Blog

Ndryshimi mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Pyetjes se ku është ndryshimi mes Albin Kurtit dhe Ramës, është fare e thjeshtë t'i përgjigjesh. Kur Albin Kurti protestonte për lirinë e Kosovës, Rama bridhte kodrave të liqenit në Tiranë. Një tip endacaku që nuk po gjente dot vend në të ashtuqujturën lëvizje opozitare, një farë rryme e re politike, më shumë me intelektualë që kishin kuptuar dështimin e ekonomisë se centralizuar, por pa bindje të qarta për të shpallur një realitet perëndimor politik. E ashtuqujtuara lëvizja e pardesyve bezhë, veçse në ndryshim nga këta ai mbante një kapotë të zezë për hobi apo për të bërë dallim.

Kur Albin Kurti i shëbente si sekretar përfaqësuesit të UÇK, Adem Demaçi, Rama shiste ikona rrugëve të Parisit. Madje përflitet se është edhe i dënuar aty. Kur Albin Kurti u burgos dhe me shumë shqiptarë të tjerë u transferuan nga Prishtina në qelitë e Beogradit, Rama mori një ftesë nga Fatos Nano për t'u bërë ministër i Kulturës, erdhi me shumë zhurmë dhe thoshin se jetonte diku nga Peza. Albin Kurtin Gjykata e Nishit e dënoi me 15 vjet heqje lirie dhe ai deklaroi se “nuk ka rëndësi se sa vite më dënoni, e bëra për Kosovën. Dhe kur të dal do ta bëj rishtas”. Nga 15 vjet, bëri plot 3 vite burg. Kjo falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve dhe rënies së Milosheviçit nga pushteti.

Kur Albin Kurti u lirua nga burgu në Beograd, u diplomua dhe formoi një lëvizje me drejtim social për liritë dhe të drejtat e njeriut, por që shpejt u kthye në një prurje politike e cila sot ka emrin Vetvendosje, ndërsa Rama u bë kryetar bashkie në Tiranë, inicioi Lëvizjen “Mjaft”, me fonde sa të Bashkisë aq edhe nga Fondacioni Soros dhe i hëngri kokën pikërisht atij që e pruri nga Franca, Fatos Nanos. Edi Rama dhe Lëvizja “Mjaft” i kishin shpallur një luftë frontale Fatos Nanos. Shkurt Partia Socialiste ishte në një lufte brenda llojit nga ku u formua edhe LSI-ja.

Më pas, Albin Kurti shiti apartamentin për të financuar krijesën e tij, Lëvizjen Vetvendosje tashmë me qëllim drejtimin e Kosovës, por edhe me idenë e bashkimit kombëtar. Gjithnjë nën idenë e bashkimit kombëtar, degë të Vetvendosjes do hapeshin edhe në Tiranë. Albin Kurti është tashmë edhe qytetar i Republikës së Shqipërisë, atdheut amë, përpjekjes historike nga Skënderbeu deri tek Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj. Pa lënë mënjanë heronjtë e fundshekullit kur tashmë shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre, Adem e Hamzë Jashari. Kurse Edi Rama, tashmë kreu i opozitës ka ngritur në mes të Tiranës disa çadra beduinësh dhe bojkoton Parlamentin me një arsye vulgare, hapjen e disa kutive të votimit të vitit 2009.

Kur Edi Rama mposhti Fatos Nanon dhe mbajti Bashkinë e Tiranës me ndihmën e Ilir Metës, Albini devizën e tij politike e ngriti nga dheu, nga toka e shqiptarëve. Qëllimi: shqiptarëve, vetëm atyre u takon të vendosin për fatin e tyre. E drejta e referendumit është e drejta e vokacionit shqiptar. Pra, ndërsa Edi Rama një ekstravagant plangprishës i regjimit Hoxha, mori Partinë Socialiste me metodat e tragjedive shekspiriane, Albini krijoi vetë një lëvizje në funksion të shqiptarëve.

