Blog

Më mirë vazhdimi i konfliktit sesa nënshtrim ndaj Serbisë së Emmanuel Macron - Nga Enver Bytyçi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së të hënës së shkuar bërë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, sa i përket masave kundër Kosovës, nëse nuk ka përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Macron për elokuencë përmendi Serbinë dhe Kosovën, edhe kur theksoi se mund të rishikohet vendimi për liberalizimin e vizave. Por presidentja Osmani nuk e lexoi si barazpeshë një lidhje të tillë. Eshtë e ditur se Serbisë nuk mund t’i pezullohet lëvizja e lirë në vendet Shengen, sepse ajo e ka përfituar këtë të drejtë para 14 vitesh dhe nuk ka ndodhur që pas më shumë se një dekade të merret një vendim i tillë.

Por disa media në Kosovë kanë nxituar të ribotojnë fjalën e Macron, me qëllim që t’i thonë publikut, se “Presidentja Osmani reagoi pa arsye, pasi presidenti francez kërcënoi me pezullimin e vizave edhe Serbinë”. Pra, se në fjalën e tij kishte një ekuilibër. Edhe kësaj radhe mediat në fjalë, gjithnjë shqipshkruese e shqipfolëse, bënë lojën e aktorëve e faktorëve anti-shqiptarë. Sepse nuk do as mend e as kalem të kuptosh se kujt i adresohej kërcënimi francez për pezullim vizash. Adresa e tillë ishte vetëm Kosova. Por duhet ta duash atdheun si Vjosa Osmani, që ta lexosh e kuptosh realitetin përmes rrjeshtave që artikulojnë Macron, Vuçiç, Rama apo dikush tjetër. Mesa duket, kur bëhen deklarime si ai i Macron, me të cilin tentohet të dënohen qytetarët, pse ata janë të lirë të zgjedhin qeveritarët që duan, është i parapërgatitur edhe kundërreagimi.

Nuk prisja që presidentja e Republikës së Kosovës apo ndonjë drejtues tjetër i lartë të kishte këtë reagim ndaj deklaratës së presidentit francez. Jemi mësuar që liderëve të këtij formati të mos u reagohet, së paku zyrtarisht. Por reagimi dhe madje përgjigja me kërcënim e zonjës Osmani përbën një risi. Ajo i tha homologut të saj francez, si dhe liderëve europianë, se “nëse qytetarët e Kosovës nuk lëvizin lirisht e pa viza në janar të vitit të ardhshëm, atëherë dialogu me Serbinë merr fund një herë e përgjithmonë”. Po të ishin paraardhësit e Vjosës do t’i përuleshin padishahut francez dhe do të thonin: “Na fal zotëri, ne jemi gati që Serbisë t’i japim gjithçka, edhe territor, mjafton që të na liberalizoni vizat”. Me këtë premtim ata e nënshkruan demarkacionin me Malin e Zi dhe asosiacionin me Serbine në vitin 2015.

Por Vjosa Osmani e Albin Kurti nuk ishin e nuk janë pjesë e estabilishmentit pro-francez e për rrjedhojë pro-serb e pro-rus të Kosovës e të Shqipërisë. Pikërisht me këtë arsye duhet shpjeguar edhe një lloj konflikti midis palëve. Por kjo është temë tjetër. Kosova është me fat që u rrëzua kasta e vjetër dhe ka tashmë një lidership të përgjegjshëm që mendon për interesat e vendit dhe jo për interesin momental të pushtetit të tij. Kosova është e sigurt, sa kohë që politikanët e saj përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve dhe mbrojnë interesat e vendit.

Por Macron duket se nuk është dakord dhe nuk e parapëlqen këtë lidership në Kosovë. Presidenti francez madje është kundër ekzistencës së liderëve të sotëm. Deklarata e tij është në fakt thirrje për qytetarët e Kosovës që të heqin dorë nga mbështetja për këtë lidership. D.m.th. nënteksti i deklaratës së tij është se “nëse ky lidership që ju qytetarët e Kosovës e mbështetni nuk realizon ato që them unë (Macron), atëherë dënimi do të jetë për ju. Do t’ua pezulloj vendimin për liberalizimin e vizave”. Kjo do të thotë se presidenti i një vendi që shet parime të demokracisë sillet si sulltan ose mbret i absolutizmit në raport me popujt dhe kombet e tjerë.

Shkaku? Interesat gjeostrategjike të Francës. Apetitet e saj që përmes Serbisë ta mbajë nën kthetra Ballkanin. Këtu e kanë burimin të gjitha iniciativat e këtyre dhjetë viteve për zhbërjen e Kosovës si shtet. Ne na kujtohet kur Rama dhe Hashimi e ndiqnin Macron-in nga pas deri në Armeni për ta bindur që të ndahet Kosova. Franca është e njohur edhe për pishmanllëqe. Por nuk dëshiron të thotë se bëri gabim që e njohu shtetin e Kosovës. Ndaj dhe përdor metodat mafioze shtetërore për ta zhbërë atë që ka vendosur vetë, sipas parimit “edhe mishi të piqet, edhe helli mos digjet”.

Deklarata e Emmanuel Macron ishte skandaloze, e paprecedent. Ishte kërcënim për lirinë e dy milion banorëve të Kosovës, për të cilët tashmë është vendosur lëvizja e lirë në Europë. Të kërcënosh me heqjen e lirisë kolektive një komb dhe të pretendosh se mbron demokracinë dhe lirinë, është gënjeshtra më e madhe e padëgjuar ndonjëherë. Të tentosh të penalizosh zgjedhësit e një vendi (shteti) pse përfaqësuesit që ata zgjedhin nuk i binden Macron-it, është absolutizëm, totalitarizëm. Nuk e di se si mund ta drejtojë një vend si Franca një president i orientuar nga autoritarizmi absolut.

Deklarata e Emmanuel Macron shkon në favor të plotë të Serbisë agresore e të përkëdhelur nga presidenti i Republikës së Francës, thjeshtë për interesa të ngushta. Ndaj dhe deklarata e tij ushqen padrejtësinë. Padrejtësia është gjithmonë burim konfliktesh. Mesa duket Macron-it i pëlqen konflikti. Dhe presidentja e Kosovës, zonja Osmani, ia përkujtoi se qëndrimet e tij politike vetëm se bllokojnë dialogun dhe sjellin përshkallëzim të konfliktit.

Më mirë vazhdim i konfliktit Kosovë-Serbi, sesa nënshtrim ndaj Serbisë së Macron-it!

© Enver Bytyçi