Për një front të madh opozitar - Nga Ilir Levonja
Je se çfarë je, i hequr apo jo nga puna, je demokrat i Lulit apo i Saliut, je i Shehit, Dukës, Metës, apo kungujve të tjerë, ama je opozitar, bashkohu! Nuk ka më kohë sikur një minutë për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit.
Makineria e fjalës duhet t’u ofrojë shqiptarëve (atyre që kanë mbetur në vend) fakte se si mund të shmanget mbyllja e shkollave, se si të rritet pjesëmarrja në zgjedhje, fuqia e votës dhe si të arrihet zbehja e pushtetit të njëshit. Se si mund të shpërbëhet fuqia e krimit, si mund të realizohen politika sociale efikase, se kemi kapur fundin, po vret djali babën dhe anasjelltas. Po vret djali a vajza nënën dhe anasjelltas.
Pra, o ul kokën e pajtohu dhe bashkohu, ose ik edhe ti, se nuk shtyhet më, me klithma se, më solle në datën aq të vitit kaq. Çfarë kaloi në vitet e kaluara, ishte faqja e zezë e demokratëve, por kjo nuk do të thotë asnjë mundësi për pajtim, për falje të njëri-tjetrit, për bashkim frontal. Kush e bën, është njeri i fortë, është opozitar. Kush nuk e bën, ka fatin dhe sojin e tavolinave të kafeneve.
Edhe një herë, 8 janari me bomba tymuese, me shkopinj bejsbolli etj., që vazhdoni dërdëllisni, ishte faqja e zezë. Dhe mos mendoni më se i vetmi dërrmues i demokracisë apo i Shqipërisë është vetëm Edi Rama. Jeni edhe ju. Kush është opozitar duhet ta kuptojë se pa një pajtim a bashkim super të trefishuar, nuk mund të iki nga qeverisja Edi Rama.
Në Shqipëri nuk ka më popull, rrezik mosha mesatare gatuhet mes arsimit të mesëm dhe pleqve të vetmuar. Fuqia vitale ka ikur prandaj aty ka edhe përsëritje emrash, vegjetim, pasi nuk ekziston as kultura e burrit të fortë, që thotë mjaft më, po tërhiqem.
Aktualisht vendi është në një luftë ekzistenciale mes të fortësh, por ndryshimi nuk vjen përmes vegjetimit, përmes radiografive që i bëni njëri-tjetrit, por rrotës që lëviz. Shumë nga shqiptarët janë pajtuar me pushtetin e Edi Ramës, shumë të tjerë ia hedhin fajin shoqi-shoqit, studiot apo gazetarët e tyre ia hedhin opozitës, ashtu sikundër edhe disa teoricienë i varin shpresat tek lufta brenda llojit, pra mes Ramës dhe Veliajt.
Shpresojnë kot, pasi ndryshe nga demokratët, majtistët nuk hedhin kollaj poshtë njëri-tjetrin, ia ruajnë erzin, i kanë marrëveshjet eterike, paktet e shpejta, pasi duan të sundojnë dhe jo të qeverisin.
Nevoja për një pakt të madh e të hapur nuk lidhet me ju, me mendjen provinciale, apo me postin. Ajo lidhet me Shqipërinë. Madje është koha që edhe Lulit t’i falen mëkatet, jo për Lulin, por për vendin.
© Ilir Levonja