Blog

“Dashakeqësia ndaj tjetrit” - Nga Enver Robelli

Mund të vish një ditë në kryeqytetin e Kosovës. Në shikim të parë: gjithçka në rregull. Pastaj takon një të huaj, siç quhen njerëzit që shtetet e tyre i kanë dërguar në Kosovë për punë të ndryshme.

Pa sherr e pyet këtë të huajin: i ke kaluar kaq vite në Kosovë, çka të ka rënë në sy negativisht në këtë vend?

Dhe i huaji përgjigjet: “Dashakeqësia ndaj tjetrit”!

Befasi?

Jo!

Një pjesë jo aq e vogël e atyre që vegjetojnë në jetën publike, arsye të vetme të ekzistencës e kanë dashakeqësinë, urrejtjen, xhelozinë ndaj tjetrit.

Energjia që harxhohet në këtë shoqëri për dashakeqësi ndaj tjetrit i tejkalon megavatët e ndonjë termocentrali afër Prishtinës.

Nuk është befasi që ky ves i keq bie në sy edhe te të huajt. Te ata që pothuaj çdo ditë ballafaqohen me krijesa të çuditshme të kasabasë së vogël që ushqim kryesor i kanë intrigat, rrenat, shtirjet. Pse?

Dashakeqësia ndaj tjetrit luan rol. Por rol edhe më të madh luan beteja për të siguruar ekzistencën. Me rrena!

© Enver Robelli