Blog

Kultura e bakshishit - Nga Jeta Dedja

Isha në një qendër tregtare dhe më mori uria. U drejtova për në sheshin ushqimor ku ofrohen lloje të ndryshme gatimesh. Bëra porosinë që u vendos në një tabaka dhe do paguaja. Para se të trokitja kartën bankare në aparatin interaktiv, në ekran ishte shfaqur opsioni i zgjedhjes së bakshishit 10%, 15%, 20%.

Ndërkohë që punonjësi m’i kishte ngulur sytë e priste që të mbaroja procesin, unë si kliente për të mos u treguar dorështrënguar zgjodha opsionin e mesit  edhe pse nuk isha shumë dakord me zgjedhjen. Në Kanada konsiderohesh i pasjellshëm nëse nuk lë bakshish në industritë e shërbimeve duke menduar se punonjësit paguhen pak dhe bakshishet janë rregullator i të ardhurave të tyre.

Im bir më tregoi më vonë në shtëpi se në disa stacione të tilla ku ushqimet janë pothuaj gati ndodh shpesh që bakshishet i merr pronari dhe nuk ua shpërndan punonjësve. Si rrjedhojë punonjësve nuk u duhet të bëjnë përpjekje ekstra për t’u pëlqyer klientëve për të përfituar bakshish më shumë, thjesht bëjnë punën. Ndërsa klientët të rritur me kulturën e bakshishit e lënë atë sipas opsioneve që u ofrohen, ku një ndër to është edhe zero bakshish.

Dhe filluam kështu të diskutojmë kulturën e bakshishit, ose bahshish një fjalë turke kjo që ka kuptimin e dhënies së një shpërblimi dikujt për një shërbim të vogël që ka bërë për ty.

Në frëngjisht vumë re se fjala “pourboire” do të thotë “për të pirë” duke përcjellë kuptimin se bakshishi u jepej punëtorëve për të pirë diçka për t’u argëtuar pas punës së lodhshme.

Thuhet se Amerika e Veriut përvetësoi kulturën e bakshishit prej Europianëve që të dukeshin aristokratë e të sofistikuar si ata, por që t’i jepnin pak më tepër autenticitet e çuan në një shkallë tjetër. E përcaktuan me rregull se sa duhet t’i japësh atij që të shërben ushqimin. Bakshish jepet edhe te berberi e parukierja, si edhe në hotele a taksi. Kudo që merr një shërbim, mendohet se duhet lënë bakshish.

Po në Shqipëri si funksion bakshishi? - më pyet djali.  

Në kafene e restorante kamerieri të kthen tepricën por klienti zakonisht ia lë bakshish çfarë mbetet e më tepër, sipas vlerës së porosisë.  

Por, - shtova unë, për ta zgjeruar pak fokusin, në Shqipëri presin bakshishe që e quajnë zarf, kafe apo porosi edhe gjyqtarët, ministrat, kryeministrat, pra që të mos i rendis me rradhë emërtimet, pothuaj të gjithë presin bakshishe duke menduar që e bëjnë punën e tyre (duke vënë thonjëzat me gishta) aq mirë dhe në shërbim të popullit sa e meritojnë një vlerësim të vogël që shpesh nuk është aq i vogël.

Tim biri nuk i pëlqeu që njerëzit nuk mjaftohen me rrogën që marrin për të cilën kanë rënë dakord që në fillim të angazhimit të tyre profesional. Nuk reshtte së bëri pyetje pas pyetjeje për të kuptuar korruptimin e njeriut, a është natyra e tij apo struktura e shoqërisë duke u bazuar sa tek Hobbes a sa tek Russeau. Por filozofia na erdhi në ndihmë aq sa për të diskutuar e kuptuar, duke na lënë sërish në habi e pa zgjidhje të pëlqyeshme e premtuese.

©JetaDedja