Delja e zezë që donte të bëhej njeri - Nga Jeta Dedja
Një mbrëmje, kur shtrëngatat dhe stuhitë nuk kishin të pushuar, fermeri ndjeu një zhurmë jotipike që vinte nga stalla e lopëve. Mbase ndonjë rrufe kishte prishur çatinë. I merakosur për sigurinë e lopëve të tij, i drejtoi ato për në stallën e kuajve. Kjo ishte stalla më e fortë dhe moderne që ishte ndërtuar së fundi. E ndërkohë shkoi tu hidhte një sy edhe kafshëve e shpendëve të tjera. Kur ç’të shihte. Pulat ishin strukur qosheve të koteceve bashkë me gjelat. Delet vërtiteshin të hutuara në vathë. Me zemrën që i rrihte fort nga ankthi se mos kafshët e tij lëndoheshin, fermeri i grumbulloi të gjithë tek stalla moderne.
***
Kuajt po dukeshin të trazuar në humor. Mezi merrnin frymë nga mbipopullimi i papritur i shtëpisë së tyre. Por meqënëse gjindja i njeh për fisnikë vendosën ta ruanin reputacionin dhe ia nganë të parët bisedës.
-Si jeni?- pyeti kali i bëshëm anglez, duke i shkundur kafshët nga zilepsja që i kishte kapur mat shpirtin.
Delet si të matufepsura panë njëra-tjetrën. Disa pula kishin ulur kokat të shushatura dhe të tjerat u hodhën sytë gjelave.
Lopa laramane, më e moçmja ndër të gjithë shfaqi iniciativë. Kishte vite që nuk fliste, duke menduar se i kishte ikur koha. Këta të rinjtë e sotëm presin nga të vjetrit, -mendoi laramania.
-“Epo, unë personalisht jam mirë. Ky mot i tërbuar më shtoi dhimbjen e kockave por të paktën jam gjallë dhe po përfitoj nga rasti të admiroj stallën tuaj”.
“Po vërtet, shtëpia juaj, mahnitëse në stilin e saj modern të dekorimit, ndihet mikëpritëse”- pasoi një Dele që gjithmonë ishte shquar për delikatesë në zgjedhjen e fjalëve.
“Si ndihesh kur jeton mes luksit dhe të tjerët vuajnë?- pyeti Gjeli Kalin anglez.
“Epo, mendoj se shijoj fatin tim o Gjel. Po ti, si ndihesh kur të trajtojnë si më i bukuri i kotecit ?
-“Nuk doja të tregohesha konfrontues”- ia priti gjeli- doja vetëm të dukesha social.
-“Jo, jo, më fal o Gjel, edhe unë prandaj të pyeta që të krijoja dialog”- sqaroi Kali.
“Ah, dakord, -tha gjeli. Sa mirë është kur sqarohesh se për pak biseda jonë mund të cilësohej si një konflikt racist”.
-“Çfarë racizmi të ketë mes nesh o Gjel. Ne jemi të gjithë frymorë. Gjithë diferencat e tjera prodhohen në mendjen tonë e sidomos atë të njeriut.- konkludoi me vetëbesim Kali.
-“Kështu të duket ty, se je i privilegjuar- ia behu me inat një dash. Ti jeton në një stallë moderne dhe të re, ne na kanë futur në një vathë të pisët ku të vjen ndot të shtrish kurrizin me lesh të bardhë”.
-“Të kuptoj shumë mirë- tha njëri nga kuajt. Duhet të jetë vërtetë e tmerrshme të ndotësh atë lëkurë të bukur që ju mbulon trupin”.
-Dashi u ndje mirë që ky kal i bardhë po e kuptonte. Me siguri edhe ai dikur kishte patur të njëjtin problem.
Dhe sikur kali t’ia kishte lexuar mendjen, shtoi: “Edhe unë dikur mezi flija. Refuzoja të shtrihesha aty ku edhe menderosja. Trupi im i bardhë nuk e meritonte këtë poshtërim”.
