Burri me bluza me vrima - Nga Endrit Mullisi
Përpara ca vitesh u takova me dikë që jeton në anën tjetër të Kanadasë. Miq të përbashkët, qëllim i përbashkët. Ngjitemi ndërsa bëmë biseda. Të dy me nga një fëmijë të së njëjtës moshë. Ai i më i madh se unë, fëmijë i një inxhinieri që kishte parë shumë vende të botës që i vogël, për shkak të punës së babait. I lindur në një nga vendet skandinave dhe i vendosur përfundimisht në një nga provincat e Atlantikut. Vjen herë pas here në Toronto, sepse takon dy herë në vit prindërit pleq, që jetojnë në një fshat në veri të Ontarios. Dhe gjithmonë gjen kohën që të më takojë aty ku mua më ka ardhur për mbarë.
Person me dy universitete, me të pakten 4 gjuhë të huaja, më sfidoi herën e parë kur erdhi në shtëpine time. Sandale, xhinse të zbardhura dhe një bluze me disa vrima të dukshme. Nuk thashë gjë herën e parë, por e vura re dhe një herë tjetër. Më bëri sërish përshtypje dhe sërish nuk i thashë gjë. Mendova: “Inxhinier miku dhe nuk e ka vrarë mendjen të veshë një bluzë tjetër”. Nuk ishte një nga bluzat që janë grisur apo vrimosur që në fabrikë si pjesë e modës së fundit. Ishte bluzë e përdorur shumë herë, e pastër, por e vrimosur.
Fakti është, që edhe unë kam ca bluza që nuk i vesh jashtë shtëpisë, ca me njolla, ca me jakë të rrudhosur dhe tek-tuk ndonjë që është vrimosur nga shumëpërdorimi. Unë e kam shumë bezdi të hedh gjëra që mund të përdoren. Por më del parasysh ai: OPINIONI. Çfarë do të thonë të tjerët po të shohin që unë po vesh një bluzë demode, të vjetër, apo dhe me vrima? Kushedi sa fytyra më dalin përpara me mimikën e tyre të veçantë, që edhe pa fjalë më thonë: “Edhe ti me bluzë me vrima? Hajt se të jap unë bluza, veç mos më dil ashtu”.
Ajo që dua të them me këtë histori të vërtetë, është sesi e shohim ne veten dhe të tjerët. Personalisht kam arritur në një pikë, që vlerësimi ose mosvlerësimi i të tjerëve ka shumë pak ndikim në atë që unë bëj dhe them. Aq me pak “kodi i veshjes”. Që kur u bëra i krishterë m’u hapën sytë të shikoja kotësinë e të investuarit në pamjen e jashtme, kur e brendshmja qelbet. I kuptoj arsyet e dikujt që përpiqet të vishet trendy dhe deri diku jam dakord që të vishesh bukur, por a ka kufij dhe udhezime?
Vite më parë më kujtohej kur vajzat dilnin të blinin bukë tek lagja dhe visheshin si për xhiro. Edhe pa qenë nevoja për të parë revista, apo modele, vëzhgimi i njëri-tjetrit pa kuptuar, krijon një lloj mode dhe pa kuptuar secili përpiqet të vishet në atë mënyrë. Bluza të shtrenjta që kanë simbolin apo emrin e një kompanie. Po ashtu aksesorë të llojeve nga më të ndryshme, ku më shumë kushton emri sesa materiali.
Miq, kur vishni rroba firmato, a po vishni rrobën, apo po i tregoni botës që keni mjaftueshëm lekë, për të blerë edhe një rrobë të tillë? Pavarësisht se janë kode të shkruara dhe të pashkruara sesi mund të vishesh në vende pune apo kur shkon diku, ajo që une po ftoj për të reflektuar është: sa vëmendje i japim pamjes së jashtme, sidomos kur e dimë që do jemi nën vëzhgimin e të paktën një personi?
A je i/e lirshëm të vishesh ashtu siç ti ke dëshirë, apo presioni e asaj që presin të tjerët të bën të dalësh nga vetvetja? A investon kaq shumë për atë që të tjerët shohin, sa harron të kujdesesh për njeriun tënd të brendshëm (njohuri, dituri, etj.)? A mos ndoshta ti mendon që gjithçka në jetë është sipërfaqsore, si veshjet, marrëdhëniet me të tjerë, qoftë dhe me pjestarët e afërt të familjes?
Ndoshta sot gjen një bluzë me vrima dhe mbaje nëpër shtëpi, apo në oborr, apo duke bërë një ecje në rrugë. Shiko nëse njerëzit do të respektojnë njësoj. Ndoshta është koha të testosh miqtë e vërtetë, dhe për këtë kërkohet veç të veshësh një bluzë me vrima.
© Endrit Mullisi - Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare, Toronto





















