Blog

Na duhet një Gjykatë Speciale për Shqipërinë në Hagë - Nga Enver Bytyçi

Eshtë e dhimbshme. Eshtë e turpshme gjithashtu të kërkosh apo ta kesh një Gjykatë Speciale për Shqipërinë në Hagë. Aq më tepër kur e kemi një për Kosovën. E di se Serbia dhe Rusia do ta përdornin ngritjen e një gjykate të tillë për t’i paraqitur shqiptarët si “njerëz me bisht”. E di se për disa vite Shqipëria do të jetë në epiqendër të opinionit publik ndërkombëtar për keq.  Por kjo do të ishte kostoja më e vogël e mundshme, nëse duam që ta pastrojmë vendin nga narko-shteti.

Edhe nëse ngrihet e gjithë bota bashkë për të ndërtuar në Shqipëri një sistem drejtësie që shëron plagët e këtij vendi, kjo do të jetë e pamundur tashmë. Mafia dhe shteti janë bërë bashkë. Shteti dhe mafia kanë përdorur së paku 19 miliardë euro të taksave tona për t’u pasuruar. Shto këto edhe 119 miliardë euro të trafikut të drogës, duke filluar nga kanabizimi i vendit e deri te porta e shqyer e porteve tona, sidomos atij të Durrësit, për trafik kokaine, heroine etj, atëherë merret me mend se sa e fuqishme është mafia shqiptare e bërë njësh me shtetin mafioz.

Një kryeministër që ka blerë e korruptuar shefin e FBI-së amerikane, duhet të vlerësohet si personi që komandon dhe lidh të gjitha fijet e mafies dhe krimit të organizuar. Një kryeministër që kërcënon zevendësin e tij dhe fëmijët e familjen e këtij zevendësi me jetë, duhet marrë me mend se çfarë është në gjendje të bëjë, nëse i cënohet pushteti dhe pasuria e grabitur. Shqiptarët nuk kanë më asnjë iluzion se Shqipëria ka familjen kryeministrore si familjen më të madhe mafioze në vend. E në këto kushte Shqipëria nuk mund të çlirohet prej tij me prokurorët e gjykatësit e përzgjedhur e të kapur po prej tij.

Kryeministri i Shqipërisë, edhe nëse prokurorët e gjykatësit ia përzgjedhin kundërshtarët apo armiqtë e tij, ai do të gjejë mënyrën që t’i korruptojë e t’i shantazhojë ata. Ky është profesioni i mafies, është edhe profesioni i kryeministrit shqiptar. Kush ka iluzione se kjo nuk ndodh në këtë vendin tonë të çudirave, ai ose është naiv, ose është peng. Prandaj do të duhet patjetër që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një ligj special kushtetues për ngritjen e Gjykatës Speciale në Hagë me ato atribute që ka Gjykata Speciale e Kosovës po në Hagë e të përbërë nga gjykatës e prokurorë europianë e amerikanë, të cilët të mos kenë asnjë lidhje me asnjë shqiptar.

Nëse ndëshkimin e narko-shtetit shqiptar nuk e marrin në dorë prokurorë, hetues dhe gjykatës europianë dhe amerikanë, këtu nuk mund të ndodh mrekullia. Të gjithë thoshin se “Dumanin e zgjodhi Juri Kim në kundërshtim me vullnetin e Edi Ramës”. Kemi parë edhe shfaqjen e radhës për zgjedhjen e tij para dy e më shumë vitesh. Por rezultoi se Dumani veproi e po vepron më me besnikëri pro-mafies, sesa paraardhësi i tij, Arben Kraja. Ai nuk guxon të hetojë AKSH, Tunelin e Llogarasë, inceneratorin e Tiranës, Xibrakën, portin e ri të Durrësi, Ekoparkun e të tjera afera pa fund. As Agasin e Durrësit si koordinator të kryeministrit me grupet kriminale e mafioze, si dhe plot denoncime të tjera publike kundër këtij kryeministri. Nuk guxon të merret me lidhjet e kryeministrit tonë me organizatën mafioze të Sinaloas. Dumani nuk guxon të hapë çështje hetimore për tenderat që janë zhvilluar në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashkinë e Tiranës dhe në Shëndetësi. Vjedhjet e Ilir Beqjes, Dumani i katandisi në ca dhjetramijë euro të BE-së të shpenzuara në restorantin e tij. Sepse duhen mbuluar dhjetra e qindra milionë të tjera për çekapin, e PPP të tjera në këtë sektor.

Dikush mund të thotë se do të ishte zgjidhje të gjendeshin prokurorë dhe gjykatës të ndershëm. Edhe nëse i gjen ata, mafia do t’i korruptojë brenda disa ditësh. Në mos u korruptofshin, do t’i shantazhojë me jetën e tyre e fëmijëve të tyre. Sepse mafia drejtohet nga kryeministri i vendit. Sepse mafia nuk ka nevojë t’i marrë ndokujt leje për asgjësimin e atyre që e kërcënojnë atë. A nuk ishte investitori strategjik i kryeministrit ai që urdhëronte në emër të fuqisë së tij e të shefit të tij vrasje dhe eleminime fizike në Shkodër? A nuk janë nja një dyzinë ministrash e kryetarë bashkie në arrest për grabitjen e pasurisë kombëtare të shqiptarëve dhe dënimet e tyre kanë përfunduar në akuzën “shpërdorim detyre”? A nuk shetiste Sajmir Tahiri me gomonet e Habilajve dhe Habilajt me makinën e ministrit të Brendshëm dhe ministri në fund bëri pak burg “për shpërdorim detyre”?

Këtu ka marrë fund gjithçka. E ndërkohë sot dëgjova që kreu i opozitës, Sali Berisha, bën thirrje për hetim ndërkombëtar. Çdo prokuror e gjykatës, çdo ekspert ndërkombëtar që hyn në territorin e Shqipërisë ose do të korruptohet, ose do të shantazhohet. Mafia shqiptare dhe narko-shteti shqiptar është shndërruar në rrezik serioz për ekzistencën e Shqipërisë. Këtë pleh e solli në Shqipëri edhe Europa dhe Amerika. Ata i dinin lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe mafien ndërkombëtare, që kur ky ishte kryetar bashkie. Tani le ta pastrojnë ata këtë mut të madh që kanë bërë në vendin tonë. Ne jemi të pafuqishëm përballë mafies dhe shtetit mafioz.

Kërkoni një Gjykatë Speciale për Shqipërinë në Hagë! Nuk është turp! Turp është për ata që eksperimentuan diçka të tillë te ne me Edi Ramën!

© Enver Bytyçi