Kolumnist

Shterpësia e Festivalit të Këngës - nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Ne shqiptarët jemi rritur me ngjarjen kulturore të fundvitit “Festivalin e këngës”. Edhe në vitet më të trishta e të brishta politikisht a moralisht, festivali kurrë nuk i mungoi skenës dhe ekranit. Kanë patur meritë për këtë plot njerëz të palodhur e artistë virtuozë, të cilët në momente kritike kanë ditur të japin mesazhe të shpresës e vazhdimësisë. Sepse “Festivali i Këngës” është një vlerë e simbol i kulturës, traditës, zakoneve, shpirtit, psikologjisë së një populli dhe si i tillë mbart një mision që duhet ta përmbushë, me hir a pahir qoftë.

Organizatorët pas viteve ’90-të kanë patur më tepër liri për të materializuar filozofinë apo konceptimet e tyre artistike në këtë event të rëndësishëm, madje edhe të zhvillojnë politika kombëtare si për shembull përfshirjen e Kosovës për herë të parë në festivalin e vitit 1993. Përmes kësaj lirie festivali ka ofruar me raste progres dhe kjo është vënë re kur ka patur frymë të re në organizim dhe personazhe të rinj të skenës. Në këto raste, publiku ka patur kërshërinë jo vetëm për prurjet e reja muzikore, por edhe për komponentët e tjerë përbërës si prezantuesit, skenografia, koreografia, të ftuarit, juria, skenari, veshjet. Që prej ndjekësit të përvitshëm të një festivali e deri tek ndjekësi më pak i kultivuar janë të aftë të bëjnë dallimin e elementëve që i sjellin sukses apo dështim festivalit.

Festivali i 58-të i këngës në RTSH ofroi një element mjaft potent të mospëlqimit. Një prezantuese rrëzëllitëse në narcisismin e saj e kthyer prej regjisores magjistare në një Barbie doll me mikrofon në dorë që luante këngësh dhe fustanesh në skenë.

Më ndjeni për kritikën, por sado të zotë të jenë disa regjisorë, skenaristë, koreografë apo prezantues, vjen një ditë që konsumohen, sidomos kur janë non-stop në prodhim dhe publikut i mbetet të tallet me protagonizmin dhe deliret e tyre.

Festivali i 58-të i këngës ishte një përsëritje e modeleve që i njëjti binom drejtuesish ofron rregullisht në skenë e ekran. “One girl show”. Kjo do të ishte arritje nëse konceptimi feminist i festivalit (siç do preferonte binomi Vejsiu-Grabocka ta konsideronim), do të kishte zënë vend në një shtet ku gratë janë të shtypura e të kufizuara në lirinë e shprehjes. Por në Shqipëri, zëri publik femëror nuk është i mbytur, kështu që nuk është risi që festivali të shitej nën ombrellën feministe ku prezantimi, drejtimi artistik, e regjia iu la “më në fund” grave. Përveç se ishte një shprehje e narcisismit e kukullës me kurdisje, ishte tregues i një gjendjeje shterpësie burimesh njerëzore dhe menaxheriale. Drejtuesit e RTSH-së i kanë rënë shkurt dhe nuk kanë eksploruar mundësi të reja. Ata kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me grupet e gatshme të ekranit dhe nuk kanë dashur të rrezikojnë me të renë. Duke peshuar risqet që sjell e reja kundrejt atyre që sjell e vjetra, ata qartësisht kanë zgjedhur dështimin e suksesshëm përkundrejt suksesit të pagarantuar.

Duke mos më interesuar pagat e shpërblimet që marrin organizatorët e festivalit, pasi fondi i festivalit është për t’u shpenzuar e jo konservuar, do të kisha dashur që RTSH të mos ishte kursyer kaq shumë. Të merrte një prezantues me pagesë dhe jo gratis. Prezantuesja është vetëofruar të bëjë gjithçka pa pagesë, ama vetëm t’ia besojnë asaj detyrat e vështira të të kënduarit, recituarit, drejtimit artistik, paraqitjes skenike, zgjedhjes së fustaneve e këpucëve. Populli thotë “plëndësi është i lirë”, për rrjedhojë regjisorja Grabocka na gatoi paçe.

Drejtuesit e RTSH-së do kishin bërë mirë t’i kishin dhënë më shumë rëndësi dhe vëmëndje përzgjedhjes së kastës së festivalit. Të na kishin surprizuar me prezantues që nuk ua njohim kapacitetin intelektual, kompozimin e fjalive, ritmin, lapsuset, apo manierat. Mund të kishin zgjedhur aktorë apo studentë të talentuar që do recitonin më bukur monologje dhe do sajonin më mirë dialogje me sallën, që të kënduarit do t’ua kishin lënë ekskluzivitet këngëtarëve, që nuk do të ishin nën protektoratin e ndonjë regjisori apo drejtori, që do të dinin të mbulonin me lezet mangësitë e intelektit dhe humorit. Jam e bindur që Akademia e Arteve është një burim i mirë talentesh. Festivali i ka dhënë provat që di të eksplorojë për talente nëpër botë, por ama harron se minierën e ka veç dy hapa larg godinës. Prej andej kanë dalë plot prej atyre që kanë shkëlqyer në skenë. Kështu të paktën festivali do të mundet të justifikojë misionin e tij, të transmetojë me freski vlera dhe jo të riciklojë mykun artistik.

Por me këtë stilin drejtues e organizues të këtij viti, RTSH largoi teleshikuesin, se spektatorin e sallës e ka të garantuar ende për shkak të urisë së publikut për ngjarje kulturore. Duke ulur cilësinë dhe rritur dallaveret, RTSH po largon edhe artistët. E keni vënë re se shumë emra të njohur nuk i afrohen më festivalit? Kanë kuptuar se arti po shndërrohet në mall, ku çmimi vihet nga pazarxhinjtë e stërvitur të institucionit, të cilët s'po pyesin më as për vlerat muzikale, tekstet banale e as për paraqitjet skenike ordinere apo të kopjuara.

Nga ana tjetër, Eurovizioni, i cili është kthyer në një busull për konkurentët e festivalit, po orienton muzikantët drejt folkut duke frustruar krijuesit të cilët shtrëngohen të prodhojnë modele të ngjashme vit pas viti enkas për Eurovizion.

Personalisht, humba kohë të çmuar duke ndjekur recitalin e stonuar të kukullës me shumë fustane, por për diçka më vjen mirë. Shijova zërin dhe performancën e Era Rusit. Ajo nuk mori asnjë çmim. Mbase unë nuk jam aq e kualifikuar sa të dalloj një këngë të mirë, por ama di edhe një gjë tjetër se çmimet në çdo fushë, art apo shkencë janë më tepër pjesë e politikave, prapaskenave, gjykimeve subjektive të një grupi të kufizuar njerëzish. Prandaj nuk u çudita aspak me renditjet, dhe jam e sigurt që as regjisorja e mirënjohur nuk është surprizuar.

23 Dhjetor, 2019

©FlasShqip.ca