Blog

Shqiptarët dhe Evropa - Nga Xhevdet Nasufi

Sadoqë të falenderohemi, bile edhe të përkulemi të egzaltuar para ndihmes evropiane për çlirimin e Kosovës dhe për ecjen drejt zhvillimit, tundimet e Evropës për sovranitetin teritorial  të Kosovës  ringjallin historinë trishtuese të ndarjes së tokave shqiptare. Vallë a po përsëritet historia dhe fakti se paanësia e Evropës është irealitet? Edhe më trishtuese se kjo, nëse dikur vetë shqiptarët ishin në pamundësi të kundërshtojnë këtë paanësi të Evropës, pse sot shqiptarët në Ballkan (janë me favore) po e keqkuptojnë, e dëshirojnë (?!) dhe në amoralitet e ndihmojnë, me dashje apo pa të, këtë paanësi?

Bashkëkohësia shqiptare, ajo në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi (gjithmonë shqiptarët vendim-marrës në pushtet) e konsideron dhe po sillet sikur vetë Evropa, në përballje me kastat politiko-kriminale në Ballkanin gjithmonë të trazuar (Kosova në sfond). Në rrethana të këtilla dhe pretenca publike serbe, politika, ne me bukë e ata me dhunë është dekurajuese. Duam ne apo nuk duam të pranojmë, në Ballkan edhe mëtej kastat politike shovensite sllave prodhojn kaos, tundje dhe pasiguri, në Kosovë posaçërisht.

Pas marrëveshjeve të fundit mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel dhe Ohër sikur u hodh një qartësim premtues për perspektivën. Por ama, doli ashtu siç edhe pritej, sepse sllavët me lehtësi pajtohen dhe mirësillen për të propaganduar paqe, por jo edhe për ta praktikuar atë, që të ndryshojn idenë epike shekullore të tyre për ekspanzion dhe hegjemonizëm.

Në 23 prill 2023 Kosova reflektoi natyrshëm për të përmbushur detyrimin ligjor-demokratik dhe organizoi dhe realizoi zgjedhjet vendore në Veri të Kosovës. Akti i demokracisë reale zgjedhore u përmbush në më të mirën mënyrë. Edhe përpos elementëve politiko-diplomatikë, apo edhe konspiracioneve strategjike nën rrogoz, vetëm zgjedhja e katër kryetarëve shqiptarë në Veriun e Kosovës, sikur gjithnjë e më shumë po prodhon konspiracion, por edhe më shumë asocim, se Veriu i Kosovës është pjesë e Serbisë dhe jo e Kosovës. Jo pak këtij asocimi me apo pa dashje i fryjnë edhe shqiptarë politikanë dhe opinionistë, përderisa heshtin trishtueshëm.

Po pse e tërë kjo paqartësi? Siç dihet Serbia zyrtare në fazë paraprake zgjedhore ushtroi presion që serbët të mos dalin në zgjedhje dhe kjo prodhoj frikën e duhur për mosdalje të tyre. Gjithsesi, ishte absurd sui gerneris. Përkundrazi, destruksioni serb që është dashur të sulmohet nga Evropa e Bashkuar u konvertua në presion ndaj Kosovës pse i zhvilloi zgjedhjet. Absurdi i dytë sui generis: Gjithsesi presioni joparimor Kosovës vazhdon karshi një animi të sforcuar, argumentum a contrario Serbisë. Kosova po i ekspozohet presionit joparimor diplomatik që të çbëjë zgjedhjet e mbajtura, të përtypi vetëdijshëm paligjshmërinë e anulimit të tyre duke u gjendur në sipërfaqe të pambrojtur dhe të papërshtatshme në të cilën vetësakrifikimi është zgjidhje. Harroi Evropa se gjithkujt mundet t’i merret me dhunë gjithçka, por jo edhe t’i jepet me dhunë, sikur po tentohet t’i jepet Serbisë.

Në këtë mosmarveshje të madhe, mjegullnajë dhe rrezik politik, evropianët Borell dhe Lajçak me deklarimet paszgjedhore njësohen në vija të trasha me qëndrimin e Vuçiçit që nuk i njeh zgjedhjet vendore të mbajtura në Veriun e Kosovës në 23 prill 2023. Edhe më keq se kaq, Vuçiçi pas zhvillimit të tyre publikoi tezën neveritëse: Serbët në Kosovë me vullnetin e mosdaljes në zgjedhje (vullnet që e imponoj Serbia) nuk dëshirojnë të jetojnë me shqiptarët, andaj edhe u duhen vijat e ndarjes. Sigurisht, këtë e dëshiruan edhe serbët në Bosnjë dhe e kanë Republiken Serbe, por vallë a nuk mundet po të njejtën ta dëshirojnë dhe ta kenë shqiptarët në Serbi, apo në Maqedoninë e Veriut, sikur Kosova dhe Shqipëria ta kërkojnë këtë, ndërsa Evropa në heshtje ta përkrahë?

Një trashëgimi që duhet çmuar, e lënë nga ish-kancelarja Merkel, gjithsesi është kundërshtia e saj ndaj tezës të ndarjes së Kosovës. Mu për këtë, është e pakuptimtë heshtja si në Bruksel, në Tiranë dhe Shkup ndaj një ideologjie vuçiçiane që me shekuj sfilitet mbi shqiptarët dhe që po shtrihet si agjendë edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

Është për të ardhur keq, si Tirana, Shkupi, Titogradi shqiptar nuk e kanë vendosmëri në mbrojtjen e përcaktimit evropian të shqiptarëve, kombdashurinë e legjitimuar evropiane, por as luftimin e pakompromis të prapambetjes mesjetare, sllave që prosperitetin e vet e projekton në armiqësi dhe zhdukjen e të tjerëve, shqiptarëve në veçanti.

© Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut