Blog

Një rrëfim çapraz, me pishina dhe… pensionistë - Nga Vangjush Saro

Është shkruar disa herë (edhe nga autori i këtyre radhëve) për pagat e papranueshme të jerarkëve në Shqipëri; për ato TV-të që po tallen me njerëzit; për jetën e vështirë të pensionistëve; për shuarjen e zërave në PS e, përgjithësisht, për farsën politike në Shqipëri; për marrëzitë e komisioneve të MASH, ndërkohë që shtëpitë botuese përfyten dhe snobët e grafomanët fitojnë terren; për teprimet në natyrë e në jetën njerëzore që (disa thonë se) vijnë nga Perëndimi dhe, që ta mbyll këtë frazë, se zgjati shumë siç do të vërente S. Becket, e drejta nuk gjendet asnjëherë. Kështu, ndodh që të shkruarit të lë në baltë… E në këto raste, përpiqemi t’i fusim “një mendje të lehtë”; se fundja, njeriu ofron aq sa mundet.

Kështu doja ta hartoja edhe këtë shënim me pishina e… pensionistë. Se kur themi pishinë, me të drejtë na shkon mendja te dëfrimi. Për herë të parë, kam hasur një të tillë në Korçën e viteve ‘60, ende fëmijë. Ajo ishte diku në krah të stadiumit “Skënderbeu”. Atje kam parë edhe ndeshje vaterpoli, siç thoshim ne; (Water polo). Nuk e kisha menduar asnjëherë se pas kaq kohësh, pishina do të zinte vend mirë në jetën tonë; në fillim duke ndjekur fëmijët, qysh bebe e tash të rritur, por këto kohë duke i frekuentuar edhe vetë.

Në Vankuver dhe në qytetet që përbëjnë atë që quhet “Greater” (apo edhe Metro Vankuver) ka shumë pishina, parqe, fusha lojërash, ambiente që këta i quajnë “Recreation center”. Në fakt, edhe këtu jeta s’është e lehtë, sidomos për çiftet e reja dhe për të sapoardhurit, që të mos flas për ndonjë rrugë të mbushur me të pastrehë; mbase bota gjithandej po shkon tatëpjetë. Por prapë, ca gjëra këta i kanë “në vijë”. E them këtë sepse shohim në pishina gjithë moshat, edhe të vjetrit. Vetëm në një “klasë” nga ato ku zhvillohet Aqua fitness, gjenden rregullisht 50 ndjekës, shumica gra të moshuara. (Dhe janë disa klasa të tilla gjatë gjithë ditës e gjithnjë, dhe pa pushim.)

Tani, unë nuk dua të bëj interesantin, e di që s’janë me vend krahasimet dhe përplasja e përvojave, por gjithsesi, habitem: dreqi ta hajë, si ia dalin ato, ata, të jenë gjithnjë në pishina dhe… si ia del shteti që i mban gjallë këto mjedise (!) Ndryshime të tilla, kur një palë llogarit mirë shpenzimet për ilaçet, ujin, dritën, ushqimet, kafen, nuk di ç’më shumë, kurse një palë tjetër mund të ndjekë pishinat e sportet… ja këtu unë s’i fus dot “një mendje të lehtë”.

© Vangjush Saro