Blog

Raca bastarde që nxjerr nënën nga shtëpia - Nga Ilir Levonja

“Shihemi në gjyq” është një reality show i cili po nxjerr çdo javë një dramë të shëmtuar shqiptare në raportet brenda familjes, sidomos kur vjen fjala për pronën. Që zihen fqinjët edhe është edhe nuk është e drejtë. I di dhe duhet të veprojë drejtësia. Që zihen motra e vëllezër për një mut dhome nga shtëpia e prindërve, edhe kjo pranohet. Dhe i takon prapë drejtësisë të veprojë. Por kur shikon që vajza me burrin nxjerr në qiell të hapur nënën e vetmuar, është e pakonceptueshme. Kur shikon që djali i ka vënë drynin shtëpisë së prindërve, ka lënë nënën mes katër rrugëve, si e si të përfitojë shtëpinë më përpara se motra e tij, a vëllai, edhe kjo ta shpif. Flasim gjithë ditën lart e poshtë për traditat tona fisnike, se gjoja jemi njerëz të besës, jemi racë e zgjuar etj. Nga ana tjetër nxjerrim në qiell të hapur nënën.

Mos iu zemëroni llogjeve të “Big Brother”-it. Në fund të fundit gërrvërre pa zarar janë. Zemërohuni me këtë lloj race bastardësh që na ka barazuar me kafshët. Shkon nëna tek djali dhe i kërkon ta autorizojë për t'i tërhequr pensionin, t'i paguajë dritat dhe ujin, ndërsa djali ia paraqet noterit si akt dhurimi të shtëpisë së prindërve. Dhe mirë këta halera djemsh, po si guxojnë edhe këta pisa noterë që hartojnë akte dhe firmosin e vulosin paturpësisht?

Po degjenerojmë ditë më ditë dhe u është bërë fiksim kjo gjoja punë e pronës. Ç'dreq prone është një apartament një dhomë e guzhinë? Nuk e di se çfarë morali ka kjo garë me bastardë, po këto 30 e kusur vite demokraci janë khtyer një obsesion pronash e marrie kolektive sa ta neverisin të përditshmen. Që ia hedhim njëri-tjetrit dihet, po që të groposim për së gjalli nënën dhe babën, është e paimagjinueshme. Bën tjetri gjyq me nënën për shtëpinë ku u lind dhe u rrit!? Po mut djemsh që janë.

Sa e pashë mbeta, u ngurosa. M’u kujtua një tregim i hershëm i Maksim Gorkit, tregimet e Krimesë, me titull “Hani dhe i biri”. Me pak fjalë plaku që kishte prona e pasuri sa të duash, kishte edhe harem me vajza skllave, një lloj pashai oriental, kërkon ta gëzojë të birin duke i plotësuar një dëshirë. I biri i kërkon skllaven ruse, bash atë që plaku kishte më për zemër. Ja jep nuk ia jep, por me që ia kërkoi faqe burrash, i tha mirë. Megjithëse zemra nuk ia donte. Do i jepte gjithë haremin me qejf, vetëm atë rusen jo.

Si përfundim për t'u ndarë në paqe, vendosën ta hedhin skllaven në det. Shkuan diku buzë një honi dhe ashtu bënë. E hodhi plaku me duart e tij se ishte edhe dëshira e vajzës. Në fund, i biri, i kënaqur i tha, eja ikim tani. Mirëpo ku i bënin këmbët plakut. U përpoq i biri duke i kujtuar mbretërinë, pronat, pasurinë etj., por plakut nuk i bënin këmbët. I tha merri, vetëm ta dish, të gjitha janë forca të vdekura, të gjitha, veç dashuria jo.

Morali i rrëfimit është shumë i thjeshtë, duajeni njëri-tjetrin se të gjitha janë gjëra të vdekura. Vetëm ke lindur, lakuriq ke lindur dhe po ashtu do ikësh. Megjithatë do na dëgjojnë veshët prapë, do na shohin sytë prapë, por ke nëna e babai, kurrë mos pafshi një ditë dielli!

© Ilir Levonja