Blog

Koha është e opozitës, edhe në arrest shtëpie Berisha ia dha asaj këtë shans - Nga Enver Bytyçi

Sot Irena Gjoka-Rama vendosi që lideri i opozitës, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, të vihet në arrest shtëpiak. Por jo vetëm kaq. Nëse ai do ishte me arrest në burg, me lejen e autoriteteve do të lejohej të takonte edhe miqtë e tij. Vendimi i Irena Gjoka (Rama) nuk e lejon të ketë kontakte me askënd tjetër, përveçse me familjarët e tij. Për ta zbatuar këtë izolim dhe heqje të së drejtës së fjalës dhe ushtrimit të detyrës si kryetar i opozotës, atij i vunë edhe policë te dera e shtëpisë.

Vetë vendimi i kësaj gjykate politike shpjegon gjithçka. Se izolimi i Berishës është vendim politik. Se ndalimi i kontakteve dhe fjalës së lirë është vepër e një gjykate në diktaturë. Se në këtë Shqipërinë e mafies, kundër së cilës luftoi Berisha nga viti 2013 e deri më sot, lejohet që mafiozët e kriminelët të kenë liri fjale e madje jetë luksoze në burgje, ndërsa njeriu që nuk ka bërë asnjë shkelje ligji, ndalohet të flasë, të kontaktojë, të këshillojë, të japë mendime dhe të interesohet për fatin e opozitës të cilën e drejton.

Ky regjim mund të bëjë gjithçka. Mund edhe të të marrë peng dhe të të çojë në Malin me Gropa. Ishin paardhësit e Rilindjes ata që ua mësuan kriminelëve mafiozë këtë mal për të zhdukur viktimat e tyre. Fati i Malit me Gropa është më i keq sesa fati i arrestit në shtëpi pa asnjë provë dhe pa asnjë fakt. Nëse dënohemi politikisht, prej sot të gjithë ne jemi të ekspozuar me ndëshkime hetuesish dhe operativësh të Sigurimit të Shtetit. Të gjithë. Edhe ata që sot janë me “Rilindjen”, nëse guxojnë dhe kundërshtojnë diktatorin në pushtet.

Kjo nuk është vetëm diktatura e regjimit autokrat në Shqipëri. Kjo është diktatura e ideologjisë liberale të Sorosit. Sorosi është frymëzimi dhe ideatori i sjelljeve të tilla, të praktikuara jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithçka është politike dhe i shërben pushtetit të “Rilindjes” me ose pa Edi Ramën. Se edhe Sorosi bën rrokadën e besnikëve të tij. Ndoshta ka projektuar një rrokadë me ndonjë besnik të vetin të njohur si “të djathtë”.

Megjithatë nuk është koha të ankohemi, aq më pak për t’u qarë. Nuk ka pse ndodhin këto, sepse me regjimin e Edi Ramës kjo sjellje hakmarrëse ndaj Sali Berishës ka qenë e njohur dhe e ditur. Asnjë befasi. Tani është koha që opozita të bashkohet një orë e më parë. Eshtë koha që të mos anatemohet asnjë demokrat. E them këtë, sepse gramafonët e sponsorizuar të pushtetit në ekranet tona televizive kanë filluar të nxisin e injektojnë përçarje. Një prej tyre e ndesha mbrëmë edhe në emisionin Zonë e Lirë. Para e madhe është në lojë. E njëkohësisht kjo që ndodh me Sali Berishën sërish është një lojë e madhe. Një lojë politike e pistë, më e pista që ka njohur historia e shtetit shqiptar, përjashtuar periudhën e diktaturës komuniste.

Çdo kryeministër i Shqipërisë, çdo president, madje edhe Mbreti Zog I, ka qenë më i matur, ka njohur kufij të caktuar në ushtrimin e dhunës së pushtetit apo të shtetit. Por Edi Rama nuk njeh kufi. Nëse do të vazhdojë kështu, ai do të arrestojë edhe opozitarë të tjerë, përveçse do t’i përjashtojë nga seancat parlamentare. Në këto kushte vetëm bashkimi dhe uniteti e mposht regjimin. Nuk ka rrugë tjetër.

Edhe nëse ju të nderuar opozitarë mendoni ndryshe nga njëri-tjetri, bashkohuni derisa ta rrëzoni këtë regjim. Derisa të rifitojmë lirinë e humbur sërish. Pastaj diskutoni për ide, mendime dhe alternativa të ndryshme.

Koha është e opozitës. Nëse do të kuptohet kjo, atëherë regjimi do t’i ketë javët e numëruara. Sali Berisha edhe me vuajtjen në arrest shtëpie ia ka dhënë një shans të ri opozitës.

© Enver Bytyçi