Sarah, në shpëtim të planetit - Nga Jeta Dedja
Ua sa fustan i bukur? Ku e ke blerë? - pyeta shoqen time sapo u takuam.
-Te dyqani i rrobave të përdorura. - më thotë gjithë krenari dhe ndërkohë të dyja drejtohemi për te kafeneja e shkollës.
Unë nuk e fsheha habinë, duke ditur që mikja ime i kishte të gjitha mundësitë për të blerë çfarëdo dhe kudo.
Por ajo është një person që beson se çdo njeri duhet të bëjë diçka në mbrojtje të mjedisit. Sarah mendon se nëse njerëzit nuk do të blinin rroba të reja çdo vit, fabrikat do të prodhonin më pak e si rrjedhojë do të emetoheshin më pak substanca të dëmshme në ajër.
Jeta, unë bëj detyrën time si qytetare, - më sqaron shoqja. Më ke parë që makinën po e përdor shumë rrallë apo jo? Kur është verë marr biçikletën, në dimër transport publik. Kam hequr dorë nga mishi, djathi, veza, fluturimet, kozmetika dhe parfumet.
Duke shpjeguar iu tha pështyma nga të folurit me pasion dhe nxorri nga çanta e saj miqësore me ambientin shishen e ujit, sigurisht joplastike.
Sarah, nuk mendon se e ekzagjeron pak, - i them duke marrë kafen time në një gotë letre të riciklueshme. Të ndërrosh komplet stilin e jetës për të shpëtuar planetin, më duket jorealist si plan. - vazhdoj unë.
Por Sarah këmbëngul se do vija dita që shumica do mendojnë si ajo, e aty për aty më kujton se edhe unë po kontribuoja nga pak qëkur fillova të merrja drekën me vete, të punoja me shtiza shallin tim, mbillja pemë dhe erëza në bahçe dhe blija prodhime lokale.
Po po, - e siguroj unë me të qeshur. Ja, më shiko, kam hequr dorë dhe nga buzëkuqi si dhe nga kafeja me pjatë e filxhan, duke i treguar gotën prej letre që mbaja në dorë.
E ekzaltuar, Sarah sugjeron se unë mund të filloja të praktikoja part-time stilin Vegan, për hir të dashurisë për kafshët.
E garantoj miken se kontributin në këtë drejtim do e jap duke mos shkuar më në Zoo apo cirk, por ende nuk isha gati të hiqja dorë nga çizmet e lëkurës në dimër.
Sarah me një tundje të lehtë të kokës më jep të kuptoj se është pranuese dhe tolerante ndaj diferencave dhe duke hapur derën e sallës ku do mbahej një trajnim më pyeti se çfarë parfumi kisha hedhur.
Mba shënim! - i them, - se njëherë do e përsëris: “Merr fillimisht myshk, amber, sandalud, vanilje, vetiver dhe paçuli. Pastaj shto ca iris, jasemin, trëndafil, dhe zambakë. Në fund leng-leng, neroli, bergamot dhe limon, dhe kështu ke krijuar parfumin tim eko-miqësor”- e mbyll unë recetën dhe bisedën duke gjerbur kafenë etiopiane nën vështrimin zhbirues të mikes sime.
© Jeta Dedja


















