Kolumnist

Mbi leximin e fëmijëve - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Kur ndodhem në një librari dhe hutohem nga moria e librave për fëmijë, marr e shfletoj pa mbarim në kërkim të librit të mirë.

Çfarë e bën një libër të mirë?

Nëse do ndalojmë në aspektin e faqosjes dhe grafikës do thosha që unë preferoj librat me shkronja të një madhësie normale, me letër të pashkëlqyeshme sepse në të kundërt më shqetësohet shikimi. Dhe përmasat e librit do t'i doja aq sa libri të mbahej lehtësisht në një çantë, të tipit postier. Sigurisht që kërkesat e mia teknike mund t'i plotësojnë shumë libra, por ndodh që këta të mos plotësojnë kërkesat mbi cilësinë e përmbajtjes, apo emrin e autorit.

Është e pashmangshme të mos më kujtohet fëmijëria ime kur blej libra për fëmijët e mi sot. Kënaqësia e gjetjes të asaj që kërkon nuk ka të paguar. Libra të këndshëm kam gjetur boll, por shumë prej tyre janë përkthime dhe qëndrojnë larg kulturës e mentalitetit të vendit ku ne kemi lindur e jemi rritur.

Prandaj unë jam pro autorëve shqiptarë, jo se jam kundër letërsisë së huaj. Nuk jam. Ne shqiptarët e kemi mjaft të zhvilluar aftësinë për të asimiluar dhe akomoduar informacion, por duhet të dimë që rritjes së fëmijëve i bën mirë edukimi me vlerat e trashëgimisë kombëtare, përpos të tjerave. 

Shqipëria ka patur autorë të mëdhenj të krijimtarisë dhe mendimit për fëmijë që nga rilindasit e ndritur Naum Veqilharxhi, Sami Frashëri, Naimi e Çajupi, të pasuar nga Papa Kristo Negovani, Ndre Mjeda, Qamil Guranjaku e Haki Stërmilli. Me vargjet e vjershave kemi mësuar ritmikën, me personazhet e dashur jemi identifikuar, kemi mësuar të dallojmë e të duam të mirën.

I kemi përpirë librat nga, Adelina Mamaqi, Gaqo Bushaka, Bedri Dedja, Odhise Grillo, Dionis Bubani, Petro Marko. Librat e tyre na kanë zhvilluar fantazinë, imagjinatën, shkathtësinë, inteligjencën, aftësinë për të zgjidhur problemet me disa mënyra.

Në debatet publike përdoren dendur shprehje epike nga librat për fëmijë dhe emrat e personazheve të skalitur i hasim nëpër metaforat apo krahasimet e gjuhës së emrave të njohur të arenës politike. Është pasuri, e cila trashëgohet ashtu si edhe pasuria e filmave të Kinostudios shqiptare të para viteve ’90.

Ne qeshim dhe na zgjohet nostalgjia jo për kohën e diktaturës, por për kulturën dhe vlerat e arrira në një periudhë të vështirë për krijuesit. Sot në Shqipëri kushdo që ka një tastierë dhe ca para mund të botojë e të prodhojë. Ndërkohë që pavarësisht censurës politike, në atë kohë kishte edhe censurë kriteresh artistike. Nëse një vepër nuk kishte vlerë nuk shkonte në dorën e lexuesit.

Për këto arsye, unë zgjedh t'i propozoj fëmijëve të mi të njihen me letërsinë shqiptare për fëmijë, e jo vetëm me kolanën e aventurave të Jeronim Stiltonit apo Harri Poterit, sigurisht pasi fantazia e tyre është latuar që herët me përrallat klasike.

Portali Flasshqip.ca në rubrikën Fëmijët publikon herë pas here përralla klasike botërore të përshtatura këndshëm në shqip sipas stilit të Flasshqip. Meqënëse ky portal ka në themel ruajtjen dhe edukimin me vlerat e gjuhës si dhe trashëgimisë kombëtare, vazhdimisht do të publikojë letërsi shqiptare për fëmijë.

Për shkak të të drejtave të autorit, aktualisht ka mundësi të botojë veprën e shkrimtarit Bedri Dedja, derisa të sigurojë të drejtat edhe për publikimin e autorëve të tjerë.

Unë ju ftoj t'u lexoni fëmijëve tuaj sa më shumë dhe t'i nxisni ata në rrugën e dijes përmes argëtimit në botën e fantazisë dhe magjisë së letërsisë.

 ©JetaDedja