Kolumnist

Çohu, Anton Çeta, të na pajtosh! - Nga Vangjush Saro

Nga: Vangjush Saro

Nuk besoj se është nevoja për shpjegime të shumta; lexuesi i nderuar e di mirë kush ishte profesor Anton Çeta dhe, po ashtu, që lëvizja e tij humane e patriotike ndihmonte pajtimin e gjaqeve. Në Shqipëri dhe në Kosovë, kemi nevojë edhe për këtë, për fat keq; por jo më pak emergjent është pajtimi mes vedi. (Nga viti 1968, Çeta drejtoi Departamentin e Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës; ai botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Më 1990, u zgjodh kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve.)

Kujtoj se në fillim të viteve ‘90, pat qenë një tjetër shkrimtar e personalitet i njohur Kosovar, Rexhep Qosja, që nismoi një lëvizje të ashtuquajtur “Pajtimi Kombëtar”, lëvizje që gjeti mbështetje në Shqipëri, por u shmang, në mos u sabotua, nga pushteti i kohës. Nëse ka një moment kur ‘varka’ e lodhur e këtij kombi nuk mban më, kur njerëzit, natyra dhe sendet janë në pikë të hallit, është tani…Dhe këtu e kisha fjalën qëkurse zgjodha titullin e mësipërm. Në këtë sens, duke përdorur një makinacion stilistik, i drejtohem burrit të ndritur të Kosovës, që ‘të ngrihet’ e të bëjë një mundim të fundit për shqiptarinë; por fjala është për ndihmesën e kujtdo që ndjen dhe kupton se është koha të pajtohemi.

Ne po kalojmë nëpër një ‘Kalvar’ mundimesh dhe moskuptimesh. Interesat, formimi, përvojat vetjake, pritshmëritë, të gjitha këto i bëjnë njerëzit, veças ne shqiptarëve, të ngarendim si të mundim në hapësira pa perspektivë. (“Ekziston një lajthitje e këndshme, e nxitur nga forma e planetit tonë; secili kujton se është në majë të botës.” R. W. Emerson) Kur them pajtim, nuk nënkuptoj përuljen, braktisjen e parimeve, por debatin e ndershëm, zgjidhjet afatgjata, heqjen dorë nga mentaliteti i përjashtimit të tjetrit, përballjen me realitetin që na lyp tjetër gjë dhe, më në fund, dëshirat e qytetarëve të vendeve tona.

Është koha për të ‘pajtuar’ politikanët e Kosovës; po heq përsëri ky vend aq i vuajtur, që pas çlirimit nga sundimi serb duhej të kishte gjetur me kohë rrugën e mirëqenies, të pajtimit e të mbrothësisë. U bënë katër muaj krizë e debate, debate dhe prapë krizë, për një qeveri(sje) që fundja e ka përpara programin për pa u caktuar. Kakofonia politike që po ndodh pas zgjedhjeve të fundit, për të cilat ndjemë mirë dhe folëm mirë, i kaloi të gjitha caqet dhe dikush që nuk ka pasur e nuk ka simpati për ne, me të drejtë mund të thotë: “Shikojini! Nuk dinë të qeverisen, të vetëvendosin…”

Për një mendje të urtë,si ajo e të shquarit Anton Çeta, kanë nevojë edhe politikanët shqiptarë, që lanë kokrrën e namit, si i thonë me gjuhë popullore, duke ngrënë kryet e njëri-tjetrit, kurse qytetarët e tyre po jetojnë në makth .(“Më mirë të flasim me njëri-tjetrin, sesa për njëri-tjetrin…” Angela Merkel) Sipas Agjencisë Ndërkombëtare Fitch, Shqipëria është përkeqësuar në vlerësimin e shkallës së perceptimit të investitorëve, nga niveli 59.8 në 53.5 e, në këtë përkeqësim, kanë ndikimin e tyre faktorët ekonomikë e financiarë, por jo më pak aktorët politikë; pra jemi në një situatë kur duhet dialog, pajtim. Dhe fjala nuk është për ndonjë pajtim fals e sa për të kaluar radhën. Kush e ka bërë borxh, le të përballet me Drejtësinë. (“Ligji duhet të jetë i hapur për të gjithë dhe vazhdimisht.” F. Kafka)

Këto kohë, Fondacioni “Soros” (sa të besueshëm janë disa agjenci e fondacione, kjo është temë tjetër) ka realizuar një sondazh me titullin: “Kosovë-Shqipëri, vlerat, besimet, bashkëpunimi dhe bashkimi.” Nëse do të interpretoheshin përfundimet e këtij sondazhi, duket se qytetarët e të dy vendeve janë më pak të interesuar për bashkimin mes tyre, sesa me… BE-në, qe në njëfarë mënyre gjer më sot, ka zhgënjyer jo një herë. ‘Pajtimi’ ka qenë menduar krejt ndryshe kohë më parë, kur Kosova fitoi lirinë. Me sa duket, demagogjia për bashkim e mbrothësi, ishte thjesht një instrument në duart e politikanëve hipokritë, vendas a të botës.