-“Prandaj është më mirë kur je e zezë”,- u hodh një dele e zezë si nata. –“Për mua rrëfejnë plot historira paragjykuese që thonë se unë nuk i bashkohem tufës kollaj, por nëse ka diçka që nuk shkon nuk duhet t’i bashkohesh tufës dhe pikë. S’keni pse pranoni kushte të këqija nëse nuk ju pëlqejnë. Blegërini, pëllisni, hingëllini, kakarisni”.
Filluan kafshët t’i japin të drejtë deles së zezë. Po, bravo, ja ashtu duhet, të lumtë. Nuk ikim më prej këtu. Do protestojmë të kemi kushte më të mira siç kanë kuajt, ose përndryshe do flemë të gjithë këtu.
Dhe kështu biseda mori një drejtim të papritur. Kafshët e shpendët e fermerit vendosën të kërkojnë të drejtat e tyre.
Kur stuhia pushoi, në mëngjes kafshët e zgjuara qëkuri ose të pafjetura fare dëgjuan hapat e fermerit të afroheshin. Me hyrjen e tij në stallë, u fut një rreze e bukur dielli. Disave mund t’u dukej edhe si nje fije shprese.
Fermeri, ndryshe nga ata fermerët e filmave amerikanë që mbajnë kapele “cowboy”, dhe çizme, u shfaq i veshur me një palë galloshe të vjetra, një triko leshi dhe një shkop në dorë, dhe pa fjalë fare, pa thënë as mirëmëngjes, iu afrua lopëve, dhe ashtu duke i rënë lehtë në të pasme, i orientoi ato drejt derës. Lopët nuk nxorrën asnjë zë, për bé asnjë vickël, por veç u bindën dhe ecën drejt portës.
Pastaj u erdhi radha pulave e gjelave të cilët me pak naze duke peshuar lehtë majtas e djathtas, bënë si bënë dolën prej stallës dhe fluturuan për tek kotecët e tyre.
Kuajt sodisnin skenën, disa me gojën e hapur, disa me atë kokën e anuar sikur refuzonin të përballeshin plotësisht me realitetin, dhe disa të tjerë dukeshin sikur po zgërdhiheshin.
Delet ishin mbledhur në tufë dhe po prisnin. Fermeri iu afrua, ua përkedheli leshin butësisht, dhe kuptoi se koha e qethjes po afronte. U doli nga pas dhe me atë shkopin që mbante në dorë u bëri shenjë të lëviznin. Ato të ngratat, ashtu të trembura e si të sapozgjuara, u turrën përjashta në tufë, përveç asaj, deles së zezë.
Po ti moj zeskë, pse ndahesh nga tufa? Mos do të të hajë ujku apo të të çoj tek kasapi ?- foli me vete fermeri.
Delja e zezë nuk u ndje. Domosdo, ajo nuk mund t’ia këndonte mendimet fermerit. Por ama ajo mund ta shihte atë drejt e në sy sikur t’ia lexonte. Fermeri, i cili pësoi një drithërim sfide ndër deje nga kjo kafshë që edhe pa brirë dukej sikur të ishte një dash i gatshëm për dyluftim, vendosi të bisedonte me delen e zezë. U ul pranë saj dhe i tha:
-Më thuaj pra, çfarë kërkon? Pse nuk i bashkohesh tufës?
Sepse ndihem e huaj mes tyre. Ato kopjojnë tufat e njerëzve. Dhe unë nuk dua të jem si ato- u përgjigj Delja e zezë.
-Po ti nuk je nje dele çfarëdo, ti je dele e zezë- ia priti Fermeri.
-Po, por sërish jam një dele. Unë dua të jem njeri- vazhdoi ajo.
-Po ty sikur nuk të pëlqejnë shoqet e tua që kopjojnë sjelljet e njerëzve, pse kërkon të jesh njeri? –pyeti si me kuriozitet dhe dyshim fermeri.
-Që t’u mësoj njerëzve një sjellje të re - sqaroi Delja e Zezë.
-Çfarë është kjo?-kuriozoi fermeri.
-Të dalin nga tufa, të dalin nga tufaaa – thërriti delja ndërkohë që ia kërciti vrapit me të katra drejt lëndinës përtej fermës.
©JetaDedja


