Edi Rama provoi të gjitha metodat e mundshme radikale, bojkotin, kamerat e fshehta, me videoskandalet, ku radhën e kishin pikërisht suportuesit e tij (e kam fjalën për Ilir Metën dhe kamerën e fshehtë me të ndjerin ministrin e Energjitikës në qeverinë Berisha). Në janarin e vitit 2011, provoi protestat e dhunshme, ku humbën jetën 4 qytetarë. Nuk iu bashkua konsensusit të kërkuar nga qeveria dhe Europa, për të nëshkruar çeljen e negociatave, edhe pse pranoi të darkonte në të famshin restorant me emrin Krokodili në Strasburg, me kundërshtarin e tij politik Sali Berisha. Atë mbrëmje, Europa kërkoi që t'i jepej fund krizës politike në vend, në mënyrë të atillë që Shqipërisë t'i hapin dyert për në Europë. Por Edi Rama nuk nënshkroi.  Arsyeja sipas tij, standartet e mungura të demokracisë. Për të justifikuar firot e tij politike, në vitin 2021, kur dominonte Parlamentin me deputetët e listave, ndryshoi kriteret në Ligjin për shpalljen dëshmor të atdheut, ndryshime që nuk kishin ndodhur nga viti 1968.  

Krejt ndryshe, Albini me shokë, edhe pse ishin marre zvarre nga forcat e UNMIK apo Policia e Kosovës, prapë nuk kaluan asnjë vijë të kuqe që cënonte fatin e Kosovës në rang europian. Megjithatë, Edi Rama u bë kryeministër i Shqipërisë me plot 1 milion vota. Por nga ajo kohë, ka ndryshuar sistemin zgjedhor, ka marrë të gjitha pushtetet dhe më fatkeqja, mbajti votime, jo zgjedhje, në vitin 2019, sepse hyri në zgjedhje pa asnjë kundërshtar dhe fitoi brutalisht 61 bashki të vendit. Dhe Harbutërisht, bash nga Beogradi, sot Edi Rama kritikon zgjedhjet në Veriun e Kosovës, pikërisht faktin e pjesëmarrjes së ulët në votime. Megjithëse Albin Kurti nuk ka bërë asnjë krim elektoral, por krimin e kanë bërë ata që bojkotuan, që nuk duan të njohin qeverinë e tyre.

Edi Rama qeveris edhe sot, por nuk i ka më 1 milion vota. Edhe pse pa kundërshtar, “fitoi” me afro shtatëqind mijë vota, aq sa numri i anëtarësisë së Partisë Socialiste. E cila në raport me kohën e Fatos Nanos, nuk është më partia e socialistëve, pasi dominohet nga diplomat fallco, ndërtuesit informalë dhe klanet e bizneseve të pista. Dhe Edi Rama nuk fle më në Pezë, si bohem, por ka një kompleks bizarr privat diku rrëzë Dajtit. E gjeti borxhin publik 64% dhe sot e ka çuar në 104%.

Edhe Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës në vitin 2020, por nuk ka ndryshuar asnjë ligj a sistem zgjedhor, nuk ka marrë shumicën në komisionin zgjedhor, as gjykatat dhe as e ka ndërmend të bëjë zgjedhje-votime. E gjeti borxhin publik të Kosovës 23% dhe po aq është edhe sot e kësaj dite. Punon me përkushtim për funksionimin e demokracisë në vend dhe me idenë e bashkimit kombëtar, kurse Edi Rama e ka kthyer demokracinë në shkërdhatokraci. Albin Kurti punon përfuqizimin e kushtetueshmërisë qytetare, kurse Edi Rama për “kushtetueshmërinë” e vet. Të ardhurat mujore të qytetarit shqiptar, janë 267 euro, ato të qytetarit shqiptar të Kosovës 400 euro. Emigranti shqiptar nuk ka të drejtë vote, kurse emigranti shqiptar i Kosovës ka të drejtë vote. Sa herë që bëhet fjalë për Kosovën, Albin Kurti takon kokë më kokë të gjithë liderët e opozitës. Edi Rama bën të kundërt, punon për shpërbërjen e opozitës.

© Ilir Levonja