Është e pavend, që pa u përpjekur për paqtim e bashkim mes vedi, të ‘militojmë’ (në mënyrë hipokrite) për të bashkuar Ballkanin (!) Njeriu i mençur i Kosovës, le të themi imazhi i tij, mund të këshillonte ndopak edhe televizionet tona, ente jashtë kohës dhe që i tregojnë botës një Shqipëri në luks të paparë, kurse qytetarët përjetojnë probleme të mëdha, elementare, ekonomike e strehimi; sidomos pas tërmetit që lëndoi rëndë një pjesë të mirë të Shqipërisë së Mesme. (Mbi një muaj nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit, qytetarët, në zonat më të prekura, duken të lënë në mëshirë të fatit. Një pjesë e tyre, ende të traumatizuar, ndodhen në çadra dhe, bashkë me qeverinë e z. Rama, ‘sfidojnë’ dimrin…)

Pajtimi, në njëfarë mënyre, iu duhet edhe disa ministrive të kësaj qeverie; bie fjala, Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës, që të mos praktikojnë hakmarrjen me shkrimtarët të cilët vënë në dukje pasojat nga tekste e dobëta e plot gafa, apo demaskojnë bujën për projektet dhe çmimet e kamufluara politikisht ose duke ushqyer tarafet. Pajtimet duhet të ulen deri në shtëpinë më të fundit, ku krimi vret për motive nga më të çuditshmet, duke ritreguar, bie fjala, pasojat gjakprishëse të viti ’97 apo prapambetjen që trashëgojmë në tërësi. (“Dyshoja se ajo e tradhtonte vëllanë…” thotë njëri nga këta vrasës. Po kush të ‘autorizon’ ty të marrësh jetën e një gruaje, edhe nëse ajo ‘ia dridhka’ vëllait tënd?)

Pajtimet kanë të bëjnë me të sotmen, por edhe me të shkuarën; zaten, që andej vijnë sherret e shamataja. Për shembull, ç’kanë e ç’janë S. Braho e U. Butka; (se kolegu ynë Agroni, iku e, nuk dimë, do të gjejë paqe andej apo do të kthehet prapë, ashtu mjaft i angazhuar, ndonjëherë gjer në ekstrem…) Por e kishim fjalën te dy ‘pleqtë’. Zotërinjtë kanë zënë pozicione ekstremisht të kundërta dhe baltosin njëri-tjetrin, shoqërinë, të shkuarën, të sotmen… I pari ka qenë dhe është një nga ata që lindin ‘me këmishë’. Në ‘atë kohë’ punonte në organet e Drejtësisë (aq sa mund të quhej Drejtësi) dhe, pak a shumë, qe ndër të përkëdhelurit e regjimit. Sot ai është edhe më mirë, deputet dhe i faktorizuar gjatë gjithë kohës; por asnjëherë i ekuilibruar dhe i besueshëm. Tjetri, z. Butka, që mbase shumica nuk e njohin, në atë kohën e parë, ka qenë mësues, madje nën/drejtor në një nga gjimnazet e Tiranës. Nuk kam asgjë me fakte të tilla, gjyshi i tij ishte një patriot i madh, s’di ç’të them për të atin, por fundja ç’rëndësi ka ‘biografia’, nuk duhet të fillojmë edhe njëherë me biografitë, (një institucion i poshtër i së shkuarës, që për fat të keq, na ndoqi dhe po na ndjek pas edhe në të sotmen).

Po ndalem në këtë aks debati, vetëm sepse mendoj që ka shumë rëndësi. Fjala ishte që profesori, të cilin e kemi edhe koleg, sepse shkruan histori, por edhe letërsi, gjithashtu mban pozicione ekstreme, bie fjala, duke pretenduar të ngatërrojë kontributin e popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, përfshi edhe qasjen vende-vende të nacionalistëve, pse jo, me një… luftë civile (!) E kështu më tej. Nuk di ç’e pengon atë të mbrojë një tezë pak më të besueshme, pra që kishte dukshëm elemente të një lufte civile dhe vetëm kaq. (Se kjo, përkundër klithmave të palës tjetër, gjithaq ekstreme, nuk mund të mohohet, kur tërbimi për pushtet mori përpara, me dhe pa faj, ballistë, zogistë, por edhe ‘kundërshtarë’ ish-komunistë.)

Pajtimi është dëshira për të hedhur tej prapambetjen. Nuk besoj se ka ende ndonjë vend në Evropë e Ballkan, ku njerëzit, për fat të keq edhe intelektualët, të jenë duke u kapur për leshrash për të shkuarën e vet, për gjuhën dhe kulturën e vet, për mënyrën se si duhet të punojë dhe ecë ky vend në të ardhmen. I kërkoj ndjesë lexuesve të nderuar, që herë pas here kam qëndruar në këtë temë; por mendoj se ajo përbën një nga problemet tona më të rënda, që nuk mban më, që po shkakton telash pas telashi, po e lë vendin në prapambetje dhe pra, duhet zgjidhur sa më parë, së paku duhet vënë në rrugën e zgjidhjes. Një program pajtimi e bashkëpunimi (duke hequr dorë nga kokëfortësitë dhe fiksimet) duhet ta ketë çdo formacion politik dhe institucion a ent që fundja jeton me taksat e qytetarëve, në Shqipëri e në Kosovë; sepse ata, qytetarët, besoj, janë me profesor Anton Çetën./Telegraf