Blog

Kurthi i kohës kur demokratët shikohen si kulakët - Nga Ilir Levonja

Kurrë televizionet shqiptare nuk janë angazhuar ndonjëherë kaq shumë në shkatërrimin dhe shpërberjen e opozitës. Kurrë ndonjëherë shoqëria shqiptare nuk është marrosur kaq shumë sa këto ditë në një mllef pervers në izolimin e liderit të opozitës.

Pavarësisht firove drastike të një qeverisje të dështuar, asnjë studio televizive nuk është marrë me dëmin, por me fenomenin. Pavarësisht se kanë shkatërruar çdo vlerë kulturore dhe sot plot qytete janë deri pa drejtori arsimore, apo qendër zjarrëfikësesh siç edhe doli në rastin e zjarrit në Tregun e qytetit të Lushnjes, ata prapë merren me fenomenin. Madje fenomeni ka lënë mënjanë edhe show-t spektaklet, por edhe tregun e çmendur shqiptar për blerës të varfër.

Të gjithë televizionet vu, vetëm në një drejtim: Berisha, Berisha, Berisha. Bile edhe ndonjë që njihet si pro Berisha si Syri Tv, çdo mbrëmje studiove të tij në vend të demokratëve, shikon të kuvendojnë antidemoktratë, ushtarët e regjimit si Baton Haxhiu, Lorenc Vangjeli etj. Të paktën ky televizion duhet të kuptonte i pari se strategjia për shkatërrimin e opozitës, nuk është çështje debati për t’i mbushur mendjen ta zëmë Batonit apo Lorencit, por është çështje fryme opozitare.

Debatin real do ta bënin njëqind herë më mirë, demokratët e bazës, demokratët safi, ata që sot kanë 3 alternativa: 1) o të shiten tek regjimi; 2) o pa punë rrugëve dhe kush ka ndonjë biznes, dyfish i tatuar; 3) o të marrin malet. Demokratët sot janë tabela e qitjes, u kërkohet llogari, madje ata e kanë fajin për të gjitha firot e kastës në pushtet. Shqipëria nuk është në stadin ku njeriu ha logjikën e studiove perëndimore, ku vërtet shtypi sado i prirur kah një force nuk e bajatos veten në konflikte bajate, të luftës së tipit Putin.

Ka vdekur demokracia në Shqipëri dhe shtypi është pjesëmarrës në këtë ekzekutim. Sot Shqipëria është totalisht e kthyer në vitet më të ashpra të historisë së saj, të luftës famëkeqe të klasave. Kësisoj demokratët nuk janë më demokratë, por “armiq”. Kudo ku t’i gjesh, kudo t’i kërkosh, ata trajtohen si kulakët dikur. Ka vdekur sensi i konceptit social mbi drejtësinë. U thonë menjëherë “do ta burgosim plakun Mere, do ta burgosim non grata-n, kemi investuar për këtë'”. Dhe demokratët përpiqen të ofrojnë elementë të drejtësisë.

Por nuk funksionon kështu me regjimet. Regjimi të vjen natën bashkë me provat e sajuara dhe të dhunon si i do dhe kur i do. Kjo është drejtësia e regjimit. E mbani mend operacionin për sekuestrimin e pronave “kriminelëve”, një i tillë me atë bjonden me syze, ku policia shkonte furtunë dhe sekuestronte prona duke thënë se po vendoste ligjin, pa asnjë shkrese prokurorie, pa asnjë urdhër drejtësie, por me verdiktin e propagandës se po vendosnin ligjin?

Njerëzit janë të marrosur keq pasi nuk dinë nga ta kapin, kokën e kanë plot frikë nga Edi Rama, trupin e kanë rrugëve të botës dhe këmbët të lidhura. Shqipëria po vuan si kurrë më parë faktin se pjesa më vitale e saj, ka ikur. Nuk ka forcën e reagimit, ka pranuar gjithçka. Sikur edhe 10 veta të votojnë, votimet do njihen.

Eshtë sheshuar gjithçka nevralgjike, çdo ndjeshmëri, gjithçka u duket normale dhe e pranojnë me përulje pasi nuk qeveris Edi Rama, por Enver Hoxha. Po kujt t’ia thuash? Demokratët do bënin mirë të prishnin edhe rezervimet për festat e fund vitit, do bënin mirë të dilnin rrugëve ashtu si në Beograd. Ka marrë fund arsyeja, komunikimi, balancimi i pushtetit etj., dhe fund do të thotë o ngrihu, o hesht.

© Ilir Levonja