Drejtësia e Agron Geronëve - Nga Ilir Gjini
Burgosja e deputetit Salianji nuk di pse më solli në mendje një gjyq politik në mesin e viteve 70-të, kur një i afërmi im, P. Kavo, me profesion mësues, u dënua për "krimin" e agjitacionit dhe propagandës kundër "pushtetit popullor".
Krimi që kishte bërë, ishte se qe shprehur diku se nuk qe e drejtë që fshatari të hante bukë misri dhe qytetari bukë gruri. Isha fëmijë, por më është fiksuar portreti i tij kur gjykatësi e pyeti: Petro Kavo, a jeni penduar për krimin e kryer? Mjekra po i dridhej dhe zëri i tij i mekur shqiptoi disa fjalë që sikur i dëgjoj edhe sot: "Nuk kam kryer asnjë krim".
Le t'i kthehemi dënimit të deputetit Salianji. Çfarë krimi ka kryer? Sipas gjykatës, "kallëzim i rremë, i kryer në bashkëpunim"?! Denoncimi i rremë quhet kur subjekti e bën këtë denoncim para një oficeri të Policisë gjyqësore. Salianji ka bërë një denoncim publik dhe si i tillë ai mund akuzohej për veprën penale (kundravajtje penale) të shpifjes së bërë botërisht, që maksimumi dënohej me gjobë. Po a ka shpifur Ervin Salianji?
Agron, apo me emrin e ndryshuar për t'i shpëtuar drejtësisë Geron Xhafaj, ishte një i dënuar për trafik droge, që jetonte i lirë në Shqipëri duke iu shmangur dënimit. U desh denoncimi i Salianjit që ky trafikant të shkonte në burg. Lind pyetja: A duhet që drejtësia të akuzonte edhe vellain e tij, Fatmir Xhafaj, për shpërdorim detyre, pasi si ministër i Brendshëm nuk i ka informuar autoritetet italiane për vëllain e tij trafikant që i shmangej dënimit, duke bërë ekstradimin e tij?
Kam punuar për vite të tëra si gazetar terreni dhe e pranoj që audio-përgjimi i Geron Xhafajt kishte probleme. Do ishte më e saktë të bëhej një video-përgjim, pasi askush nuk mund të kishte dyshime. Po ku qëndron krimi i Ervin Salianjit? Një gazetar i drejtohet Salianjit duke e informuar se vëllai i ministrit të Brendshëm i dënuar si trafikant, vazhdon ende trafikun falë mbështetjes së të vëllait ministër. Padyshim që çdo opozitar, aq më tepër deputet, do të angazhohej për të investiguar dhe denoncuar. Mos harrojmë vendin ku jetojmë...
Një ish-ministër i dënuar për kanabizimin e gjithë vendit dhe shumë prokurorë e policë të implikuar në afera me bandat kriminale. Shumë qytetarë e shohin më të arsyeshme të denoncojnë pranë opozitës, sepse nuk kanë besim te organet e drejtësisë. Po e marr të mirëqënë që në audio-përgjim nuk ishte zëri i Geron Xhafajt, pra ishte falsifikuar. Po ku është përgjegjësia e Salianjit? E gjithë narativa e dënimit të Salianjit nga gjykata është dëshmia e një personazhi, i quajtur Fredi Alizoti.
Nuk ka asnjë komunikim mes tij dhe Salianjit. As komunikim telefonik apo përgjim ambiental. Ai pretendon që do paguhej nga Salianji 200 mijë euro?! Por ne nuk kemi provën, që do ishin paratë. Vetëm fjala e Alizotit nuk konsiderohet provë. Në çdo rast korrupsioni policia ndërhyn në momentin e shkëmbimit të parave për të siguruar provën. Por ne kemi përgjime të funksionarëve të lartë të policisë që paguajnë Fredi Alizotin dhe nuk janë pyetur asnjëherë nga gjykata pse e paguajnë dëshmimtarin?
Ky dënim kryekëput i pabazuar as në ligj (se nuk kemi kallëzim në autoritetet ligjore) as në prova, që në mos nga Gjykata e Lartë do të bëhet nul nga Gjykata e Strasburgut, tregoi fytyrën e vërtetë të "drejtësisë së re", që është kthyer në gijotinën e opozitës. E gjithë drejtësia e re nga gjykatat e rretheve e deri te SPAK, është vënë në shërbim të qeverisë.
Dikur në Francën e viteve 70-të, avokati Robert Badinter nuk mundi të shpëtonte nga dënimi me vdekje klientin e tij Roger Bontems, për një krim që ai nuk e kishte kryer dhe që më vonë rezultoi i pafajshëm. Avokati Badinter i biri i një viktime të Holokaustit, bëri beteja të mëdha publike për heqjen e gijotinës (dënimit me prerje koke) dhe në vititn 1981 ia doli që ky dënim të hiqej në Francë .
A do të shërbejë dënimi i Salianjit që nuk është gjë tjetër vecse "gijotinë e fjalës së lirë" për të ndërgjegjsuar shoqerinë shqiptare për të mos burgosur fjalën? Reagimi i deritashëm i opozitës dhe deputetëve të saj është i vakët. Ata duhet të sakrifikonin të parët për këtë akt absurd që ndodh vetëm në diktaturë!
© Ilir Gjini - Toronto