Guxo ta përdorësh mendjen tënde! - Nga Klodi Stralla

Klodi Stralla
“SAPERE AUDE!” është një shprehje e vjetër latine që do të thotë: “Guxo ta përdorësh mendjen tënde!”. Shekuj më vonë kjo shprehje u bë parrulla qëndrore e Iluminizmit europian të shekullit XVIII, gjë që mundësoi përmbysjen e Absolutizmit, mbretëror dhe klerikal, dhe i hapi rrugën Racionalizmit (Arsyes) dhe Demokracisë në qeverisje.
Iluminizmi, nga ana e vet, shënoi daljen e Njerëzimit nga stadi i tij foshnjor, pra nga paaftësia për ta përdorur mendjen e vet, të pandikuar nga një mendje tjetër (indoktrinimi), drejt pjekurisë, pra mendimit të lirë dhe kritik mbi realitetin që na rrethon.
Kjo shprehje bëhet veçanërisht aktuale sot në prag zgjedhjesh. Premtime natyrisht ka shumë, si nga kandidatët ashtu edhe nga partitë, që qëndrojnë pas tyre. Do të ketë edhe joshje me perfitime materiale. Prandaj duhet të jemi syçelët dhe mendjehapur për ta dalluar demagogjinë dhe flakur tej me votë demagogun.
Demokracia është një mënyrë qeverisjeje që të lejon ta ndryshosh periodikisht, pa gjakderdhje qeverinë (qendrore apo vendore), nëse ajo nuk i ka mbajtur premtimet.
Le të bëhemi kësaj here “vlerësues’” të mirë, për të mirën tonë, përndryshe i meritojmë ata që na kanë hipur mbi krye!
Klodi Stralla



















