Blog

Shteti që duam, na jep atë që duam

 Alfons Zeneli shkruan në Facebook:

"Para disa viteve, policia “që duam” e Pogradecit ndalon një shofer për transport të paligjshëm lëndësh drusore. Bashkë me të, mban në ambientet e izolimit për nja 10 orë edhe djalin e tij 9-vjeçar. Kaq do të kish mjaftuar që të jepte dorëheqje me ceremoni edhe lulishtari i komisariatit, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, edhe ministri madje. Por në një shtet të qytetarëve ama. Jo në këtë tonin, në shtetin e shtetarëve, në shtetin e njëshit, ne shtetin e Taos, në shtetin e Sajes, në shtetin e Moisiut, në shtetin e Gogo Nushit. Pastaj vijuan me radhë keqtrajtime, tortura, vetvrasje dhe vrasje nëpër ambientet e komisariateve të “policisë që duam”. Njëlloj si në kohën e diktaturës kur qytetarët ç'njerëzoheshin qelive nga hetuesit dhe prokurorët. Nuk ka shumë ditë që vdiq i riu nga Korça pikërisht si rezultat i dhunës së policisë “që duam”. Dje është vëtëvarur një qytetar nga Shkodra për shkak të presionit të bërë nga policia “që duam” për një faj që gjithsesi i riu shkodran nuk e kishte bërë. Por kështu insistonte me rrahje policia. Kushedi, donte të shtonte rastin e “krimeve të zbardhura” e të mbushte statistikat. Apo mos vallë, i riu shkodran duke mos e pranuar fajin synonte sabotimin e integrimit në BE? A mos vallë e kish manipuluar Saliu? 

Ka dhe shumë raste që nuk i dimë. Që ua mbyll gojën policia, gjykatësi, prokurori dhe dhunuesi i rrugës i pajisur me lek, Range dhe pushtet. Policia “që duam” e shtetit “që duam” na burgos, na vë pranga metalike, pranga taksash, pranga batutash tallëse, pranga skandalesh. Dhe ne tulatemi. Duartrokasim si të marrë larminë e kollarove, markën e atleteve, lotojmë në ekstazë e kapsallitim sytë nga lumturia për gjetjen me çitjane. Si i është kujtuar një zgjidhje e tillë, o Zot! -ngazëllejnë mileti. Është çun “trendy”. E mahniti Merkelin. Hallall vdekjet, vetvarjet, urinë, skamjen, arrestet për trafik të paligjshëm spinaqi, për ndërrim “kriminal” të parvazit të dritares pa lejen e Lali Erit, për rrahjet dhe dhunën në komisariate. Hallall të gjitha. Hallall dhe jetën, dhe të ardhmen e fëmijëve o “shteti që duam”…….dhe që na jep ekzaktësisht atë që duam: DAJAKUN".

 

Tagged under Alfons Zeneli