëse ai (në rastin konkret ajo) nuk pranon të mbetet peng, atëherë është sajuar kurthi për shantazhim.

A thua kaq të paafta janë institucionet, kaq injorantë qenkan politikanët dhe juristët, sa të mos marrin masa për parandalimin e mekanizmave shantazhues si këta? Nuk besoj. Më së shumti mendoj se është kurth i mirëmenduar shantazhi. Po a mund të ketë dorë Serbia apo dikush tjetër nga jashtë në këto kurthe? As këtë mundësi nuk e përjashtoj. Kosova është shtet i ri, ende jo anëtar i OKB. Pikërisht ky status përdoret si modus vivendi për shkatërrimin e institucioneve. Delegjitimimi artificial i tyre, madje me maskën e antikushtetushmërisë, është forma më perfekte për këtë. Kësisoj defunksionalizimi i Presidencës, si një nga tre institucionet më të rëndësishme të Kosovës, shkon në favor të projekteve të Serbisë, sidomos në dialog.

© Enver Bytyçi