Kolumnist

''Sukseset'' gjeopolitike të Ramës dhe Shqipëria që vdes pak nga pak - Nga Ilir Levonja

1) Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, nënshkruan me Shqipërinë, një marrëveshje për refugjatët (2023 dimër). Po atë vit kjo Giorgia Meloni, nënshkruan marrëveshje me një vend fqinj të Shqipërisë, Serbinë. Madje nga aty nis një lobim të fortë për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Marrëveshja ka të bëjë me prodhimin makinave elektrike, Fiat Panda, një bashkëpunim tashmë italo-francez. Pra, me Shqipërinë marrëveshje refugjatësh, ca magazina, ku si përfitim, Shqipëria merr ca bonuse në dorë etj. Dhe siç doli më vonë, e gjitha ishte një kërkesë e vetë Shqipërisë, kurse me Serbinë investimet. Që do të thotë, Shqipërisë jepi ca para dhe lëri kafeve, Serbise hapi një treg të ri pune. Tani bëjeni vetë dallimin.

2) Pak ditë më parë, me paratë e Turqisë dhe të një sundimtari tjetër si Erdogan, u inagurua në mes të Tiranës xhamia e madhe e Namazgjasë. Inagurimi u shty tri herë dhe siç përflitet, kjo për disa mosmarrëveshje se kush do e drejtojë këtë xhami dhe po qe se e drejtojnë shqiptarët, Erdogani nuk vjen. Po qe se e drejtojnë turqit do vijë. Dhe afërmendsh, shqiptarët kurrë nuk e kuptuan se ai që të jep paratë, nuk t'i jep kot. Si përfundim Erdogani erdhi, na dha një xhami ku e nga e gjitha kuptuam se drejtimi i përket një bordi tashmë ku bëjnë pjesë edhe disa klerikë turq. Megjithatë një ditë më pas, Erdogani që Shqipërisë i ''dhuron'' xhami dhe urrejtjen për gylenistët, nënshkruan me Serbinë një marrëveshje për... ''zhvillimin në industrinë e mbrojtjes''. Që do të thotë investim i pastër, punësim dhe përfitime të vyera në armatimin dhe modernizimin e ushtrive respektive. Tek ne, depot apo magazinat e ushtrisë i morën bijtë e partisë për ''investime stragjike'' në turizëm, si rasti i deputetes Xhaçka. Sazanin do ia japim dhëndrrit të Donald Trump, se gjoja shqiptarët e urrejnë devizën e Enverit kur thoshte se, ''pa patur frikë se bëjmë ndonjë gabim politik, Sazani dhe Karaburuni janë hekur dhe beton''. Nuk e di nëse e kuptojnë shqiptarët këtë, por e thënë thjesht, nga Meloni morëm ca para dhe jo punë, jo investime, ku të punonin të rinjtë dhe të rejat shqiptare, por thjesht ca bakshishe të rëndomta me të cilat nga ekonomia 85% informale, pensionet u rritën, gjysëm buke, 100gr djathë, 2 kokrra domate etj. Madje Italia dhe Perëndimi tashmë janë vende sekondare në raport me investimet tek ne, pasi Lindja me në krye Turqinë ka dalë në pole position dhe nga Erdogani na u inagurua një xhami me flamuj shtetërorë, paçka se në Kushtetutë jemi shtet laik.

3) Sot besimet shqiptare janë totalisht jo më pronë shpirtërore shqiptare, pasi Kishën Ortodokse na e drejton Greqia dhe Xhaminë e Namazgjasë Turqia. Për më keq, në studiot shqiptare ka një përplasje rrymash, pa përjashtur dhe konfliktin me gylenistët. Kishën Katolike na e ka marrë Vatikani. Një kishe shqiptare që ngriti Fan Noli mbeti në mërgim ashtu si vet i zoti. Madje as që përmendet dhe as përkujtohet, pasi përshpirtjet thuhen sa greqisht, aq latinisht dhe po aq arabisht. Tirana, Shkupi, Tetova, Prishtina, janë një paraqitje e metropoleve të Lindjes, Anadollit, ku ferexheja sapo ka nisur një pranverë të re. Ndonjëherë pyes veten, mirë termocentralë nuk prodhojmë dot, po as mure kishash, apo xhamish nuk dimë të ndërtojmë. Nuk kemi fare gurë apo tulla gjëkundi? Si është e mundur? Njerëzve u pëlqen të identifikohen fort vetëm në dy drejtime, fetarisht dhe politikisht. Sa i përket shqiptarisë, ajo tashmë është një relike në bufetë shtatë mijë lekëshe të socializmës.

4) Është kjo arsyeja që Shqipëria po vdes pak e nga pak. Dhe askush nuk do ta kuptojë. Askush nuk mban përgjegjësi. Askush nuk pranon fajin. Gjithkush bën me faj tjetrin.

© Ilir Levonja - SHBA