Kolumnist

E hidhura e ëmbla foleja bosh!

Nga: JETA DEDJA

Ikën ato ditë kur bënit punën e shoferit, duke i çuar fëmijët në shkollë apo kurse.

Ikën edhe ato ditë kur kontrollonit e nuhatnit çdo rrobë në dhomë nëse ishte për t'u larë.

Ikën ditët kur nxitonit për në shtëpi të gatuanit për djalin apo vajzën që do kthehej nga shkolla e lodhur e duhej ta gjente gjellën gati.

Ikën edhe ato ditë kur debatonit për zërin e lartë të televizorit ose orët e gjata para kompjuterit.

Ata nuk janë më në shtëpi. U rritën.

Dhe ja ku ke mbetur vetëm me bashkëshortin/ten. Ju erdhi sërish dita të festoni marrdhënien në çift. Jeni sërish vetëm. Mund të flini edhe me derën hapur. Mëngjeset do jenë më pak të zhurmshme. Do keni kohë për veten më shumë dhe për njëri-tjetrin. Do udhëtoni me më pak bagazhe. Por a po festoni?

Do duhej të ndiheshit të lumtur, po ja që  ndiheni si të braktisur. Dhe e gjithë kjo për faj sindromit të folesë bosh?!

Sindromi i Folesë Bosh është gjendja e përjetuar nga prindërit kur u largohen fëmijët nga shtëpia. Disave u largohen për studime, disave u martohen. Prindërve u ndryshojnë përgjegjësitë, duken sikur nuk kanë më çfarë të bëjnë. Cili do të jetë roli i tyre tani në jetën e fëmijëve?

I ngjan për nga përjetimi humbjes. Prindi ndihet sikur i humb identiteti. Nëna papritmas nuk ndihet më si një nënë. Të dy prindërit ndihen të zbrazët dhe të mërzitur, konfuz, të humbur, të vetmuar. Ata shpesh nuk e durojnë dot njëri-tjetrin, u ngrihen nervat, acarohen. Bëhen agresivë pa shkak, qajnë kur janë vetëm në shtëpi. E kalojnë kohën me aktivitete të parëndësishme, si për të mbushur orët e zbrazëta apo boshllëkun emocional.

Më të rrezikuar nga kjo sindromë janë prindërit që nuk i kanë punët mirë me njëri-tjetin. Ata që nuk kanë zhvilluar më herët asnjë pasion. Ata që nuk kanë një punë të qëndrueshme apo shoqëri të këndshme. Ata që kanë patur edhe më parë probleme si depresioni apo ankthi.

Këta përveçse do zbrazin mërzi tek të tjerët, mund t’ua bëjnë jetën ferr edhe fëmijëve duke u shkuar nga pas, ose duke u dërguar 100 sms në ditë nga meraku. Ky prindërim, kthehet në makth për fëmijët dhe pengon pavarësinë e tyre. Nuk është e shëndetshme. Mund të shkaktojë boomerang.

Fëmija kthehet dhe jeton me prindërit. Ai nuk merr më përgjegjësi. Gjen rehat te mami dhe babi, të cilët tani merakosen se pse i biri apo e bija nuk i jep drejtim jetës. Ehhhh ....hajde merre vesh çfarë duan prindërit?

Ka prindër që pajtohen me realitetin dhe ndihmojnë fëmijët të gjejnë rrugën e tyre duke i monitoruar nga larg, jo me dylbi apo me kamera të fshehta, apo programe kompjuterike spiunazhi, por me frekuencë komunikimi të rregullt javore, ose ditore të vendosur bashkë me fëmijën e tyre. Dhe këta prindër ndërkohë mund të zhvillojnë edhe interesat e dikurshme të rinisë apo pasionet e mbetura peng.

Monda, mikja ime e mirë më tha një ditë: “Më merr malli për djalin dhe gjithçka bëja kur jetonim të gjithë bashkë. Por tani jam e lumtur dhe ndihem e realizuar kur shoh që ai ecën pa e mbajtur njeri për dore. Foleja bosh më trishton, por më shumë gëzohem kur fëmijët e mi bëhen të zotë për të fluturuar”!