Blog

Agresion shtetëror, jo akt terrorist - Nga Jusuf Buxhovi

Nga shpërthimi e këndej, përfaqësuesit politikë dhe diplomatikë të shtetit të Kosovës, ngjarjen tragjike të 24 shtatorit e kanë cilësuar akt terrorist.

Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për akt terrorist, por për agresion të armatosur ndaj shtetit të Kosovës.

Të gjitha faktet relevante, ato policore dhe nga KFOR-i, e konfirmojnë këtë.

Pa hyrë në shpjegimin e asaj se çfarë përbën një akt terrorist, meqë kjo dihet, ruajtja e kësaj sintagme, jo vetëm që aktorët e këtij veprimi (shtetin serb dhe faktorët e tjerë nga jashtë dhe brenda të involvuar në të) i liron nga përgjegjësia për një veprim të tillë, që doemos ndërkombëtarisht ndëshkohet,  por njëherësh shtetin e Kosovës e ngarkon me hipotekën e paaaftësisë të kontrollojë hapësirën e vet nga aktet terroriste, për ç'gjë sikur justifikohen thirrjet për marrjen e plotë të mbikëqyrjes së Veriut nga KFOR-i, ndërsa politikën e Kosovës e privon nga mundësia  të ndryshojë paradigmën e deritanishme të trajtimit të Serbisë si “partnere konstruktive” në dialogim, paçka se me këtë veprim luftën e deritanishme diplomatike të mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar (BE dhe SHBA), e ka kthyer në diplomaci  të luftës, që zgjidhjes së saj t’i imponohet modeli i Donbasit.

Po ashtu, cilësimi i ngjarjeve të 24 shtatorit si agresion shtetëror ndaj shtetit të Kosovës, historisë ia deponon dëshminë më të fuqishme të veprimit ushtarak të shtetit serb kundër shtetit të Kosovës.

© Jusuf Buxhovi