Blog

Metafora e “policit me dorë” - Nga Dashnor Kokonozi

Pa dyshim, ka edhe gjëra që ecin më mirë, por kur i pashë ata për herë të parë, më erdhi për të qeshur. Pastaj më erdhi për të qarë.

Në shumë nga udhëkryqet e Tiranës, semaforët janë të dubluar nga policët e trafikut, nga “policët me dorë”, siç i quanin dikur kur nuk kishte semaforë.

Semafori, kjo shpikje e viteve ’20 të shekullit të kaluar, që funksion në të gjithë botën dhe u jep drejtim edhe trafiqeve më të rënduara, në Shqipëri është i pavlefshëm.

Semafori është rregulli që mbron jetën tonë dhe lirinë tonë të lëvizjes, sa kohë që na detyron të respektojmë lirinë e tjetrit për të lëvizur pa iu rrezikuar jeta.

Kjo në Shqipëri nuk funksionon. Duhet edhe një “polic me dorë”.

Në thelb, respekti për sinjalet e semaforit, është shprehje e respektit për ligjin, për të drejtat dhe liritë e secilit prej nesh. Në Shqipëri kjo është iluzore, nuk funksionon.

Të gjithë mund të përfundojmë një ditë nën rrotat e makinave nëse mendojmë se mund të ecim pa frikë kur drita jeshile ndizet për ne. Pra, nëse kujtojmë se jemi të mbrojtur nga ligji.

Politikanë të njohur botërorë mëse njëqind vjet më parë kanë paralajmëruar për aftësinë e diskutueshme të shqiptarëve për t’u vetëqeverisur. Duke mos harruar se çfarë kishin krijuar, morën masat të dërgojnë njerëzit e tyre (“policët me dorë”), për ta ruajtur atë shtet nga vendasit që kanë cilësinë e mosrritjes kurrë dhe politikanët e tij brutalë e të korruptuar.

Ata, ndërkombëtarët (“policët me dorë”) janë aty edhe sot e kësaj dite, duke u kujdesur gjithnjë të bëjnë funksional shtetin shqiptar.

Mbase edhe janë penduar për atë që kanë bërë, por tani është vonë.

Në një farë mënyrë “polici me dorë” pranë semaforit përfaqëson shoqërinë tribale shqiptare (qeveria, drejtësia, rendi etj., janë nënprodukte të saj), të cilës nuk i mungojnë ligjet e mira që na detyroi bota të kemi, por që nuk i respekton askush.

“Polici me dorë” tregon se faji nuk është vetëm i politikanëve!

Zgjidhje?

Nuk ka!

Nëse mund të ketë, kjo do të ishte që kudo nëpër shkolla mësimi i parë duhet të fillojë me shprehjen: “ne jemi popull që nuk dimë të qeverisim veten”, me shpresë se pastaj do të ulen flamurët e kapadaillëkut dhe marrëzisë kolektive dhe vendi do të përqendrohet te problemi i tij i vërtetë: paaftësia për t’u vetëqeverisur.

“Polici me dorë” është aty për të na e kujtuar këtë.

© Dashnor Kokonozi