Kolumnist

Revolucioni që po vjen - Nga Rushan Xhaferi

Tiranët duken të mëdhenj sepse ne jemi në gjunjë - Étienne de La Boétie

Nuk e di sepse shkruaj këtë mbrëmje kur mëngjesi do jetë akoma më i zymtë. Duket sikur nuk ka asnjë pengesë për pushtetet e korruptuara që vendosin të shfrytëzojnë popujt deri në palcë. Ky sundim nuk ka arritur akoma tek shtylla kurrizore që të provokojë një reagim të natyrshëm të qënieve dhe refleksi kafshëror i vetëmbrojtjes të dalë në pahë dhe të sulmojë. Shqiptarët janë akoma në një situatë të mirë, ose durojnë çdo lloj dhunimi. Ku është limiti?

Lufta për mbijetesë kalon nga disa faza të ndryshme të cilat marrin hov në momente kyçe kur nuk mban më ujë pilafi. Po kjo e jona është bërë çorbë dhe nuk e merr vesh i pari të dytin. Zjarri që gjendet në zemër të popullit është shuar me kohë. Nga një herë, ngelet tek-tuk një kongjill që në kërkim të mbijetesës jep një shpresë për të ardhmen. Por kjo flakë e vobektë duhet ushqyer që të mos vanitet. Ka ardhur momenti që shkarpa të shtohen dhe zjarri të bëhet babaxhan. Revolucioni është shenjë ndryshimi i domosdoshëm. Koka duhen prerë sepse peshku qelbet nga koka.

-Mirë, mirë po kush? Avni Rustemit i janë tretur kockat. I ka ngelur ndonjë nip?

-Nuk e di.

A je kriminel kur kërkon kokën e krimineleve në krye të një qeverie të korruptuar? “Nuk bën dot omletë pa thyer vezë”, thotë një shprehje e huaj. Një revolucion pa kurban është utopik. Përgjatë dy vitesh, çdo fund javë, francezët, jelekët e verdhë, pësuan dëme të rënda. 25 të qorruar, dhjetra të dëmtuar, mijëra të arrestuar. Asgjë nuk ndryshoi. Algjerianët zgjodhën rrugën e kundërt me protesta paqësore. I njëjti rezultat.

Një popull i lirë, është një popull që nuk qëllohet mbas shpine. Njerëzit nuk duhet më të kenë frikë nga qeveria apo policia. Është qeveria që duhet të ketë frikë nga populli. Një popull i fortë vdes në këmbë! Vdes me dinjitet!

Mohamed Bouazizi (Tarek Bouazizi), një shitës ambulant tunizian i dëshpëruar nga situata e tij ekonomike për shkak të korrupsionit të banalizuar, në 17 Dhjetor 2010, i vuri flakën vetes. Në mes të sheshit, me nje bidon benzine dhe një çakmak, vendosi të kryente aktin fatal. Vdekja e tij, është zanafilla e trazirave të cilat kontribuan në shpërthimin e revolucionit tunizian duke rrëzuar presidentin Ben Ali nga pushteti dhe duke u zgjeruar në protestat dhe revolucionet në vendet e tjera arabe të njohura si Pranvera arabe.

Gjesti i 26 vjeçarit mbarti në të dëshpërimin e një populli të tërë ku akti i vetëm ishte sfida ndaj pushtetit në një mënyrë çlirimi nga një sistem mbytës. Askush nuk e di se çfarë mund të ketë hequr ky djalosh me një guxim madhështor kur në gjestin e tij vdekjeprurës i tha korrupsionit FUCK YOU! Në atë kohë në Tunizi, çdo biznes duhet t’i jepte 50% të fitimeve familjes së gruas së presidentit Ben Ali. Il pizzo, taksë mafioze, e vendosur mbi gjithë bizneset.

Politikanët janë bërë mafiozë kudo. Tiranët janë akoma në këmbë sepse shumë njerëz në shoqërinë shqiptare kontribuojnë duke e mbajtur këtë kancer gjallë. Nuk mund ta mposhtësh një popull pa pasur bashkëpunëtorë dhe dashamirës të këtij sistemi të korruptuar deri në palcë. Janë pikërisht këta bashkëpunëtorë që përbëjnë helmin e kombit. Edi Rama është një hiç. Është një person i vetëm. Personat që e rrethojnë dhe e mbështesin që nga qarku i ngushtë deri tek qytetarët e thjeshtë janë fajtorë për gjëndjen në Shqipëri. Baton Haxhiu dhe Lorenc Vangjeli janë gati të mbrojnë Edushin e tyre deri në vdekje.

Nëse vrasja e 25 vjeçarit nuk kthehet në rrëzimin e Ramës, kur humbja e shpresës dhe zemërimi ndaj politikës në Shqipëri ka arritur majat, atëherë dimri do të jetë shumë i ashpër dhe 2021 do të jetë fatal për shqiptarët. Rama sakrifikoi ministrin e Brendshëm për të shpëtuar veten. Sa ministra të tjerë do sakrifikojnë nderin dhe veten e tyre për të shpëtuar mbretin? Jeta e shqiptarëve nuk është lojë shahu ku vetëm mbreti ka rëndësi.

Një ditë, Tirana do të çlirohet nga tiranët. Një ditë, politikanë dinjitozë do të na përfaqësojnë siç e meritojmë. Dhe deri sa kjo ditë të vijë, ne duhet të kuptojmë që jemi ne që prodhojmë këtë produkt skarco. Forca e një populli është e pashterueshme sepse rigjenerohet pa fund. Disa herë jep rezultate dhe disa herë jo. Dhe kur funksionon, çdo gjë është e mundur.

©Rushan Xhaferi